Rama: Dibrës i kemi borxh Rrugën e Arbrit. PD, një trup cirku që ju fyen

Pas rezultatit të ditës së hënë, Partia Socialiste u është rikthyer takimeve me mbështetësit e saj në Dibër, për të festuar fitoren. I pranishëm në takimin e fitores ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky takim ka për qëllim mirënjohjen dhe falenderimin për votuesit dibranë për mbështetjen e kandidatit të majtë, Muharem Rama.

Fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama e nisi duke kritikuar qëndrimin e opozitës pas shpalljes së rezultatit.

“Si ka mundësi që një parti t’i kthehet dhe të akuzojë një popull të tërë si bagëti që dalin nga parcela e hashashit dhe jo njerëz dhe shqiptarë që morën një vendim? Si ka mundësi që partia më e madhe e opozitës të arrijë deri në këtë pikë pasi e shpall me të madhe një test kombëtar një fushatë vendore, pasi premton që nga këtu do të fillojë një përmbysje e madhe në shqipëri, edhe pasi madje shpall fitoren në momentin kur mbyllen kutitë e votimit?! Pasi sheh që nga numërimi merr vetëm ‘opingën e Sheros’, u turret dibranëve për t’i akuzuar si bashkëpunëtorë në krim. Është fyer i gjithë komuniteti juaj dhe tradita juaj e çmuar”, deklaroi Rama.

Rama tha se qeverisja e majte i ka borxh Dibrës ndërtmin e Rrugës së Arbrit. Kryeministri u shpreh se opozita “është një trup cirku, me personazhe të korruptuar të 8 viteve qeverisje”.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i sapozgjedhur, Muharem Rama tha se fitorja e thellë i shton më shumë përgjegjësi.  “Rezultati më shton përgjegjësitë dhe më shtyn edhe më fort që ta bëjmë Dibrën ashtu siç e meriton. Gjatë fushatës më kanë thënë trafikant e gjëra të tila, unë vetëm kam shëruar dibranët, plagët e Dibrës”, deklaroi ai. Në takim marrin pjesë deputetë dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste që u angazhuan në fushatën për zgjedhje vendore për këtë bashki.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me qytetarë të Dibrës, pas fitores së kandidatit për Kryetar Bashkie Muharrem Rama:

 Damiani kishte menduar që këtë takim falënderimi ta zhvillonim në këtë sallë me protagonistët kryesore që morën pjesë ditë-natë në organizmin e kësaj fushate që ishte fantastike, sepse ishte njerëzore, e thjeshtë, pa zhurmë dhe sepse ishte fushata për t’i dhënë besim dikujt që nuk ishte material importi, por ishte Bio.

Nuk e kishim menduar që kaq shumë njerëz do donin të ishin pjesë e këtij momenti.

Iu kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë jashtë, të panumërt. Takova gra, burra të moshuar, takova vajza e djem që prisnin për të gjetur mundësinë të hynin në këtë sallë. Duke i parë përsëri e përsëri, mendoj: Si ka mundësi që pas një verdikti kaq të qartë dhe një diferencë kaq të thellë, një parti që për kaq shumë vite ka marrë besimin e dibranëve, t’u kthehet dibranëve me atë gjuhë dhe të akuzojë jo disa njerëz, por një popull të tërë, si të ishin bagëti që dilnin nga parcelat e hashashit dhe jo njerëz familjarë, shqiptarë që në një moment të caktuar morën një vendim që është shumë i thjeshtë për t’u shpjeguar. Si ka mundësi që një parti, që është partia më e madhe e opozitës të arrijë deri në këtë pikë, që pasi shpall me të madhe një test kombëtar në një fushatë vendore, pasi premton se nga këtu do të fillojë një përmbysje e madhe në Shqipëri e pasi madje shpall dhe fitoren në momentin kur mbyllen kutitë e votimit, pasi sheh se nga numërimi merr vetëm “opingën e Sheros”, – i turrët dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit.

Sigurisht që unë do të falënderoj në radhë të parë 18 mijë e qindra votues e votueset e Muharremit, por nuk do të lë pa falënderuar dhe ata tjerët, që pavarësisht se nuk votuan për Muharremin morën pjesë në këtë proces demokratik. Unë nuk e kuptoj, dhe është më besoni, e pa ndodhur në histori që një parti e madhe në garë të falënderojë vetëm votuesit e saj dhe të tjerët t’i fyejë dhe t’i ofendojë, duke harruar se kush fyen e ofendon shumicën që vendos, fyen dhe ofendon sovranin popull, i fyen dhe i ofendon të gjithë së bashku.

Në Dibër ka plot familje të persekutuara nga regjimi komunist, që kanë votuar Partinë Demokratike me vite e vite të tëra. Sot, që vendosën të votojnë Muharrem Ramën duhet të pranojnë që janë bashkëpunëtorë të kartelit të drogës.

Në Dibër ka një llogari shumë të thjeshtë për të bërë. Shikojini votat e 2015-ës. Faktikisht Muharremi ka arritur të bashkojë të gjitha votat e 2015-s që ishin për kandidatin tonë dhe për kandidatët e pavarur dhe ka arritur të nxjerrë nga shtëpitë për herë të parë edhe votues që s’kishin dalë kurrë. Kaq e thjeshtë është diferenca e thellë. Është diferenca midis Dibrës që shikon me sytë e vet, dëgjon me veshët e vet dhe mendon me kokën e vet dhe një pjese votuesish që thjesht e vetëm që shikojnë me sytë e Lulit, dëgjojnë me veshët e Saliut dhe mendojnë me kokën e  SHQUP-it. Kjo është e vërtetë, por s’është kurrë një fyerje për ata, është vetëm një konstatim, e njëkohësisht një apel, edhe për ta për tu thënë: Ju që votuat për kandidatin tjetër ishit në të drejtën tuaj. Por si ndjeheni sot kur fqinjit tuaj me të cilët ndani ditë të mira e të këqija, fqinjit tuaj të cilit i keni shkruar për urime dhe ngushëllime, partia juaj i ka vënë gishtin e akuzës, si bashkëpunëtor i krimit dhe i kartelit të drogës. Nuk është fyer thjesht e vetëm fqinji juaj, është fyer i gjithë fshati juaj, është fyer i gjithë komuniteti juaj dhe mbi të gjitha është fyer tradita e çmuar e Dibrës, tradita që dibranët edhe kur s’kanë bukë për të ngrënë, nuk e harrojnë kurrë.

Dua tu them se ne nuk kemi ardhur këtu për të festuar një triumf. Ne kemi ardhur këtu vetëm për t’ju thënë:

Faleminderit! Faleminderit! Shumë faleminderit!

Unë jam sot këtu për t’ju thënë se kjo votë është një besim i jashtëzakonshëm që na është dhënë pas 3 vjetësh qeverisje, që do të thotë një detyrim i shumëfishtë dhe i shumëfishuar pas kësaj vote, i yni ndaj Dibrës.

Unë e di shumë mirë, e më besoni, e di më mirë se të gjithë, edhe se ata të cilët erdhën këtu 1 muaj rresht, jo për t’u thënë si do ti shërojnë plagët tuaja, por për t’ua rrotulluar thikën në plagë dhe për t’ju nxitur mllefin, madje dhe urrejtjen që ne i kemi shumë borxhe në këto 3 vjet, Dibrës.

Politika shqiptare, qeveritë shqiptare në 20 e kusur vite i kanë borxhe të mëdha shqiptarëve, por unë sot, pas 3 vjetësh, ju them se dhe ne kemi borxhe, duke filluar nga Rruga e Arbrit, që është një borxh i vjetër, shumë i vjetër për ju që jeni i vetmi komunitet i madh në Shqipëri që keni mbetur të izoluar dhe që për të dalë nga kufijtë e territorit tuaj, përdorni të njëjtën rrugë që kanë përdorur të parët tuaj.

Por ama, nga ana tjetër ky besim i madh që ne morëm tregon mençurinë dhe urtësinë e njerëzve të punës, e njerëzve që bukën  nuk e nxjerrin me drogë, por e nxjerrin me djersë dhe e dinë shumë mirë që fara e vogël e misrit nuk bëhet kalli sa hap e mbyll sytë. E kuptojnë shumë mirë që Shqipëria e rrënuar për 20 e kusur vite dhe Dibra e harruar për 20 e kusur vite, nuk mund të bëhet ajo që të gjithë meritojnë sa hap e mbyll sytë. 3 vjet në politikë dhe në qeverisje, pas 20 e kusur vitesh rrënim, janë tamam sa hap e mbyll sytë.

Prandaj unë e kuptoj shumë mirë, dhe të jeni të sigurtë se e di shume mirë dhe e ndjej shumë thellë dhimbjen, shqetësimin, nevojën e familjeve dibrane për të qenë të lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë, për t’i çuar fëmijët e tyre në një shkollë të denjë kudo ku ata jetojnë, këtu në Dibër, për të pasur një shërbim shëndetësor të denjë, për të pasur institucione që iu japin përgjigje dhe ju shërbejnë e nuk ju kërkojnë para. Kjo vetëdije më ndihmon që të jemi me këmbë në tokë, madje edhe më shumë me këmbë në tokë seç ishim para ditës së diele, për t’i shërbyer edhe me më shumë përunjësi këtij komuniteti dhe për të ndarë me ju vështirësitë që ne kemi. Ne nuk kemi një shkop magjik siç nuk e ka një shkop magjik asnjë prind që do të bëjë më të mirën për fëmijët e vet, siç nuk e ka një shkop magjik asnjë familje që mund të jetë shumë ngushtë në shtëpi, por nuk ka mundësi të ndërtojë një kat tjetër thjesht dhe vetëm se ka nevojë,  por duhet të ketë kapacitetin ekonomik dhe financiar për ta ndërtuar katin tjetër.

Kjo është edhe historia e shtëpisë sonë të përbashkët të Shqipërisë. Flasim për vende të varfra, flasim për vende më të pasura në Shqipëri, por shtëpia jonë e përbashkët është një shtëpi që nuk është një shtëpi e pasur, dhe është një shtëpi që nga varfëria mund ta nxjerrim vetëm me përkushtim dhe me punë, me vetëdije të plotë se gjërat e mira duan kohë dhe me kurajë për të bërë të gjithë ato reforma që u zvarriten 20 e kusur vite  dhe që na çuan në atë pikë ku ne e morëm qeverisjen, që ishte një pikë e vdekur, në një vend që rrezikonte greminën, një vend që rrezikonte të zhytej në errësirë, nga kolapsi i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Një vend që ne nëntor-dhjetorin e vitit 2013 rrezikonte që të mos kishte para për të paguar rrogat dhe pensionet. Kjo është Shqipëria që gjetëm ne. Sigurisht, sot Shqipëria është më e mirë dhe është me e mirë, jo sepse kudo duket më mirë. Nuk duket më mirë kudo. Ka plot zona të Shqipërisë, ka plot fshatra të Shqipërisë, ku në tre vjet s’ ka ndodhur asgjë. Ky është realiteti, por është më e mirë sepse ne po ndërtojmë themelet e munguara të një shteti që do funksionojë për të gjithë.

Është më e mirë Shqipëria sot sepse nuk është më gjysma që e paguan energjinë dhe gjysma tjetër që nuk e paguan energjinë , po paguajnë të gjithë ama marrin mbrapsht investime për të pasur furnizim normal me energji dhe nuk kanë më fatura aforfe që iu nxijnë jetën. Është më e mirë Shqipëria sot sepse pavarësisht se çfarë thonë përditë e përditë, ka një shtet që i ka hapur luftë frontale krimit dhe ka një polici shteti që nuk ka të krahasuar me policinë e shtetit tre vjet më parë. Një polici shteti që është në krye të detyrës dhe që i shërben komuniteteve, i shërben qytetarëve, i shërben ligjit, i shërben rendit.

Është më e mirë Shqipëria sot sepse maturantët që u bën një tjetër mish për topin e fushatës elektorale të Partisë Demokratike këtu në Dibër, për herë të parë pas shumë e shumë vitesh dhe për herë të parë që nga viti 1990 e kanë në dorë fatin e tyre. E kanë në dorë me rezultatet e tyre vendin ku renditen në klasifikim për të hyrë në universitet. E kanë në dorë të vendosin çfarë duan të bëjnë në jetë që kur hyjnë në gjimnaz. Nëse duan të shkojnë në universitet atëherë rezultatet e tyre duhet të jenë reale dhe sot në universitet nuk bën më punë as leku, as miku, as partia, as tarafi, as fisi. Këto janë të gjitha ndryshime të mëdha që të mos vazhdoj të përmend të tjera e të tjera, të cilat janë njësoj si ndryshimi që i ndodh farës kur fillon e çel.

Sigurisht, kur misri është vetëm një fidan i sapodalë mbi tokën nuk të jep akoma kallirin që ti të bësh miellin. Është herët. Duhet ende kohë, por ne do vazhdojmë ta kultivojmë me durim, me mund dhe të përballojmë vështirësitë për të kapërcyer këtë fazë që nuk është një fazë e zakonshme në historinë tonë, por është një fazë që do të ndajë përfundimisht, Shqipërinë pa shtet, nga Shqipëria e re me shtet që ne po ndërtojmë; Shqipërinë, ku ligjin e bënte më i forti, nga Shqipëria ku fatin e secilit e vendos konkurrenca dhe merita; Shqipërinë ku s’merrej dot asnjë certifikatë pa paguar bakshish, te Shqipëria ku çdo shërbim njerëzit do ta marrin sipas nevojës dhe jo sipas xhepit.

Kjo Shqipëri nuk është Shqipëria që kemi sot. Unë jam i vetëdijshëm se po ta kishim bërë kaq shpejtë këtë Shqipëri, më besoni, mua, Damianin, etj si ne, do na kërkonte bota për të zgjidhur problemet e botës si magjistarë.

Janë bërë zgjedhje të pjesshme dhe herë të tjera në Shqipëri dhe është e vërtetë, ka fituar kur ne kemi qënë në opozitë, kandidati i qeverisë, po në asnjë palë zgjedhje përveç atyre famëkëqijave në Shijak ku arriti puna që u morën peng deputete të PS nga kriminelë, – nuk ka pasur një rezultat të tillë. Ky rezultat nuk është asgjë tjetër, përveçse shprehja kuptimplotë e urtësisë së një populli që sado i varfër, kupton shumë mirë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar për fëmijët e vet. Çdo familje sakrifikon shumë për fëmijët. Shqipëria sot është një familje që duhet të bëjë shumë gjëra, por për asnjë moment s’ duhet të harrojë që kryesorja është të sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Do e kemi shumë të vështirë, miqtë e  mi, që ta bëjmë jetën ashtu siç e dëshirojnë dhe siç e meritojnë ata që janë në moshën time dhe më lartë, por e kemi detyrë që varfërinë, papunësinë, korrupsionin, mungesën e të drejtës dhe padrejtësinë si sistem të mos ua trashëgojmë fëmijëve tanë, si një mallkim që është trashëguar vit pas viti në 20 e kusur vite nga qeveria në qeveri. Ky është detyrimi ynë dhe kjo është Shqipëria për të cilën ne punojmë çdo ditë dhe ky është qëllimi i reformave që ne po bëjmë, që nuk janë bërë më parë.

Parafytyroni pak sikur reforma e energjisë të ishte bërë 20 vjet përpara. Sot Shqipëria do të ishte krejt tjetër, do të ishte krejt tjetër ekonomikisht në nivel kombëtar, në nivel vendor, në nivel familjar. Parafytyroni pak, sikur reforma në arsim të ishte bërë 20 vjet përpara, sot ne nuk do kishim gjysmën e administratës që nuk di të shkruajë në mënyrë korrekte gjuhën shqipe dhe nuk do të kishim kaq shumë vajza dhe djem 25 vjeçarë që nuk dinë asnjë zanat dhe e vetmja gjë që kanë është një diplomë “Kristali” në xhep që s’ka asnjë vlerë.

Parafytyroni sikur reforma në shëndetësi që ne e kemi nisur, të ishte bërë 20 vjet përpara, sot ne do të kishim një shërbim shëndetësor krejtësisht ndryshe. E megjithatë, unë ju siguroj se ndryshimet që po ndodhin dhe ndryshimet që do ndodhin edhe gjatë këtij viti edhe në sistemin shëndetësor do të jenë të pakrahasueshme me asgjë që ka ndodhur në vitet e tjera. Ashtu sikundër ju siguroj se mbështetja jonë, mbështetja e qeverisë tonë, mbështetja ime për Dibrën do të jetë më e madhe se çka qënë në 25 vite të marra sëbashku.

Të flasësh për PD është njësoj si të flasësh për një kalë që nuk tërheq dot më asnjë karrocë. Ndjesë kalit, se kali është një kafshë shumë fisnike edhe kur nuk tërheq dot asnjë karrocë. Por sidoqoftë e kemi të pamundur të mos flasim për PD sepse në fund të fundit është opozita e këtij vendi dhe nëse ka një gjë që ky vend e ka vuajtur shumë në këto tre vite, më shumë se shumë gjëra tjera që ka vuajtur është mungesa e një opozite sfiduese. Mungesa e një opozite që thotë: Nuk bëhet kështu, por bëhet kështu. Mungesa e një opozite që nuk i ndan njerëzit në kriminelë dhe heronj. Kriminelë, kur nuk janë me të dhe heronj kur janë pjesë e saj. 

Mungesa e një opozite që arrin të bëjë hero edhe atë personazhin që përmendi këtu Qamili që unë as emrin s’kam dëshirë t’ia përmend, apo që vjen në Dibër për të filluar përmbysjen e madhe të qeverisë me një trupë cirku të mbushur me funksionarë të korruptuar të 8 viteve të rrënimit që solli qeverisja e Partisë Demokratike dhe me deputetë që vijnë vërdallë dhe që u bënë barsoleta nëpër fshatrat e Dibrës. Dhe me një çetë të veshur me të zeza dhe me fuoristrada. O Zot se ç’kërkonin këtu dhe si nuk  e kanë marrë vesh akoma që mjafton të kesh ardhur dy herë në Dibër dhe e merr vesh që kur s’je dibran, më mirë dëgjo se sa të flasësh. Dhe kur flet bëj kujdes se as nuk ke për ta marrë vesh deri në fund që po tallen me ty. Sado të varfër janë, sado në halle janë, mendjen e kanë top. E s’ka top që jua lëviz pavarësisht se s’ta thonë, të rrahin shpatullat të përcjellin deri te kufiri i fshatit dhe mblidhen pastaj për të treguar barsoleta. Ne bëmë një fushatë që ishte fushatë e një kandidati që mbështetej nga qeveria. Unë erdha në hapje, erdha dhe në mbyllje. Damiani ishte këtu çdo ditë bashkë me Blerinën, me Oltën, me Elisën. Ndërsa të tjerët përveç deputetëve dibranë, erdhën në fund dhe e dini pse erdhën? Vetëm që të qetësonin kolegët e PD që të mos bënin ndonjë budallallëk, se për gjë tjetër nuk erdhën. Të vish në Dibër me daulle dhe me karvanë, e me akrobatë dhe me pehlivanë, siç hyn, del, kastravec. 

Ata që nuk e njohin Dibrën dhe më dëgjojnë, me siguri mendojnë që unë po e ekzagjeroj. Por ju e dini mirë që unë po them më të paktën që mund të thuhet.

Ju siguroj të dashur miq, që ne nuk do të bëjmë ndonjë mrekulli as për Dibrën as për Shqipërinë, por do të bëjmë atë që nuk e ka bërë asnjë tjetër. Sepse si asnjë tjetër më parë, ne do ti përkushtohemi edhe më shumë Dibrës.

Dje kam kaluar, nuk e di se sa orë, me ambasadoren kineze, për rrugën e Arbrit. Duhet thënë e gjithë historia, se erdhi Luli këtu dhe ju tha, “ia lamë gati rrugën e Arbrit”. Shyqyr që nuk tha, “ia lamë gati, por e mbylli ky”. Se çfarë la gati Luli në punët e veta, ju e dini mirë. I la gati Greqisë 300 km katrorë det, i la gati partisë 200 e ca milionë euro nga rruga e Kombit (partisë, fjala që bie, që të jemi të qartë) dhe për fat të keq i la dhe Bulevardit 4 njolla të pashlyeshme gjaku. Punë tjetër të Lulit, unë vetë nuk di. Mbase më ka shpëtuar ndonjë, por jam i sigurtë se rrugën e Arbrit, nuk e la gati.

Ne gjetëm vetëm një marrëveshje në parim me një çmim katastrofik të pamundur dhe asgjë tjetër, as projekt, as kontratë, asgjë tjetër. Ju më keni parë në takime që kam zhvilluar me kryeministrin kinez, që në çdo takim kryefjala ka qënë rruga e Arbrit, për të bërë një kontratë serioze të besueshme dhe që shteti shqiptar mund ta përballojë, në kushtet kur shteti shqiptar e ka të ndaluar të marrë borxh, qysh se ne kemi ardhur në qeveri, sepse gjetëm një borxh që po na mbyste dhe u detyruam të lajmë 720 milion dollarë borxhe për punët e papaguara të Saliut.

Sikur të mos kishim ato 720 milion dollarë borxhe mund ta kishim bërë rrugën e Arbrit tre herë, por na i la borxh. Marrëveshja që bëmë me FMN, – që ishte një marrëveshje jo e imponuar nga fondi, por e imponuar nga arsyeja, – ishte që Shqipëria nuk mund të marri borxh. Atëherë rrugën e Arbrit, ne nuk mund të marrim borxhe, por do të bëjmë një kontratë partneriteti që shteti ta paguajë vit pas vit , në një  hark të caktuar vitesh, ndërkohë që rruga duhet bërë një orë e më parë. Për të mos e zgjatur, po ju them që kush ju thotë që rrugën e Arbrit nuk duam ta bëjmë apo nuk e bëjmë dot, thjesht bën të njëjtin gabim që bëri PD një muaj këtu. Ju merr juve për njerëz që s’mendoni me kokën tuaj. Unë ju them vetëm kaq që rrugën e Arbrit ne do ta ndërtojmë. Rruga e Arbrit do të ndërtohet përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Është e vërtetë që unë nuk kam ardhur në Dibër për një periudhë të gjatë pas zgjedhjeve të 2013-s . Dhe e dini pse nuk kam ardhur?  Skam ardhur sepse thoja do shkoj, por çfarë t’i them. E kam takuar ambasadoren kineze, më besoni më shumë se ç’kam takuar ambasadorin amerikan për reformën në drejtësi. Dje ia thashë, “nuk e mbaj dot më, nesër do t’i them dibranëve sa shumë kemi ndenjur bashkë. Problemi është se kur do të shkojmë bashkë të fillojmë punën për rrugën e Arbrit. O e fillojmë bashkë, o po nuk e filluam bashke, unë do të gjej mënyrën ta filloj edhe pa ju.”

Saliu nuk është mirë sot, se po të ishte mirë me siguri do të shkruante një status: Pasardhësi i Enverit, goditi prapë miqtë kinezë. Mund të flas edhe më gjatë se c’flas zakonisht dhe unë nuk flas shkurt asnjëherë. Ju e dini. E kam këtë të metë, por nuk është e drejtë që t’ju le pa drekë, sot, pas kësaj fitoreje. Kështu që më lejoni në fund t’i ve pikën, duke i shprehur respektin më të madh doktor Remit, që e bëri koalicionit tonë përballë PD të dukej, – të më falin tifozët e Korabit, – si Barcelona përballë Korabit. Edhe pse Korabi rrafi Shkodrën e Jozefinës. Një gjë i thashë kur u ndamë pas mitingut. Rem, – i thash – unë e ndjej që ti do fitosh, por nuk e di a je matur mirë se çfarë të pret mbrapa.

Edi çfarë më tha? Unë jam Rama i vogël, detyrë kam me fitu, punët e tjera i bën Rama i madh.

Shumë faleminderit!