Maturantët në protestë . Edi Rama: Reforma në universitete po funksionon

Albania's Prime Minister Edi Rama, in a televised address in the capital, Tirana, on Friday.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, maturantët zhvilluan sot një protestë para godinës së Kryeministrisë. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë më ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, i cili ka penalizuar këtë vit hyrjen në universitete për shkak të kritereve të reja.

Por ndërkohë që para Kryeministrisë zhvillohej protesta, brenda godinës, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me 150 maturantë më të mirë nga gjithë vendi.

Në fjalën e tij, Rama mori në mbrojtje reformën në arsim. Ai tha se sistemi i ri u jep mundësi më të mirëve që të shkojnë në universitete.

“Sistemi i ri u heq mundësinë e influencave politike, korruptive, familjare, etj. Deri në 20 shtator ju vendosini, deri në 16 tetor kryhen të gjitha procedurat e shqyrtimit dhe animimit në raundin e dytë. Reforma u jep më shumë autonomi universiteteve”,- tha Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se sistemi i ri jep garanci për një universitet më të mirë. “Kemi shembuj se sistemi i vjetër ngrihej mbi penalizmin e më të mirëve. Sistemi i vjetër nuk lejonte ndryshimin e degëve dhe preferencave”,- tha Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij, Rama u ka thënë maturantëve se, pozita në të cilën ndodhen aktualisht është dëshmia më e mirë se reforma në arsim po funksionon.

“Nga më të mirët, jo vetëm që askush nuk ka mbetur jashtë, por ka fituar në të paktën 4 degë. Kjo është e vërteta kuptimplotë e faktit që kjo reformë, shumë e vonuar, e domosdoshme, kurajoze dhe shumë e vështirë për shkak të një sistemi të ndërtuar së prapthi, funksionon më së miri”, ka deklaruar Rama.

Sipas kreut të qeverisë, janë dy arsyet përse kjo reformë është funksionale. “Së pari, sepse ka një transparencë të plotë; së dyti, sepse është e bazuar në konkurrencën që diktohet nga rezultatet dhe bën të pamundur interferencën e faktorëve të jashtëm, që kanë qenë gangrena e sistemit tonë universitar”, ka sqaruar Rama.

Duke iu drejtuar të rinjve, ai ka shprehur bindjen e tij se janë të mirinformuar për mundësitë që ofron sistemi i ri, ndryshe nga ai i pari që sipas tij u impononte zgjedhjen.

“Maturantët detyroheshin që 15 vjeç të bënin llogari sipas koefiçentëve dhe të bënin një zgjedhje duke përcaktuar në një moshë të brishtë të ardhmen e tyre. Pra, dega i imponohej nga halli që 15 vjeç”, ka thënë Rama.

“Sot, ju jeni të çliruar tërësisht sepse keni marrë frytin e parë të suksesit të ndërtuar me punë në 3 vjet. Në sistemin e kaluar nuk mund të ndryshoje as degën e as renditjen, ishe skllav i zgjedhjes së bërë që 15 vjeç”, ka vijuar Rama,  duke shtuar se një pikë tjetër pozitive e sistemit të ri ka është edhe mundësia e ankimimit.

Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur faktin se më 22 shtator universitetet do të shpallin vendet bosh dhe të rinjtë do të kenë mundësi të konkurrojnë për to.