E para femër shefe komisariati … Në Librazhd

Nëse dikur në rrugicat e qytetit ku ka kaluar fëmijërinë ka luajtur policash, këtë herë e ka seriozisht. Pistoletën nuk e ka lodër, prangat jo e jo. Anila Popa, drejton Komisariatin e Policisë së Librazhdit. Gruaja më zë të butë, vërteton teorinë që të jesh drejtuese femër në një Komisariat Policie nuk është e thënë të trashësh zërin, por me arsyetim dhe profesionalizëm mund t’ia dalësh të kuptohesh shumë mirë dhe të bësh punën siç të takon. E rritur me një baba ushtarak, dashuria për rregullin dhe disiplinën i është injektuar në gjak qysh në vegjëli. Dhe gjithë këtë “shkollë” të parë Anila vendosi të mos ta çonte dëm. Pas një diplome për Gjuhë dhe Letërsi vazhdoi Akademinë e Rendit dhe pas saj ndoqi një sërë specializimesh në këtë fushë. 19 vjet më parë ajo nis punën në polici kur ishin të pakta femra që zgjidhnin këtë profesion, sidomos për të shërbyer në terren. “Në punën time të përditshme unë përpiqem të jem e vëmendshme dhe të reflektoj mbi vendimet e mia, sidomos që kur zbulova se një gabimi një gruaje kritikohet dy herë më shumë se ai i një mashkulli”, rrëfen Popa e cila ka fituar respektin e komunitetit fillimisht skeptik dhe atë të kolegëve. Përtej uniformës Anila është një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e dy djemve. Ja pra, nga do që të shkojë Anila, sërish është e rrethua nga meshkuj. Është hera e parë në Shqipëri që një grua mban një pozicion të tillë, ndaj e ftuam Shefe Anilën në “Dita” për të ndarë me ne këtë eksperiencë interesante dhe plot me përgjegjësi.

-Anila, cila është vendlindja juaj?

Jam lindur në qytetin e Elbasanit dhe fëmijërinë (deri në moshën 12 vjeçare) e kam kaluar në qytetin e Librazhdit, pasi babai ishte ushtarak dhe ishte me shërbim në këtë qytet. Kam kaluar një fëmijëri të qetë dhe të bukur në qytetin e Librazhdit në një familje me tre vajza, ku unë jam më e madhja. Sot më rikthimin tim për të punuar në këtë qytet takoj shumë bashkëmoshatarë dhe të njohur të fëmijërisë sime, me të cilët i rikujtoj me nostalgji ato vite.

-Po me Vlorën, ç’lidhje keni ?

Kam një lidhje të rëndësishme, pasi në qytetin e Vlorës kam shkuar në moshën 12- vjeçare, edhe kjo për shkak të punës së babait. Kam jetuar 11 vjet në këtë qytet (deri në vitin 1995 dhe kam disa rrënjë të largëta labe), por nuk mund të lë pa veçuar faktin se kam studiuar në gjimnazin “Ali Demi” një gjimnaz shumë i mirë dhe elitar në ato vite.

-Jeni rritur me një baba ushtarak, besoj ka futur në familjen tuaj frymën e rregullit dhe disiplinës. Na tregoni pak më shumë për marrëdhënien me të?

Pyetje interesante, por mendoj se kjo ndodh shpesh në familjet me prindër ushtarakë, për vetë natyrën e profesionit. Unë u rrita dhe u edukova në një familje me baba ushtarak ku rregulli, normat dhe disiplina ishin parime absolute, gjë që ndikoi si në mbarëvajtjen në shkollim, por dhe në formimin e një karakteri të fortë, e aftë për të përballuar periudhën e vështirë të viteve të rinisë (apo thënë ndryshe adoleshencë në vitet e sotme) në shoqërinë shqiptare të post ‘90. Siç pranohet më së shumti vajzat janë të lidhura më ngushtë me babanë, dhe unë nuk bëj përjashtim nga ky rregull, pasi e njëjta gjë ka ndodhur dhe me mua. Ai është dhe do të ngelet idhulli dhe modeli im në jetë. Gjatë një specializimi në Francë mësova se trashëgimia e uniformës ishte një detyrë kombëtare, madje takova në strukturat e policisë shumë fëmijë të ish-ushtarakëve. Dhe në strukturat e policisë shqiptare ka shumë të tillë/tilla, unë jam një prej tyre.

-Por, Akademia e Policisë nuk ishte zgjedhja e parë për ju. Diploma juaj e parë është për Gjuhë dhe Letërsi, pse?

Sigurisht në jetë për rrethana të ndryshme, nuk realizohen shpesh dëshirat për të cilat ke ëndërruar. Janë rrethanat dhe mundësitë që ndonjëherë vendosin apo kushtëzojnë zgjedhjet e individëve. Dëshira ime ishte të studioja për drejtësi, por përfundova me rezultate shumë të mira studimet për Gjuhë dhe Letërsi, që më kanë shërbyer më së miri në profesionin e punonjësit të policisë. Eksperienca botërore ka treguar se arti i fjalës është i domosdoshëm në çdo profesion. Shpeshherë duket sikur ne të uniformës nuk e kemi të nevojshme, por ai është jo rrallëherë vendimtar, pasi ne kryejmë shumë detyra në publik.

-Kur dhe si e filluat Akademinë e Policisë?

Pavarësisht se mbarova Universitetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, në muajin shtator të vitit 1997, unë fillova punë në Komisariatin e Policisë Elbasan. Që në muajt e parë të punës, krijimi i marrëdhënieve shumë të mira me kolegët, puna e përditshme me ta në kohë shumë të vështira për policinë, rendin dhe sigurinë, rizgjuan ëndrrën e dikurshme të studimeve për drejtësi. Kjo ëndërr u bë reale, u plotësua me kryerjen e studimeve në Akademinë e Rendit Publik (kështu quhej atëherë), pasi studimet si për juridik dhe në Akademinë e Policisë janë në një fushë veprimi.

-Na thatë pak më lart që keni kryer një pjesë të studimeve në Francë…

Koha erdhi që edhe punonjësit e policisë të kishin mundësinë e kryerjes së studimeve të thelluara akademike jashtë shtetit. Konkretisht Ambasada Franceze, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe sipas një akt marrëveshje midis dy Ministrive të Brendshme (Franceze dhe Shqiptare) ofronte mundësinë e shkollimit në Shkollën e Lartë Kombëtare e Policisë (ENSP) në Lion të Francës, një shkollë e njohur për nivelin e lartë akademik europian. Ndjekja e studimeve pranë kësaj shkolle do të më ofronte një tjetër vizion dhe horizont, shkëmbim eksperience dhe padyshim do të ndihmonte në rritjen e formimit tim profesional. Kryerja e këtij shkollimi bëhej mbi bazën e një konkurrimi të fortë gjuhësor (në gjuhën frënge) dhe profesional. Iu nënshtrova këtij konkurrimi dhe u përzgjodha për kryerjen e këtyre studimeve në vitin 2008.

Në kuadrin e formimit profesional, nuk mund të lë pa përmendur ndjekjen dhe përfundimin në vitin 2015 të programit “Integrimi i punonjëseve femra të policisë në role drejtuese operacionale”, të ndërmarrë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me misionin ICITAP, që më ndihmoi në konsolidimin e kapaciteteve operacionale dhe fitimin e aftësive të mira drejtuese, tepër të domosdoshme për detyrën që kryej aktualisht.

-Sa ju kanë shërbyer studimet a jashtë vendit, për të njohur strukturat policore atje por edhe për të bërë një krahasim apo përmirësim duke “vjedhur” nga idetë e tyre?

Franca është e njohur për nivelin e lartë akademik të studimeve universitare dhe atyre të thelluara akademike. Unë pata fatin të kryej studimet së bashku me 59 kolegë francezë dhe 16 oficerë policie, përfaqësues të shteteve të ndryshme frankofolëse.

Kryerja e studimeve në Shkollën e Lartë Kombëtare të Policisë (ENSP), njëkohësisht ndjekja dhe përfundimi i Master 2 – Shkenca Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare, Specialiteti ‘Siguria e Brendshme’ në Universitetin “Jean Moulin Lyon III, zgjeroi dhe plotësoi formimin tim profesional. Studimet mundësuan fitimin e eksperiencave menaxhuese dhe drejtuese, më konkretisht ndihmuan në thellimin dhe përvetësimin e njohurive të metodave moderne europiane të policimit, kryesisht të policimit në komunitet; zgjeruan vizionin tim për vendin dhe rolin që luajnë të gjithë aktorët e shoqërisë, ku bën pjesë dhe organizata e Policisë së Shtetit, në krijimin, ruajtjen dhe forcimin e besimit reciprok Polici-Komunitet, në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Zgjidhja e detyrave në grupe shtetesh dhe shkëmbimi i praktikave policore të shteteve që përfaqësonim ishte një eksperience e bukur dhe e dobishme, të cilën e ndaj në punën e çdo dite me kolegët e mi.

Në lidhje me ndryshimet që ka policia në Francë me atë në Shqipëri, mendoj se nuk mund të bëhen krahasime të tilla, por ajo që dua të them është se ne dëshirojmë dhe kërkojmë që të shkojmë në këto nivele europiane të policimit.

-Përpara se të merrnit detyrën si Shefe Komisariati në Librazhd, në cilat pozicione keni punuar?

Kam filluar punë në strukturat e policisë në vitin 1997 dhe në këto 19 vite pune kam kryer detyra të ndryshme si në nivelin bazë dhe atë të nivelit të parë drejtues, kronologjikisht: trupë-shërbimi, teknike -laborante, protokolliste-arshiviste, operatore në sallën operative, Specialiste e Marrëdhënieve me Publikun, Komandante Grupi dhe Përgjegjëse Informacioni, Shefe e Seksionit të Analizës dhe Informacionit Kriminal, Specialiste e Cilësisë së Informacionit dhe Administratore e Sistemit MEMEX në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

-Si ndiheni në drejtimin e komisariatit të Librazhdit?

Nuk mund të them se ishte një fillim i lehtë, e fillova me pak ndrojtje, por kuptova që kisha eksperiencën dhe formimin e duhur për të realizuar objektivat e mia dhe kryer detyrën e caktuar. Njohja e situatës operative të rrethit të Librazhdit, dinamikës së ngjarjeve dhe problematikës, njohja e personelit dhe kapaciteteve logjistike të komisariatit të policisë ishin thelbësore në muajin e parë të punës. Mbi bazën e kësaj analize në bashkëpunim me shefat e seksioneve kemi ndërtuar punën për të realizuar objektivat dhe programin vjetor të Komisariatit të Policisë Librazhd në përputhje me strategjinë vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Sigurisht që kam hasur vështirësi, ka dhe do të ketë probleme, por sot mund të them se jam optimiste. Jam e ndërgjegjshme për të gjetur rrugët e duhura, për të bërë më të mirën në shërbim dhe funksion të misionit që kam ndërmarrë.

-A është një qytet problematik Librazhdi?

Çdo qytet dhe komunitet që jeton në të ka të mirat dhe problemet e veta. Të zotë janë ata drejtues policie që dinë t’i ndajnë mirë këto dy gjëra, për t’i shërbyer më së miri komunitetin ku ata kryejnë detyrën. Forcimi i besimit reciprok Polici – Komunitet, është një hallkë kyçe në funksion të kryerjes dhe përmbushjes së detyrave dhe misionit të Policisë së Shtetit, për garantimin e një mjedisi të sigurt për komunitetin nëpërmjet policimit me standardet më të larta të performancës. Unë dëshiroj që me punën time dhe të efektivave të Komisariatit të Policisë të fitojmë besimin dhe vlerësimin e qytetarëve të Librazhdit. Ky është dhe obligimi që unë kam marrë mbi supe për qytetin e fëmijërisë sime.

-Cilat janë problemet më të shpeshta në këtë qytet?

Problemet janë thuajse të njëjta si në çdo qytet të vendit tonë, pa kriminalitet të theksuar, konsiderohet nga banorët si qytet i qetë. Ajo që kërkohet nga policia është që ajo të jetë sa më pranë qytetarëve në ndihmë dhe në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

-Zonja Anila, ndonjëherë, këtë profesion, e vështirësojnë më shumë, ndërhyrjet, kërcënimet, se e tillë është bota e krimit më të cilën ju luftoni… si ja keni dalë deri më tani?

Gjatë kohës që jam në detyrën e shefes së komisariatit nuk jam ndjerë e kërcënuar, kjo falë qytetarisë së banorëve të Librazhdit, me të cilët jam përpjekur të krijoj marrëdhënie besimi. Parësore ka qenë dhe krijimi i marrëdhënieve të partneritetit me institucionet e pushtetit lokal, institucionet arsimore, policitë e tjera (bashkiake, tatimore, ndërtimore, pyjore, elektrike, shpsf-të), organizatat joqeveritare, mediat e shkruara dhe vizive, në funksion të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore në komunitet. Gjatë përmbushjes së detyrës kam patur inkurajimin dhe mbështetjen e plotë të eprorëve të mi. Ky vlerësim në sistem hierarkik ka lehtësuar punën time.

 -Gjatë këtyre viteve, përveç punës, ju keni ndërtuar edhe familjen tuaj, apo jo… bashkëshorti juaj ka të njëjtin profesion me ju?

Unë i kam dhënë vendin dhe rolin e duhur punës dhe familjes, duke mos abuzuar as te njëra dhe as tjetra, pasi ato shkojnë paralelisht, në të kundërt prishja e kësaj balance ç’ekuilibron sjelljen në familje dhe në punë. Bashkëshorti im nuk është oficer policie, vetëm profesionin e parë kemi të përbashkët atë të mësuesit, pasi kemi kryer të njëjtat studime, kemi qenë shokë fakulteti. Por as ai nuk është mësues, punon dhe menaxhon një biznes të vogël familjar.

-E ka pranuar lehtë pozicionin tuaj dhe çfarë këshille të ka dhënë në fillim?

Fillimi është gjithmonë i vështirë, në interes të punës të ndodh që të prishesh jo rrallëherë ekuilibrin punë- familje, por është bashkëshorti im ai që kontribuon gjithmonë në rivendosjen e balancave dhe më mbështet në çdo situatë të vështirë.

-Zonja Anila, a është ky një profesion që kërkon kompromise?

Jo, nuk është profesion që kërkon kompromise. Në gjykimin tim, për të përmbushur me sukses detyrën duhet ta bësh atë me pasion dhe ndershmëri. Ndërthurja e profesionalizimit me përkushtimin, ndershmërinë dhe integritetin moral, janë komponentë të rëndësishëm dhe elementë kyç për arritjen e suksesit.

-Shumë vajza kërkojnë të bëhen police. Në fillim e mendojnë se veshja e uniformës, ngjason me ato rolet e filmave që shohim, por nuk është kështu apo jo. Nëse do i jepnit një këshillë atyre vajzave të reja që duan të ndjekin këtë rrugë, cila do të ishte ajo?

Puna në polici e për më tepër në role drejtuese operacionale është e vështirë, sfiduese, nuk ka afat kohor. Të duhet vazhdimisht të menaxhosh ngjarje dhe situata të papritura, thënë ndryshe është e vështirë të zbatosh në praktikë “një orar kohe pune” apo të shmangësh punë apo takime të ndryshme jashtë orareve 08:00 – 16:00. Për mua bota me uniformë është gllabëruese, unë ndjehem mirë me uniformën dhe profesionin tim.

-Cili është aksioni më i rëndësishëm ku ke marrë pjesë dhe pse ka qenë delikat?

Të qenit në pozicionin e shefit të komisariatit të kërkon të disponueshëm në 24 orët e ditë-natës. Nuk i dihet apo nuk mund të parashikosh se ne ç’orë të bie zilja e telefonit. Ndodh që sapo je kthyer në shtëpi të duhet të rikthehesh në punë. Detyra të rëndësishme apo delikate ke në çdo kohë për të kryer.

-Je ndjerë e paragjykuar ose më saktë e nënvlerësuar. Pasi ne e kemi zakon që themi: “hajt mo, se femër është ajo, nuk e bën dot punën e burrit”?

Po të mendoja kështu nuk do të vazhdoja të punoja ende në polici, por do t’i isha rikthyer profesionit të mësuesit.

-Ju edhe në familje jeni e rrethuar nga djem. Ju mungon një vajzë?

Kjo ndoshta tregon se jam e prerë për misionin e policisë (qesh). Çdo nënë e dëshiron një vajzë, apo siç thonë, një shoqe, por Zoti na ka bekuar me dy djem Nikolinin dhe Noelin, ndaj mjaftohem me dashurinë që marr dhe jap për ta.

-Jeni një amvisë e mirë, gatuani?

Po, sigurisht tre burrat e familjes më imponojnë të jem një amvisë e mirë dhe nuk ankohen nga gatimet e mia.