“Klithmat e tri motrave, s’kam për t’i harruar gjithë jetën”

Rrësheni, u trondit ditën e sotme nga vrasja e ish-drejtorit të OSHEE-së, Saimir Jaku.

Ngjarja ndodhi në një nga lokalet më të njohura dhe më të mëdha të qytetit. Dy persona të armatosur hynë në lokal dhe qëlluan me armë zjarri në kokë 33-vjeçarin Saimir Jaku dhe kanë lënë të plagosur shokun e tij, i cili është i shtruar në Spitalin e Traumës.

Për Jetaoshqef ka shkruar një nga dëshmitaret e kësaj vrasjeje makabër, e cila e njeh personalisht të ndjerin Saimir Jaku. Në një intervistë me Jetaoshqef, ajo tregoi rreth minutave të para pas vrasjes së Saimirit dhe si arritën të depërtonin dhe të iknin dy personat me maska, ndërkohë që lokali ishte i tejmbushur me njerëz, ku ndër ta zyrtarë policie.

Ju jeni banore në qytetin e Rrëshenit, a ishit e pranishme në vendngjarje në momentin që u vra Saimir Jaku?

Po unë banoj në Rrëshen dhe kam punën ngjitur me lokalin. Sapo dëgjova krismat dola menjëherë nga dyqani dhe aty u mblodhën shumë njerëz. Jemi vërtet të shokuar nga ajo që ndodhi sot në Rrëshen. Një vrasje në qendër të qytetit, në lokalin më të frekuentuar. Lokali ishte i tejmbushur, aty kishte edhe zyrtarë dhe oficerë policie. Komisariati i Policisë ishte vetëm 20 hapa larg dhe askush nuk bëri asgjë. Të maskuarit mbaruan punën që kishin nisur dhe u larguan sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Më pas çfarë ndodhi?

Erdhi policia, 30 minuta ka qëndruar viktima i shtrirë dhe i gjakosur. E mbuluan krejtësisht, sepse autorët e qëlluan në kokë. Ndërsa autorët u larguan me një makinë të zezë që po i priste para lokalit. I plagosur ka ngelur edhe një shok i Saimirit, po pinin kafen bashkë.

Ju e njihnit personalisht Saimirin?

Rrësheni është një qytet i vogël dhe njihemi pothuajse të gjithë personalisht. Viktima ka qenë njeri fantastik, kishte një shoqëri shumë të zgjeruar dhe prej vitesh ka qenë emigrant. Ai ishte i fejuar me një vajzë nga Rubiku. Kishte një histori shumë të bukur familjare, sepse ai ka 9 motra më të mëdha. Pas 9 motrash kanë lindur Saimiri dhe vëllai i tij (binjakë). Aktualisht vëllain e ka emigrant. Sapo morën vesh kanë ardhur menjëherë tre motrat, klithmat e atyre motrave nuk kam për t’i harruar kurrë.

Ka pasur ndonjë konflikt Saimiri me parë?

Mesa di unë ka pasur dy raste dhune me mjete të forta, por që janë zgjidhur. Për personat e dhunës mos më pyet se nuk i di.

Viktima Saimir Jaku ka qenë me detyrë ish-drejtor i Tensionit të Lartë në veri.