Duka: PAA do të ketë grupin e vet parlamentar, dera e hapur për këdo

Deputeti i PR, Agron Duka, duke hyre ne nje seance parlamentare, ku jane diskutuar amendimet ne ligjin e "dekriminalizimit", te propozuara nga deputetet e opozites. /r/n/r/nLawmaker Agron Duka, during a parliamentary session.

Flet për “Koha Jonë”, kreu i PAA-së, Agron Duka

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partitë politike prej disa kohësh kanë nisur riorganizimet që paraprijnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato në 2017-ën. Lëvizje të figurave politikbërëse, janë parë në selinë e Partisë Agrare Ambientaliste. Figura që kanë kontribuar në Partinë Socialiste, por jo më pjesë e saj, i janë bashkuar PAA-së. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka shpalosur programin e partisë dhe të bashkëpunimeve me këta figura. “PAA-ja është hapur për gjithë ata që duan të japin një kontribut sa cilësor aq gjithëpërfshirës për vendin. Të majtë apo të djathtë të pakënaqur, mbase duhet të shtoni edhe Genc Jukën, Arben Tafajn, Uran Metkon, Kujtim Iljazin dhe emra të tjerë të djathtë, duke shuar dallimet të majtë e të djathtë dhe duke bërë bashkë persona publikë, politikë, intelektualë te botës akademike, qytetarë, të cilët duan një alternativë, një subjekt, ku fjala e mbajtur është gjëja më rëndësishme.

Beteja” e Vetting-ut, lidhet me zbatimin konkret të Reformës në Drejtësi. Edhe pse opozita nuk e votoi në seancën e jashtëzakonshme, mendoni se ky ligj do të garantojë pastrimin e drejtësisë?

Opozita e ka votuar Reformën në Drejtësi dhe brenda saj ka rënë dakord edhe për formulën e Vetting-ut, ju e dini mjaft mirë që ajo ka marrë 140 vota në Kuvend. Projektligjet që do të plotësojnë kuadrin e kësaj pakete duhet të mbanin të njëjtën frymë konsensuale. Njëherësh ajo duhet të ketë referencë edhe Kushtetutën e Shqipërisë. Unë mendoj se ndryshime të tilla të mëdha, sepse tashmë ne kemi prekur me këto ndryshime rreth 25 për qind të këtij dokumenti themeltar të shtetit, nuk duhet të bëhen të nxituara në mënyrë që mos të bëjmë diçka sot dhe ta arnojmë atë nesër. Nxitimi nuk ka pjellë asgjë të mirë as në historinë e këtij vendi dhe aq më pak në politikën shqiptare, ku për të arritur marrëveshje është shumë e vështirë. Po kam besim se drejtësia do të pastrohet, ndonëse duhet bërë kujdes mos bëjmë pastrim selektiv, të ndikuar nga  etja e pushtetit që reflekton maxhoranca e sotme, në jo pak raste.

Me ndryshimet e reja kushtetuese, po rrezikohen të pushohen çështjet si dosjet e përgjimeve dhe dosjet e zyrtarëve të inkriminuar. A duhet që politika t’i japë zgjidhje ngërçit të krijuar?

Nëse ka dosje të tilla, atëherë ata janë të regjistruara dhe institucionet kanë një inventar ligjor që duhet të jetë i paprekshëm nga askush përveç ligjit. Nëse një çështje e caktuar penale, pavarësisht se kush akuzohet apo është i pandehur, pushohet pa të drejtë, me shkelje nga ligjzbatuesit, atëherë ajo mund të rifillojë, të rihapet. Gjykata duhet të jetë ajo që merr vendime. Politika duhet të bëjë pjesën e saj, të formatojë kuadrin ligjor, të mundësojë nëpërmjet reformës largimin e të korruptuarve nga sistemi. Kaq është kontributi i politikës, më tej është ndërhyrje, më tutje institucionet hetojnë krimin, korrupsionin dhe ndëshkojnë ligjërisht këdo që rezulton i implikuar. Ndarja e pushteteve është peshorja e pazëvendësueshme e demokracisë.

Si pjesë e opozitës, pse Vetingu nuk po shkon në Kushtetuese?

Nëse tejkalohen kompetenca dhe për të marrë dekorata dikush vrapon të ngrejë kartonë pa parë se çfarë ka votuar, se a ka shkelje kushtetuese, atëherë nuk është tragjike të kemi edhe mendimin e interpretuesve të Kushtetutës për këto ligje që ndryshojnë pikërisht atë. Kjo nuk merr kohë, por fiton besueshmëri më tepër dhe garancia për qytetarët është domosdoshmëri.

Partia Agrare, po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, me një projekt serioz dhe ambicioz për fuqizimin e kësaj force. Synon PAA-ja të ketë një grup parlamentar dhe çfarë platforme ka për qytetarët dhe si e shihni PAA-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Partia Agrare ka nisur prej muajsh ristrukturimin e saj, janë bërë takime të shumta në të gjithë Shqipërinë. Ka një interes të veçantë të shtuar ndaj partisë që unë drejtoj tashmë. Ne kemi si kryefjalë të punës sonë zhvillimin e qëndrueshëm rural, zgjidhjen e problemeve të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit e mjedisit. Në një vend si i yni, ku bujqësia vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në prodhimin e përgjithshëm bruto e ku gjysma e popullsisë jeton në fshat, interesi për një parti që të përfaqësojë realisht interesat e banorëve të këtyre zonave vjen gjithnjë në rritje. Një vend të rëndësishëm në programin e PAA merr agro-turizmi  dhe zhvillimi i agro-biznesit. Partitë e mëdha kujtohen për banorët e zonave rurale vetëm në periudha fushatash elektorale, ku ndër vite problemet e fshatit nuk po gjejnë zgjidhje, ne synojmë të jemi zëri i tyre në Parlament në vazhdimësi gjatë gjithë mandatit të ardhshëm. Vërej me kënaqësi që njerëzit janë të prirur të na besojnë e për këtë shkak  jemi rritur në pak kohë. Kemi një program që po e plotësojmë gjithnjë e më shumë, takimet dhe bisedat e shumta me qytetarët do të na shërbejnë që të formatojmë programin tonë elektoral ku të gjejnë zgjidhje shqetësimet e problemet e paraqitura. Unë kam bindje dhe besim që PAA do të ketë grupin e vet parlamentar dhe kjo jo sepse dua unë, por sepse aktualiteti politik shqiptar nuk plotëson pritshmëritë e popullatës në përgjithësi e sidomos të atyre të zonave rurale.

Cilat janë rezultatet që prisni nga Kongresi i partisë?

Kongresi është kuvendi ynë i përbashkët, ku ndajmë detyra e përgjegjësi, organizojmë partinë për të nisur fushatën zgjedhore, për të përsosur përditë e më shumë burimet njerëzore. Partia Agrare Ambientaliste kur kanë mbetur afro nëntë muaj deri në garën e ardhshme, e sheh veten si një faktor politik që do të ketë ndikim elektoral në shumë qarqe të vendit dhe do të marrë disa deputetë.

Së fundi pjesë e partisë janë bërë figura të rëndësishme që kanë dhënë kontribut në PS, këtu fjalën e kemi për z.Bello, z.Bizhga si dhe z.Gjika. A do të ketë ftesë nga PAA, edhe për ish-socialistë të pakënaqur?

Unë ju përmenda më sipër se PAA-ja është hapur për gjithë ata që duan të japin një kontribut sa cilësor aq gjithpërfshirës për vendin. Ju përmendët Bellon, Gjikën, Bizhgën dhe më pyesni për të majtë apo të djathtë të pakënaqur, mbase duhet të shtoni edhe Genc Jukën, Arben Tafajn, Uran Metkon, Kujtim Iljazin dhe emra të tjerë të djathtë, duke shuar dallimet të majtë e të djathtë dhe duke bërë bashkë persona publikë, politikë, intelektualë te botës akademike, qytetarë, të cilët duan një alternativë, një subjekt ku fjala e mbajtur është gjëja më rëndësishme. Të gjithë bashkëpunëtorët që përmenda më lart janë njerëz të respektuar e me integritet, të cilët me eksperiencën e tyre, jam i sigurt që do të kontribuojnë në rritjen e PAA-ja, më lejoni të ndalem pak tek ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Unë kam shumë  respekt për zotin Gjika, kam pasur kontakte të vazhdueshme me të, edhe për shkak të miqësisë së hershme z. Gjika më ka shprehur simpatinë dhe përkrahjen për ringritjen e PAA-ja, por ai akoma nuk është i angazhuar plotësisht në strukturat tona, nuk hezitoj të them që jemi drejt finalizimit të një bashkëpunimi të frytshëm politik e të qëndrueshëm në kohë.

 z.Duka ju keni mbani marrëdhënie njerëzore dhe politike me mjaft politikanë të Partisë Socialiste. Kalimi i disa deputetëve të PS-së drejt PAA-së mund të jetë një vendim i natyrshëm politik?

Mendoj që një vendim i tillë mund të jetë fare i natyrshëm, besoj ky vendim mund të merret  nëse PAA-ja ngjall besim që mund të bëjë diçka pozitive për këtë vend dhe për asnjë arsye tjetër, sepse PAA-ja faktikisht ndodhet në opozitë dhe nuk lakmohet nga gjahtarët e privilegjeve të pushtetit. Shikoni partitë e mëdha, në programet e tyre janë përzier elementë të boshteve politike, sa shpesh herë ato që janë nocione të së djathtës merren nga e majta dhe anasjelltas. Ne kemi një program ku mund ta gjejnë veten gjithnjë e më tepër politikbërës. Ky është një fillim që do ta rrisë përmasën dhe besueshmërinë muaj pas muaji derisa ne do të sjellim një kontratë të re me qytetarët, që ndryshon nga ajo që po ndodh sot. Ne premtojmë atë që mund të bëjmë.

Nëse qeveria teknike siç kërkon PD-ja nuk realizohen, ju si PAA do të hyni në zgjedhjet e 2017 apo do t’i qëndroni besnik vendimit opozitar?

Opozita ka mision dhe detyrë të rrëzojë qeverinë kur ajo përkeqësohet përditë e më tepër. Garancia e kësaj qeverie për zgjedhjet e 2017, nuk përçon besim dhe lë shteg hapur për mundësi manipulimi. Shikoni në Dibër, ku forma të shumta të trysnisë, presionit ndaj votuesve, janë shenja të qarta të përpjekjes për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve. Ne do të hyjmë në zgjedhje nëse garantohen zgjedhje të lira e të ndershme.

Do kemi ndonjë surprizë me një koalicion parazgjedhor PD-LSI?

Surprizë sipas meje është kur ndodh diçka që nuk ka ndodhur më parë, nuk jam unë që vendos për koalicione të këtyre dimensioneve, unë dhe forumet e PAA-së vendosim për koalicionet e kësaj partie.

E fundit, por jo nga rëndësia, lufta kundër krimit të organizuar, përveç deklaratave politike dhe të ambasadorëve, e meritojnë shqiptarët të shohin rezultate? Kush e pengon hetimin ndaj të inkriminuarve që janë në poste publike, por edhe më tej?

Sigurisht meritojnë shqiptarët një vend më të mirë, ndëshkueshmëri të ligjshkelësve të çdo rangu, posti, partie apo pushteti. Ne po bëjmë një drejtësi të re, e cila nuk vepron brenda natës. Unë kam shumë besim se do të ketë përmirësime të ndjeshme dhe politika nuk do të jetë skedinë kriminale, por një mision për t’u shërbyer qytetarëve.