Ambasadori Lu tregon dhëmbët krimit dhe korrupsionit: Do ju arrestojmë !

Sot u mbajt konferenca mbi luftën kundër krimit të organizuar. Aty foli edhe ambasadori amerikan Donald Lu. I prerë si përherë, optimist se do të fitojë drejtësia mbi korrupsionin dhe mafien, ambasadori tha prerë se  krimi të mos i ofrohet politikës dhe se politika do ndëshkohet nga organet e reja të drejtësisë.

Duke folur në konferencën për krimin e organizuar dhe korrupsionin, Lu tërhoqi vëmendjen se Shqipëria duhet të merret më seriozisht me këtë çështje.

Lu u shpreh besimplotë se Byroja Kombëtare e Hetimit do ti japë një përgjigje të merituar të inkriminuarve.

“FBI do të trajnojë të gjithë ata që do të hetojnë krimin e organizuar e korrupsionin”.

Donald Lu ka përmendur sërish rastin e Emiljano Shullazit të arrëstuar kohët e fundit. Ambasadori amerikan nuk ka lënë pa prekur edhe penetrimin e krimit në politikë.

Sipas tij “shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës” nga kjo çështje.

 Donald Lu: Niveli i korrupsionit në Shqipëri është i lartë. Situata në Shqipëri serioze, të luftohet krimi e korrupsioni. Byroja Kombëtare e Hetimit me rëndësi. SHBA do të japë asistencë. Me tej ai tha se : “Kriminelët në politikë, shqiptarët e kanë në majë të hundës. Burg të inkriminuarve që tentojnë të hyjnë në politikë. Besoj se reforma në drejtësi do të ndëshkojë të inkriminuarit”-vazhdoi Lu- “Shqipëria ka nivelin më të ulët të arrestimit për rastet kriminale dhe problemi është mosndëshkueshmëria. Bosët e krimit lëvizin të lirshëm për shkak të lidhjeve të tyre me njerëz me ndikim. Edhe në SHBA ka probleme të tilla. Al Kapone për shembull drejtonte një grup kriminal në vitet 20, por në fund u arrestua. Kishte një pasuri prej 100 milionë dollarësh ndërtuar nga prostitucioni etj, dhe e bëri këtë duke drejtuar njerëz strategjikë në drejtësi, gjyqësor… Situata në Shqipëri është serioze, por unë besoj se reforma do rregullojë problemin e mosndëshkueshmërisë dhe lidhjet e krimit me politikën. Shqiptarët janë të lodhur me këtë situatë, largimi nga parlamenti i këtyre kriminelëve do ketë ndikim të madh për të ndëshkuar bosët e krimit në Shqipëri. Ky është edhe një paralajmërim për bosët e tjerë”- tha më tej ambasadori amerikan.

Ambasadori amerikan theksoi se Byroja Kombetare e Hetimit do të jetë efiçente dhe nuk do të ndalojë në ndëshkimin e çdo zyrtari të lartë apo politikani. Prezenca e Lu në konferencën kundër krimit të organizuar shtoi optimizmin në organet e reja të drejtësisë në luftën kundër këtij fenomeni që ka pushtuar Shqipërinë prej shumë vitesh.

Duket se do kemi dimër të akullt dhe arrestime të mëdha në politikë, e cila ka përfituar nga mafia dhe bashkëpunimi me krimin. Donald Lu nuk tërhiqet dhe do ta zbatojë pastrimin e politikës.

Fjala e plotë e Ambasadorit, Donald Lu, në Seminarin e Qendrës Marshall: Krimi i Organizuar Transnacional: 

Ambasadore Schütz, Ambasador Griffiths, Profesor Vann, Profesoreshë Zeneli, zonja dhe zotërinj,

Kur shërbeja në Kirgistan një dekadë më parë, një bos i krimit të organizuar ishte aq i guximshëm saqë ngriti një tendë përballë portës së Parlamentit dhe kërcënonte deputetët se do t’i dhunonte nëse nuk përmbushnin kërkesat e tij.

Dy dekada më parë në Gjeorgji, grupi kriminal Mkhedrioni ishte aq i fuqishëm saqë Presidenti Shevernaze vendosi që nuk mund t’i luftonte dot më dhe i shndërroi në Gardën Kombëtare të Gjeorgjisë, ku kryen vrasje jashtëgjyqësore dhe vazhduan me aktivitetet e tyre kriminale me autoritetin ligjor për të mbajtur armë, arrestuar qytetarë e mbajtur uniformë.

Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të organizuar rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull shumë i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por që u arrestua vetëm kohët e fundit.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të procedimit penal të krimeve të rënda në Evropë. Problemi është pandëshkueshmëria. Krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë edhe për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim.

Ne në Shtetet e Bashkuara u përballëm me probleme të ngjashme. Gangsteri më i famshëm amerikan, Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve 1920-të dhe 1930-të. Kur më në fund u arrestua, pasuria e tij krijuar përmes prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës u vlerësua në 100 milionë dollarë. I bëri të gjitha këto duke pasur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale persona strategjikë në polici, gjykata dhe qeverisjen vendore.

Situata në Shqipëri është serioze, por besoj që reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën.

Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri.

Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë — “Të bëhesh pjesë e politikës i bën keq biznesit. Do zbulojë aktivitetet tuaja kriminale dhe do përfundoni në burg”.

Reforma në drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar. Është gjithashtu e rëndësishme sepse do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore, të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH. Të dyja këto do të vënë në shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Në muajin prill, Kryeministri Rama vizitoi selinë e FBI-së dhe u takua me Drejtorin e FBI-së Comey për ta përforcuar këtë angazhim.

Ky do të jetë një grup hetuesish seriozë dhe të aftë. Atyre do t’u bëhet në mënyrë sistematike testi i poligrafit. Do të marrin trajnimin më të mirë dhe pajisjet më të fundit. Nga Uashingtoni do të caktohet një agjent i FBI-së për t’u siguruar që të jenë efikasë në punën e tyre dhe që i hetojnë çështjet pa anshmëri politike.

Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të suksesshme problemin e saj të krimit të organizuar. Kjo është në interesin edhe të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, është në interesin e populllit shqiptar. Jemi të përkushtuar ta mbështesim vendin në luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe e dimë se Shqipëria do të jetë e suksesshme me ndihmën e partnerëve të saj.