Çfarë mesazhi i çoi Rama – Metës?

Burime në PS thonë se gjatë takimit të fundit në Durrës, Rama i ka dhënë një ultimatum Metës që ky të deklarohet për koalicionin që tani. Nuk dihet se sa e vërtetë është kjo, por me gjasë, Meta do detyrohet të mbajë një qëndrim shpejt. Në fakt, kjo do të ishte edhe zgjidhja më e mirë….

Nga Blendi Fevziu

Edi Rama ka thyer heshtjen e pushimeve duke komunikuar në Facebook me ndjekësit e tij. Përtej një forme të re komunikimi që po aplikohet në dy vitet e fundit duket se ai ka qenë më shumë i shqetësuar për një problem të vetëm. Për një pyetje e cila është kthyer në gjëagjëzën më të rëndësishme të së majtës shqiptare dhe të mazhorancës në përgjithësi. A do të vijojë më tej koalicioni me LSI dhe a do të jenë sërish dy forcat kryesore të së majtës së bashku në zgjedhjet e 2017?

Që prej korrikut të vitit të kaluar, koalicioni PS – LSI ka qenë funksional vetëm në faktin se ministrat e tij janë ulur në të njëjtën tavolinë qeveritare, por cdo raport tjetër ka qenë i deformuar. Të gjithë e dinë që Rama ka shpenzuar më shumë kohë për të përgjuar humorin politik të Metës se sa për të qeverisur vendin. Po ashtu të gjithë e dinë, që Meta më shumë ka harxhuar energji për të goditur aleatin e tij, që edhe vetë beson se e ka shkelur marrëveshjen midis të dyve dhe i është qasur atij kërcënues edhe në nivelin ligjor. Më shumë se sa me reformat dhe miradministrimin e vendit të dyja palët janë marrë me sigurimin e komardares së shpëtimit prej 71 votash; kanë shitur dhe kanë blerë deputetë; kanë joshur dhe kanë shantazhuar prej tyre, duke tentuar cdo moment që të kenë në xhep numrin 71 për të siguruar apo kërcënuar qeverinë. Të dyja palët kanë këmbyer kërcënime në distancë dhe vendi ka rënë në një nivël shumë më të ulët vitin e fundit se sa ishte në vitin përpara këtij. Tani janë të dy sërish, përballë njëri – tjetrit në një vendim që ngjan i vështirë. Që Rama dhe Meta qeverisin vetëm për hir të pushtetit këtë tashmë e kanë vërtetuar të gjithë. Ideja e reformave që do cojnë vendin përpara është tashmë një përrallë e harruar. Por a do vijojnë të qeverisin të dy? A do dalin bashkë sërish në zgjedhje mbi bazën e një marrëveshjeje të re, apo secili më vetë. Akoma më shumë a ka shanse që Meta të bashkohet me PD (edhe pse ky vendim ngjan shumë i vështirë). Rama ka folur sot i pari. I pyetur për koalicionin me Lsi ai është shprehur:

“Njerëzit e kërkojnë dhe e meritojnë një përgjigje. Së shpejti do ulemi në tryezën e koalicionit dhe do diskutojmë projektin e katër vjeçarit të ardhshëm. Do vendosim si do paraqitemi para shqiptarëve për mandatin tjetër. Sot koalicioni ka edhe një komponent të ri, që është PDIU.”.

Rama ka qenë mjaft i qartë kur ka lënë të kuptohet se koalicioni nuk do të vendoset muajët e fundit, sic ndodhi më 2013 mes LSI dhe PD, por ky qëndrim duhet definuar tani. Pikërisht këtë mesazh ka cuar sot. Burime në PS thonë se gjatë takimit të fundit në Durrës, Rama i ka dhënë një ultimatum Metës që ky të deklarohet për koalicionin që tani. Nuk dihet se sa e vërtetë është kjo, por me gjasë, Meta do detyrohet të mbajë një qëndrim shpejt. Në fakt, kjo do të ishte edhe zgjidhja më e mirë. Një përcaktim i Metës, do të clironte edhe një pjesë të PD nga iluzioni i një koalicioni me të dhe do t’i ndante frontet e votës mjaft qartë. E dyta, një koalicion PS – LSI do ta linte gjithë koston e qeverisjes në një anë, tek ata që e meritojnë dhe jo si më 2013, kur LSI iku nga qeverisja pa marrë asnjë kosto prej saj dhe duke ja ngarkuar të gjithën këtë PD. Nëse LSI do tentonte një kalim djathtas, do ishte më e ndershme ta bënte tani. Së paku të bënte disa muaj opozitë. Në mënyrë që gjithkush t’i shihte më qartë dhe më direkt palët që do të përballen në qershor dhe programet e tyre. Ndaj ka ardhur koha që Meta të tregojë qëndrimin e tij, në mos nga “ultimatumi” i Ramës, së paku në respekt të votuesve./Opinion.al