Vdekjet dhe aksidentet, ndryshojnë tarifat e kompensimit nga kompanitë e sigurimeve

Një projektligj i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për disa ndryshime në Ligjin e vitit 2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” ka zgjeruar gamën dhe nivelin e kompensimit që kompanitë e sigurimit duhet të japin për aksidentet dhe vdekjet nga automjetet. Kompensimi i dëmeve varion nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë, në varësi të dëmit ku përfshihet edhe humbja e jetës.

Por në praktikën e përditshme kjo praktikë që funksionon edhe në ligjin aktual nuk është se respektohet. Shpesh ata që mbartin pasojat e aksidenteve nuk janë të informuar. Në raste të tjera proceset në gjykata zgjasin pa fund.

Detyrimi i shoqërisë së sigurimit, që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një shumë më e lartë.

Në rast se ka disa palë të dëmtuara nga një ngjarje sigurimi dhe vlera totale e dëmshpërblimit për dëmin pasuror si dhe vlera totale e dëmshpërblimit për dëmin jopasuror tejkalon shumat e përcaktuara në projektligj të drejtat e palëve të dëmtuara ndaj shoqërisë së sigurimit zvogëlohen në mënyrë përpjesëtimore për secilën figurë të dëmit pasuror dhe jo pasuror ndërmjet të gjithë të dëmtuarve deri në përfundim të gjithë shumës së siguruar sipas kontratës së sigurimit.

Projektligji përcakton se në rast se një aksidenti ndodh ndërmjet një mjeti motorik të siguruar dhe një mjeti motorik të pasiguruar shkaktar i aksidentit, shoqëria e sigurimit e cila ka lëshuar kontratën e sigurimit mjetit të siguruar trajton dhe paguan dëmet e shkaktuara mjetit motorik dhe personave që ndodhen në mjetin motorik të siguruar. Gjithashtu kompenson dëmet e shkaktuara personave që ndodhen në mjetin motorik të pasiguruar.

Të gjitha dëmet dhe humbjet e tjera nga mjetet motorike pronari i së cilës nuk është i pajisur me kontratën e sigurimit paguhen nga byroja./Monitor

 

Lista e dëmeve                                                                                   Vlera e kompensimit

Dëmi moral nga vdekja                                                                                   500 000 lekë

Dëmi ekzistencial nga vdekja                                                                         500 000 lekë

Dëmi moral nga paaftësia totale e përhershme                                               2 000 000 lekë

Dëmi ekzistencial nga paaftësia totale e përhershme                          1 500 000 lekë

Dëmi biologjik nga paaftësia totale e përhershme                                          1 000 000 lekë

Dëmi moral nga paaftësia e pjesshme e përhershme                                       500 000 lekë

Dëmi ekzistencial nga paaftësia e pjesshme e përhershme                              500 000 lekë

Dëmi biologjik nga paaftësia e pjesshme e përhershme                                  1 000 000 lekë

Dëmi moral nga paaftësia e përkohshme                                                        200 000 lekë

Dëmi ekzistencial nga paaftësia e përkohshme                                               200 000 lekë

Dëmi biologjik nga paaftësia e përkohshme                                                   200 000 lekë