Ndërtimi, ja cilat punime nuk kanë nevojë për leje

Punimet që nuk kanë nevojë për leje ndërtimi në territorin e Shqipërisë janë punimet për mirëmbajtje të zakonshme: rifreskimi i lyerjes, suvasë, dyerve, zëvendësimi i hidro-sanitareve apo vendosja e tendave. Po ashtu, edhe disa punime të brendshme nuk kanë nevojë për t’u pajisur me leje ndërtimi nga pushteti vendor.

Ndërsa të gjitha punimet e tjera e kanë të domosdoshme pajisjen me leje ndërtimi. Sipas rregullores së ndërtimit, edhe disa ndërhyrje bëhen vetëm me deklaratë paraprake për kryerjen e punimeve. Të interesuarit, në tabelën bashkëngjitur kanë të gjitha llojet e punimeve që bëhen pa u pajisur me leje, të cilat përfshihen në nenin 6 të rregullores së ndërtimit, dhe ato që kanë nevojë për deklaratë paraprake, të cilat përfshihen në nenin 7 te rregullores së ndërtimit.

Po ashtu, prej datës 1 shtator 2016, pritet që kërkesat për leje ndërtimi por edhe deklarata paraprake për kryerjen e punimeve të bëhet online, në portalin “e-Albania”. Kjo gjë është bërë publike nga Ministria e Zhvillimit Urban, ku sqarohen edhe procedurat se si do të bëhet aplikimi për leje ndërtimi.

Punimet pa leje

Pa leje nga autoritetet vendore mund të kryhen vetëm ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme: rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese. Pa leje do të mund të bëhet edhe pastrimi i fasadave, riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave e vitrinave, edhe këto pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente.

Po ashtu, edhe zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve dhe oxhakëve, riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse, vendosja e hekurave mbrojtës në dritare, vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave. Edhe disa punime të brendshme mund të kruhen pa leje ndërtimi: riparimi dhe rinovimi i dyshemeve; riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave; riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave të dyfishtë; veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit. Pa leje ndërtimi, sipas nenit 6 të rregullores së ndërtimit, mund të bëhen edhe ndërhyrje në impiante higjieno-sanitare: siç janë veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit.

Punime të tjera pa leje janë edhe ato për eliminimin e barrierave arkitektonike dhe përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara.

Punimet me deklaratë

Pa leje ndërtimi kryhen edhe disa punime të tjera për të cilat, fillimisht duhet të bëhet një deklaratë paraprake e fillimit të punimeve pranë autoritetit vendor, ose në sistemin online “e-Albania” duke filluar nga shtatori 2016. Në këto punime përfshihen: punime të jashtme, si: ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese; vendosja e shtresave për rritjen e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese. Në punime të brendshme, si: përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme; hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme; krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarëse (jombajtëse) të brendshme, i mjediseve për shërbime higjienike; realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes; struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast brenda një afati kohor maksimal 150-ditor etj. Të plota llojet e punimeve i keni në tabelën bashkëngjitur shkrimit./Gazeta Shqiptare