Makina përplas motorin, 63-vjeçari: Po të mos kisha kaskën do kisha vdekur

GOLEM – 63-vjeçari Zija Hoxha nga Kavaja, drejtues i një çiklomotori, ka shpëtuar për mrekulli, me pak lëndime në gjymtyrët e sipërme e të poshtme, pasi u përplas nga një automjet.

Aksidenti ndodhi në rrugën dytësore Plepa-Golem në afërsi të Golemit, paraditen e sotme. Një mjet tip “Opel Corsa” goditi nga pas motorin që drejtohej nga 63-vjeçari, dhe u ndal vetëm pasi shkatërroi bordurën mbajtëse të rrugës, pranë një hoteli.

“Mjeti Opel Corsa ishte me shpejtësi mbi 100 km në orë më goditi nga pas, dhe u rrëzova në rrugë. Nëse nuk do të kisha kaskën mbrojtëse do të kisha vdekur” – pohoi 63-vjeçari nga Kavaja pasi ju dha ndihma e parë nga banorët aty pranë.

“Mu thyen 250 vezë që i kisha për të shitur në treg, me to ushqehemi, mbledhim vezë dhe i shesim, se mbetemi pa bukë. Më ka bërë dëm të madh” – pohoi i moshuari.

Policia ndaloi drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksident dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.