Gjosha: Vetingu, kyç për hapjen e negociatave. Vota e LSI do jete pro

Një ditë para se parlamenti të mblidhet për projekt-ligjin e vetingut, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, shpjegon se miratimi i tij përbën një moment kyç në procesin e integrimit dhe në rekomandimin që Komisioni Europian, do të japë për hapjen ose jo të negociatave per anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas Gjoshes është pozitiv miratimi me unanimitet i ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi, por kjo nuk mjafton, pasi Brukseli kërkon edhe votimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve. Në intervistën e saj për Vizion Plus, Gjosha ka shpjeguar se të martën në seancë plenare, vota e LSI do të jetë pro këtij ligji. Sipas Gjoshës, falë miratimit të reformës në drejtësi, por edhe arritjeve të tjera Shqipëria shpreson që Komisioni Europian të rekomandojë hapjen e negociatave.

Intervista e plotë

Zonja Ministre, Shqipëria pret këtë vit rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave, në fakt nesër ne miratojmë në parlament ligjin e Vetting-ut, sa do të ndikojë kjo në progres- raportin e ardhshëm në tetor?

Shumë çështje kontribuojnë në progres raportin e ardhshëm të Shqipërisë i cili do të dalë shumë shpejt, në muajin tetor ose nëntor. Ne, ende nuk kemi një datë të vendosur nga Komisioni Europian, por është shumë i rëndësishëm fakti që Shqipëria miratoi me 140 vota reformën në drejtësi. Konsensusi, ka treguar një pjekuri të klasës politike shqiptare, gjithashtu ka rikthyer dialogun politik në vend dhe kjo është jashtëzakonisht thelbësore si për vendin ashtu edhe për ndërkombëtarët, pasi ju e keni parë sesa shumë të angazhuar kanë qenë me të gjitha palët politike. Ne shpresojmë që ky dialog të vazhdojë edhe nesër dhe shpresojmë të jetë sërish me konsensus të ligjit të Vettingut, ose ligjit që do të mundësojë skanimin e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve . Është ligji më i rëndësishëm në të 7 ligjet që bëjnë të vlefshëm kalimin e ndryshimeve kushtetuese apo që hapin dyert e implementimit të kësaj reformë, është ligji që do të kërkojë më shumë kohë në fakt se ligjet e tjera për të filluar implementimin dhe për tu përfunduar. Kjo është arsyeja që komisioni europian ka kërkuar ligjin e Vetting-ut si një prej kushteve kryesore në mënyrë që Shqipërisë t’i çelet drita jeshile për të vazhduar me procesin e integrimit. Kërkon 3 muaj kohë nga momenti që ai miratohet për të parë rezultatet e para apo ato Trak -Records që kërkohen aq shumë nga ndërkombëtarët.

Duke pasur parasysh votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjin e Vettingut nesër, a mund të shpresojë Shqipëria për një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian?

Unë do të shpresoja shumë, që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’i jepet mundësia për çeljen e negociatave. Kjo do të shihet nga zbatimi i reformës, dhe pas Vetting-ut parlamenti do të mblidhet sërish për të miratuar 6 ligjet e tjera që i hapin rrugën këtij implementimi. Të gjitha këto së bashku do të çojnë në çeljen negociatave. Kuptohet që reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje shumë çështjeve të tjera dhe prioriteteve kyçe për të cilat ne punojmë siç janë Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe të drejtave të njeriut duke përfshirë këtu çështjen e pronës. Në këtë këndvështrim, Shqipëria ka plotësuar pak a shumë kuadrin e kërkuar edhe nga vetë komisioni europian ka kërkuar për fazën tjetër. Kuptohet që ky është një proces, është në vazhdimësi, çelja e negociatave do ta çojë vendin në një fazë dialogu edhe më konkrete me Bashkimin Europian, për plotësimin e 5 prioriteteve dhe më tej të çdo kapitulli që ne do të hapim.

Në fakt vendimin përfundimtar e merr Këshilli Europian , a mund të presim dhe prej tij një vendim pozitiv dhe prej tij?

Unë do të flisja për Komisionin dhe progres-raportin pasi kjo është edhe marrëdhënia kyçe e Ministrisë, më pas kjo do të varej nga vendet anëtare ku rol do të luaj dhe Ministria e Jashtme së bashku me ne dhe me të gjithë aktorët politikë në vend. Është thelbësore që ne të kalojmë fazën e parë, pra marrjen e një rekomandimi pozitiv dhe më tej gjithçka do të varet edhe nga klima politike e secilit prej vendeve anëtare të BE-së.

Ju jeni përfaqësuese e LSI-së në fakt, cili është qëndrimi i LSI-së nesër në parlament për Ligjin e Vetting-ut?

Qëndrimi i LSI ka qenë që në fillim dhe gjithmonë pro jo vetëm për ligjin e Vetting-ut, por për reformën në drejtësi në tërësi dhe unë këtu do të vlerësoja jashtëzakonisht shumë, qëndrimin jo vetëm të e LSI-së, por edhe Kryetarit të Kuvendit për rolin kyç që ai ka luajtur në rikthimin e dialogut politik në vend. Ne kemi pasur gjithmonë një qëndrim pro. Ky është një ligj kyç për procesin e integrimit, është një ligj kyç për ecurinë e reformës në drejtësi në vend, një ligj kyç për atë që presin shqiptarët dhe prandaj LSI-ja ka pasur një qëndrim pozitiv.