Mos e lëndoni Miço Stefanin në Përmet!…

12
Kristo Mertiri
Kristo Mertiri

-Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-
Nga Kristo Mërtiri
Përfytyroni një djalë në lule të djalërisë, që gati 40 vjet më parë lë Tiranën e shumëlakmuar ku ishte emëruar dhe niset si korrespondent i përhershëm me “rezidencë” në këmbët e Dhëmbelit, në Përmetin e dashur që kundërmonte erë trëndafili. Sapo kisha përfunduar studimet e larta për Gazetari, një ëndërr që u bë realitet jo pa mundime e sakrifica të pabesueshme sot për kolegët e rinj. Ëndërr e realizuar që edhe mund të bëhej papritur copë e thërrime në kërkim të së vërtetës së hidhur mes njerëzve të thjeshtë. Aq më tepër kur muaj më parë ishte çuar pabesisht në buzë të greminës miku im i çmuar, poeti i veçantë e gazetari rebel gjithnjë barutthatë, i miri Xhevahir Spahiu. “Kujdes, po shkon në një fushë të minuar nga aparatçikët mercenarë e telendarë…”. Kjo ishte këshilla e fundit e një publicisti tjetër me emër, kur më përcolli te stacioni i trenit në Kryeqytet. (Por mua nëpër vite më fanepset edhe një natë dimri pa hënë mbi lagjen “Partizani”. Me cigaret që ndiznin njëra-tjetrën mbi buzë, po ecja ngadalë e sikur më ishin mbytur gjemitë. Qe mbyllur pasditja e tretë e një ballafaqimi absurd, ku më kërkohej e ngulej këmbë si mushka për të bërë autokritikë për disa padrejtësi nepotike e hakmarrëse në dëm të qytetarëve të thjeshtë përmetarë, të cilat i kisha ngritur e nxjerrë ballë për ballë e në sheshmejdan. Por avazi i njohur liganak me thirrjen “parimore” e djallëzore: “Thellohu, more djalë, thellohu!”, drithëronte edhe muret e selisë më sipërore në rreth. Por nuk lëviza asnjë fije nga istikami i Drejtësisë… Ashtu i trishtuar e jo pak i tronditur, po i afrohesha pallatit ku banoja me familjen e sapokrijuar. Befas, përtej rrugës së heshtur më thërret dikush me emër dhe vjen drejt meje. Ishte mëhallaliu serioz, Mico Stefani, punëtor fjalëbardhë e zemërbardhë në ndërmarrjen e famshme ushqimore:
-Kristo vëllai, rastësisht mora vesh se po kalon një sëkëlldi të pamerituar. Ndaj po të prisja të dilje nga e treta mbledhje…Ti i thua gjërat troç e siç janë, pa shtresa e mbulesa dhe nuk gënjen kurrë. Prandaj të duan e të respektojnë në qytet. Ohuuu, sa driza do të dalin përpara e nëpër këmbë, je i ri e mos u zmbraps nga e drejta. Më dëgjo përse të prita këtu: Po t’i mbyllën të gjitha shtigjet në rreth, bëj dy gisht kartë dhe ma jep mua ta çoj dorazi atje lart në Tiranë. Kaq është mundësia ime për ndihmë…
Por “beteja” e ndezur antinepotike nuk arriti gjer në këtë pikë. Po e rrëfej për herë të parë publikisht. Sepse mirënjohja troket e nuk shuhet ende edhe pas gati 4 dekadash. Ndërsa pizevengët e ditëve të sotme nuk ndryshojnë shumë nga ata të djeshmit, qoftë si hileqarë e intrigantë, qoftë si hipokritë e dallaveraxhinj me spaleta partiake e shtetërore. Të kuptohemi mirë. Kur shkova unë në atë qytet të bekuar, vëllai i tij Simoni, kish ikur në Tiranë. Personalisht nuk e njoha asnjëherë nga afër. (Vetëm pas gati 20 vjetësh më vonë, kur sapo kish dalë nga qelitë e burgut politik të pluralizmit, te ish- pularia e Laprakës i fola unë për herë të parë e të fundit… Biseda në këmbë nuk zgjati as 3 minuta. Ishte viti 1995. Po përcillte për në Sharrë një nga heronjtë e Luftës së Dytë Botërore, birin e veçantë të Labërisë, Shefqet Peci. Po përcillej trimi që e shpalosi të pastër patriotizmin, ndershmërinë e burrërinë gjer në frymëmarrjen e fundit brenda qelive zezona… Nderim e varrim të atillë, vetëm një herë mund të shikosh në jetë. Ndihem krenar që jam autori i të vetmit reportazh në shtypin shqiptar, në ato kohëra marrëzie e terrori…).
…Sa herë që ndonjë drejtues rrethi transferohej gjetkë, zakonisht qarkullonin vesh më vesh e hapur mjaft nga bëmat e tyre mbi kalin e pushtetit monist. Dhe kjo nuk ndodhte vetëm në Përmet, por edhe në Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. Përvoja si korrespondent i përhershëm në këto 4 treva të Jugut, më pasuroi me fakte e dukuri jetësore nga më të çuditshmet. Rrodhën 40 vjet në Gazetari dhe unë vazhdoj të them me zemër sot e kësaj dite : Pata fat që jetën time familjare e profesionale, e nisa në Përmet!…(këtë temë të dashur le ta ruajmë për herë tjetër). Sa për vëllain e Micos duarartë, nuk dëgjova asnjë pisllëk karakteri, asnjë abuzim nepotik në fis e miqësi. Krejt ndryshe nga ca agallarë të djeshëm e të sotëm. “Vëllezërit dhe mjaft të tjerë të afërm, Simoni i gjeti dhe i la punëtorë…”. Dhe ky nuk ishte një konstatim i rëndomtë, kur e krahasonim me të tjerë drejtues pehlivanë në rrethe që kolltukun partiak a shtetëror e kthenin në burim “bamirësie” për fisin, krushqinë e shoqërinë. Sa për pozicionet e larta partiake a shtetërore që ndoshta nuk qaseshin shumë me nivelin e tij arsimor e kulturor, mendoj se nuk ishte faji i tij, por i kupolës mashtruese e mediokre në Tiranë…
Fjala vjen, përjashtimi nga partia ishte edhe një pushkatim i rëndë politik. Përballë rregullave e normave statutore, përballë ligjeve e shkelësve, ai nuk kish falur as nga foletë fisnore e miqësore. Kjo është e vërteta që duhet thënë pa frikë. Megjithëse Dritëroi ynë shprehet shkurt: E vërteta është një, ne jemi shumë… Madje, si një nga drejtuesit e lartë partiak të kryeqytetit (i sapoardhur nga Përmeti), tregohet ende një episod domethënës e dinjitoz. Sepse servilët prapanicalëpirës nuk shterojnë kurrë. Në monizëm e në pluralizëm. Një ditë prej ditësh, mbi tavolinën e zyrës i çojnë edhe një listë kuadrosh që do të transferoheshin në Tiranë e që pritej firma e tij. Duke lexuar me kujdes materialin shpjegues për secilin, nga mesi i emrave ndalet dhe i vë vizën mohuese dikujt që donte të kthehej para kohe nga hidrocentralet në Veri. Ishte nga rrethi miqësor a familjar, specialist i zoti. Ashtu i skuqur pakëz në fytyrë, ngre zërin dhe pyet prerë:-“Përse nuk e kishit planifikuar deri ditën që erdha unë në këtë detyrë ?… Kjo qorollepsje qoftë e para dhe e fundit!”. Dhe ua ktheu mbrapsht atë listë plot yçkla…
Përmetarët i kanë zët gjer në neveri rrëkerat me lëpirës e pështymhedhës të panginjur. Është nga qytetet më të paqtë në botë. Mos e quani hiperbolë! Po të shfletosh statistikat një shekullore të shtetit shqiptar, kushdo bindet për këtë model urtësie e qytetarie përmetare në fushën e Rendit Publik e kudo. Një traditë e bukur në breza. Përmetari, edhe po të ngrysej apo të rrudhoste ballin, edhe po të shtrëngonte nofullat apo të lëshonte ndonjë llaf të rëndë, mesazhi ishte i qartë: E kishe shkelur tek s’mbante më ujë pilafi… Inati nuk zgjaste shumë. Kur më treguan ditët e fundit një episod të pakëndshëm revolte ndaj një figure jo pak të njohur e që kishte lënduar mjaft përmetarë në mes të qytetit gjatë një festivali, ende nuk dua ta besoj plotësisht. Sepse nuk e di saktë burimin e konfliktit disa sekondash. Nëse do më ndodhte mua, sinqerisht do të mbyllesha në ajodhimën e Kishës së Leusës e nuk do dilja më në sheshmejdanin e vendlindjes apo rrotull Gurit të Qytetit… Veçse shkak dhe sebep për këtë shkrim u bënë disa minj interneti anonimë, të cilët donin të baltosnin një vajzë të sapozgjedhur me vota të lira si kryetare dege e një force politike në provincë. Mirëpo në këtë Shqipërizën tonë “ku të gjithë dalim kushërinj”, nuk rrimë dot pa lakuar emra dhe mbiemra, pa zgjedhuar folje dëftore e habitore, shpesh pa i njohur as për fytyrë. Dhe kthehen në kukuvajka vajtimtare. Apo përpëliten ende në strumbullarin e Tranzicionit, “kur koha lamashin e bëka me emër”?! Reminishencat e djeshme të “Luftës së Klasave”, sot shpalosen me nota qesharake përballë brezit të Adelinës me shoqe.
Në fund të fundit, vërtet këta kulishë ferrash interneti nuk dinë as të lehin, por mund ta sjellin ujkun në vathë ! Dhe ndoshta nuk ngjajnë shumë me ata që lëshohen nga zinxhiri. Unë nuk e njoh ende Adelinën e Mico Stefanit. Por ditët e fundit, mjaft përmetarë të ardhur tani vonë në Kryeqytet, më thanë një fjali gati të përbashkët: “Asaj vajze-nënë e dy fëmijëve, nuk ia ha dot qeni shkopin…”. Mirëpo miku im me shpirt e duar të pastra si bora mbi Dhëmbel e Nemërckë, me siguri do jetë lënduar jo pak në moshën e bardhë. Se Micua ishte dhe mbeti njeri sedërli jo dosido. Kurrë nuk i ra gjoksit apo të krekosej me gishtin tregues “atje lart”. Punëtor ishte e punëtor i nderuar mbeti. Bashkë me Fotaqin e paharruar që prehet në Bolëngë… Asnjë privilegj nuk kërkoi dhe as rrëmbeu. Karakteri i tij i ka kaluar herët “provat e zjarrit”. Sepse sistemet politike vijnë e shkojnë, por karakteret e forta as ngjyhen e as përthyhen kollaj nga hija e kolltukut të njeriut të afërm dhe as nga ca erëra pluhurngritëse të kohës bishtdhelpër…Për përmetarët ka rëndësi t’i gjejnë vendit njeriun e jo njeriut vendin. Aty hodha themelet e profesionit që e desha dhe e dua shumë, larg kalemxhinjve çapaçulë e kokëtulë. Së paku, një majë dinjiteti e arrita : Nuk më ktheu askush në skllav e servil dhe as ma varën dot torbën e tagjisë në qafë. Dhe jo rastësisht po e them publikisht e me zemër : Mos e lëndoni Miço Stefanin në Përmet!…