Fridrih Niçe, vetmitari tragjik

Erdhi për të qenë një vetmitar apokaliptik dhe mbeti derimtash, e me gjas përgjithnjë i kapërthyer prej kërshërisë së kumtit që ngjizi këtë klithmë britmëtare.

Me lëndën me të mraztë, dhimbjen më therëse, ferrin më ngjethës, e mrujti ai shtatoren, e ngjizi ai vetmohimin. Sfidon epokat dhe trajtat e mëtimit njerëzor. Britma e tij mësyn gjëmimtare mbi qiejt e vetëdijes në krejt të tashmet. Nuk ka të sosur ai trup e shpirt i sakatur, së kacafyturi. Përzihet me terrati dhe flakë, çorba që shtrohet në tryezën e bukës që ha. Gjithnjë është unshëm dhe asnjëherë nuk ngopet. Gjumin i’a vrasin dhimbjet dhe mendimet. Shëndetin i’a drobisin sëmundjet dhe zehri që shurb në këmbim të copëzve vetmitare të paqes së brendshme, që e tundojnë nëpër kapërthime. Ngadhnjen ai gjithherë dhe papushim i duhet ta marrë mbi duar veten e ta derdh në të njëjten enë, të errët dhe të thellë. Ngrihet si mbi veten ashtu edhe mbi kohën, i mbështetur fort mbi supet e tragjizmit antik. Hedh vështrimin dhe rrëmon për të mbledhur zërin e tij mes copëzash dhe gërmadhash. I’a jep një thirrje në kupë të qiellit, havanit që i thyhet ndër duar. Ashtu përplot durim i vendos një e nga një, si gurët e mozaikut, copëzat e pafundësisë, sa për ta dëgjuar për vete atë britmë, atë zë që e ndjen, por nuk e dëgjon . E kridhet rishtaz në të tjera përjetime që e shpojnë. Në trajta të allasojta vetmish e vendos veten dhe rifillon të gatuaj sërish brumin e zërit, duke e ngjeshur fort, shumë fort, derisa të mos i mbetet forcë as të ëndërrojë. E shtryllin mendimet si pesha e vetmisë dhe lëshohet mbi letra si një kafshë prehistorike, shkruan e çjerr, vizaton e shkarravit, këndon dhe qan, mendon dhe ther kurmin e kohës, thell me gozhdët zotvrasëse.

Hyri papritmas  dhe stuhishëm në shtjellën rrapëllitëse të kumtimit filozofik, për tu bërë ujdhesa e mbinjeriut, gjëmimtari më i zëshëm i tragjizmit të vetvetishëm dhe mendimtari më i guximshëm që triumfoi mbi harrimin duke u kthyer në shërbestra i zotërimeve të epërme. U përlesh përbindshëm me harrimin, vetminë dhe mungesën, për t’u bërë gjaku i kohës dhe ritmi i gjeneratës. U hoq zvarrë në Golgotën e tij të trishtë dhe u ngjit në kryq, jo si shenjtor por si zotvrasës.

Fridrih Niçe, guxoi si askush dhe triumfoi mbi gjithçka, lindi mbinjeriun dhe përqafi amshimin me afshin e stuhisë. Sot 116 vjet na ndajnë nga të gjallët e një prej ngarëndjeve më të furishme të mendimit filozofik, e një prej ngadhnjimeve më të zashme të të gjithë kushtrimeve, që ka mujt me kumtu ndër breza njerzimi. Fridrih Niçe mbylli sytë më 25 gusht të vitit 1900, për të çelur njëherazi me amshimin e tij të epërm, jo veçmas një shekull, por tançka nji botë e re mëton të beh, si një foshnjë e shumëpritur e nji shtatzanie të mundimshme. Ai mbylli sytë në Vajmar pas dy vitesh rrugëtimi këmbadoraz në terratisjen, me të cilën mbështolli angullima e tij metafizike në zgrip dhe kruspulli në një shtati shëndetlig.

Filozofia e Fridrih Niçe ngufat me dëshmu në kryeradhën e agut të një britme apokaliptike, yshtun prej trajtimesh të filozofisë dhe artit të Greqisë Antike. Tankjo, në disfavor të klasicizmit të dëriasokohshëm, të cilin e vështronte si një afirmim të vizionit të arsyeshëm dhe rrjedhimisht përfaqësues të dekadencës. Në veçanti tragjedia greke është interpretuar si një shprehje e impulsit jetësor, apo siç shprehet Niçe e “momentit dionisiak”. Niçe u lëshua mbi kohën e vet, me furinë e një shterngate të majisur nga bruztia e kahershme. U vërsul plot tërbim e tërsëllimë mbi vlerat morale të shoqërisë dhe altruizmin, të cilat, sipas tij mohojnë vetë jetën. Ai guxoi se kjo përkujdesje e ngas vrullin dhe energjinë përnga një ndrydhje vetësakrifikuese. Vrasi misionin sublim, me të cilin qënja humane ka ardhur prej zanafillës e derimtashme, në të jetuarin e vet. Ai nuk e kupton ekzistencën në një rrjedhë që ecën heshtur dhe paqësisht. Ky vërshim tinzar e tërbon, e ngre pupthi, e ligshton, e zhvesh nga armatura e randë e luftave dhe përpjekjeve titane për t’u ndeshur, për të dëshmuar, për të mëtuar misionin e vet, atë të Sizifit. Ky njeri, kjo krijesë inferiore, të cilës ai i shpalli luftë dhe bëri çmos ta denigronte gjenetikisht, kërkon të përfitojë nga e tashmja, nga gjithseçka e një çasti që iken pa kthim. Jeta është një kacafytje dhëmb për dhëmb, në gjithçka dhe për gjithçka, me dhimbje e piskama, me triumfe dhe adrenalinë. Ndryshe, me jetën.Sipas tij njeriu duhet të përjetojë dhimbjen të pjesë e tij e energjisë, pasi “ajo çfarë nuk të vret, ajo të bën më të fuqishëm”. Koncepti i njohur i Niçe “vullneti për fuqi”, luan një rol kryesor në filozofinë e tij, duke u shprehur se “është esenca e ekzistencës njerëzore, sikur t’i thuash jetes po!”, pra afirmimi i saj. Sipas tij, koncepti “fuqia e vullnetit” lejon tejkalimin e njeriut, jo eliminimin e tij, pra braktisjen e idhujve dekadentë dhe shpresës për një jetë në botën e pasvdekjes dhe pranimin e jetës ashtu siç është ajo.Ky titan i mendimit njerëzor, kjo ngrehinë e bëshme që fillëron agimet e njeriut që predikoi ai, gulmoi dhe mbërriti shumë larg dhe shumë lart.“Kështu fliste Zarathustra”, “Njerëzor, tepër njerëzor”,”Lindja e tragjedisë”, “Filozofët”, “Ecce Homo”, “Udhëtari dhe hija e tij”, “Shndërrmi i të gjitha vlerave”, “Perëndimi i idhujve”, “Përtej së mirës dhe së keqes”, “Agu i mëngjesit: Mendime mbi paragjykimet morale”, janë disa nga veprat e këtij filozofi të madh, të cilat duke ardhur në gjuhën shqipe, jo tash, por që në vitet ’30 dëshmojnë një vullnesë për të përqafuar një nga majat më të mprehta dhe më të garrametshme të qasjeve njerëzore, përnga predikimi i mbinjeriut, si njeriun bashkëkohor, si qënjen përfaqësuese dhe përçuesin e një brezi avangard.Fridrih Niçe është padyshim një prej figurave më të rëndësishme në historinë e mendimit filozofik. Korpusi i tij rrapëllitës, i qasjes dhe botkuptimit, u përflak si shkas i një hopi kundër rrymës. Ajo u kungua si maniera e tij novatore, e të konspektuarit dhe ravijëzuarit të gjithçkasë dhe në çdo perceptim të mjedisit, nisur nga një pikëpamje e pavarur nga filozofitë e deriatëhershme. Gjithseqysh ai erdhi me një mision të madh, dhe iku i përplotësuar dhe diktues i një gjenerate të re, të përpirjes në shtjellën babëzitëse të filozofisë. Shëndërrimi i të gjitha vlerave është një prej ideve më domethënëse, të krijuara ndonjëherë. Fridrih Niçe jetoi në një kohë kur mendimet mbi vlerat dhe virtytet ishin duke pësuar ndryshime të dukshme. Një erë e re, një kataklizmo, kishte hapur bulshinjt e tij të pangopur, përpinte dhe përtypte gjithçka në atë dualitet shekujsh. Përzishmëri dhe shterngatë mendimi, hove tranzicioni dhe kacafytje me të atëhershmen e me traditën, me myshqet që ndereshin mureve të lagështa të shekullit që ikte dhe një tjetri, në ag, që vinte. Fridrih Niçe dhe shumë bashkohës të tij, ma kanda të përmend të madhin e mendimit vjenez, Zigmund Frojd, guxuan dhe hodhën në flakët që kishin kallur ata, për të djegur myshet dhe boshësinë e një bote që kërkonte të ringrihej nga hiri.

Një sër antivlerash (duke i konspektuar në raport me status quo-në, ato ishin vlera në raport me të shkuaren antivlera) lindtte domosdoshemerisht kërkesa për vlera të reja, e njëherash lindtte kurajoja e një starti të pashoq, që në kryeherën e vet u vu qëllim individualiteteve që përfaqësonin atë kohë dhe vetë epokës që po i shqyenin derën, të kryengritnin një të tashme dhe një të shkuar të mendimit filozofik. Fridrih Niçe, ndryshe nga tankush tjetër, shpalosi mendimin dhe kushtroi me botkuptimin e tij, shkoi më larg, shumë larg. Ai i dha jetë një sistemi të tërë dhe novator vlerash.

Një kursi të ri mendimi, tek i cili ai besonte dhe shpresonte.Në këtë amfiteatër larushitës, shprehish mendimi, thellësishë të pamata të vizioneve ardhmëruese dhe eterne, Fridrih Niçe ka skalitur në memorien e asokohëshme, që gjallon ndër ne sot, një shprehje të famshme, që u kthe në një psalm të mendimit të tij iluminist. “Zoti Vdiq..!” Zoti vdiq. Zoti mbetet i vdekur. Dhe ne e vramë atë. Si mund të ndihemi në rregull, në vrasës të gjithë vrasësve? Asgjë s’ishte kaq e moçme dhe e madhe në mbarë botën, dhe tani pikon gjak poshtë gjurit tonë: Kush do të na e pastroj gjakun? Çfarë uji do përdorim për t’u larë? Çfarë feste për t’u falur dhe çfarë loje duhet të prodhojmë? Nuk është kjo, ndoshta, madhësia e një vdekje kaq e madhe për ne?

Nuk duhet të bëhemi, ndoshta, divin thjesht për të qënë të denjë?Një ligjërim i tillë të gjunjëzon para të vetmit altar, ai i vetëvetes. I asaj qënjeje që duke qenë e mështjellë e gjitha nga një masë e madhe mishi, eshtrash e gjithçfarë përbën tërësinë e identitetit tonë anatomik, ndjehet i burgosur, por dhe i yshtur nga një pasion i fuqishëm lirie që e vërsul përpara. I ndjellë nga zemërata e vargonjëve dhe e mureve, ai ngrihet dhe lëshohet si një shtërngatë, duke marrë përpara gjithçka që derimtash e ka formëzuar si një qëllim përnga hiçi. Ai beson se hiçi është bosh dhe duke qenë i tillë ai është i frikshëm. Tek perifrazimi se “Në një pikë tjetër unë jam ende babai im dhe, në një farë mënyre, zgjatim i jetës së tij pas një vdekjeje të parakohshme”.

Ne domosdo na duhet të thërrasim copëzat e hapërdara nëpër ëndrra të vetes sonë dhe t’i ngjitim për t’i dhënë jetë asaj që na ngucat të besojmë si një të vërtetë e pamëdyshtë. Pra, të pranojmë njëheraz se jemi, çfarë ishim ADN, pas gjenetik.Në këtë kujtesë, kumtojmë dhe kungojmë atë që mëtoi ai si një vlerë, si një yshtje e qëllimshme përnga një forcë e pamatë vullneti që tejkalon gjithçka dhe mbërrin gjithsekund. Mbinjeriu që ndërzeu ai 116 vite më parë, është njeriu modern, është kjo tërësi metafizike që ngrihet mbi vetveten, merr hov dhe vërsulet mbi çdo gjë si mbi zjarrin e ferrit, i bindur se nuk ka flakë që do ta djeg, e t’i vërë fre vërshimit të tij uturitës. Kjo kreaturë, ky model, ecën përkundër rrjedhës. Gjithnjë provon. Për të nuk ka humbje. Dhimbja e rrit, i shton forcat, e motivon për të vazhduar rrugën. Nuk ka mëshirë, padyshim, sepse nuk mund të pranojë as veten, as një botë që hiqet zvarrë. Për të, kishte një Olimp të qëllimeve tona prej Zeusi.

Albert VATAJ