“Burg përjetë”, për gardistin që vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve

Krim në familje

Admir Dervishi, ish-gardisti që i mori jetën bashkëshortes, duke lënë dy fëmijët jetim, rrezikon të dënohet përjetësisht

Ish-gardisti i Gardës së Republikës, që vrau në muajin prill 2016 bashkëshorten, rrezikon të dënohet përjetësisht. Hetimi për ‘të nisi më datën 6.04.2016, ditë kur dhe ai kreu dhe aktin makabër. Lidhur me këtë ngjarje, gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda në një deklaratë të shkurtër për mediet, ka bërë më dije se, ka përfunduar hetimet dhe që kërkon dënimin maksimal për Admir Dervishi. Informacionet pohojnë se, pas marrjes së vendimit, pritet që më 9 shtator të këtij viti, të zhvillohet seanca, ku gjykata do të vendosë për dënimin e Dervishit. Ngjarja e mëngjesit më 6 prill, ku me armën e shërbimit, ai qëlloi 3 herë drejt bashkëshortes së tij Ilda Dervishi, pas një konflikti për arsye banale. Ish-gardisti u prangos pak orë pas ngjarjes, ndërsa për motivet e ngjarjes ai vetë u shpreh se shkak ishte bërë xhelozia dhe kushtet ekonomike me të cilat ata po përballeshin muajt e fundit. Në njoftimin për mediat, Prokuroria ka shtuar se tashmë ajo ka ngritur ndaj ish-efektivit të Gardës, akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. Nëse do t’i referohemi Kodit Penal, kjo vepër e nenit 79/c, dënohet me 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Dervishi jo vetëm i mori jetën bashkëshortes, por ai ka lënë në enigmë fatin e dy fëmijëve të vegjël, të cilët të mbetur vetëm, pas vrasjes së të ëmës, ndërkohë që, i ati është në burg, nuk dihet se ku ata janë. 29-vjeçari Admir Dervishi nga Tepelena, punonjës i Gardës së Republikës dhe baba i dy fëmijëve, qëlloi bashkëshorten me armë zjarri, e ku shenjat e plumbit mbetën tek dera e shtëpisë. Rrëfimi i fëmijëve, i Keidonit 4 vjeç ka qenë tronditës. Ai dhe motra e tij 1 vjeçe, ishin dërguar para krimit te fqinjët, e që me siguri nuk e kanë kuptuar krimin, por djali, kohë më parë është shprehur se, “babi me mamin u zunë dhe më pas babi…pam pam”, ka thënë ai. Policia ka treguar se, fëmijët kanë qenë tejet të trembur dhe se ata kanë qarë gjatë gjithë kohës. “Nuk doja ta vrisja, doja ta trembja dhe t’i qëlloja te këmbët. Por ajo më ofendoi dhe më pas e qëllova”. Ka qenë kjo dëshmia tronditëse që dha para disa javëve përpara trupit gjykues, punonjësi i Gardës, Admir Dervishi. Ai tha se, ditën e ngjarjes kishte pasur debate me gruan e tij, Ida Dervishin, pasi që ajo kishte bllokuar derën dhe nuk e linte të dilte nga shtëpia. Për këtë arsye, ai tha se, ka nxjerrë armën dhe e qëlloi.

Vendimi

Pas muajsh hetime dje, Prokuroria e Krimeve të Rënda, përfundoi hetimet dhe kërkon dënimin maksimal për ish-gardistin Admir Dervishi. Më 9 shtator, pritet që të zhvillohet seanca, ku gjykata do të vendosë lidhur me dënimin e Dervishit. Prokuroria informon se ka ngritur ndaj ish-efektivit të Gardës akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, vepër kjo, e cila sipas nenit 79/c të Kodit Penal dënohet nga 20 vite në burgim të përjetshëm.
Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 6 prillit, ku bashkëshortët u përfshinë në një debat të nxehtë, që rezultoi fatal, pasi familja u shkatërrua. Mes çiftit pati një debat, për motive xhelozie, ndërsa 29- vjeçari nisi të thyente dhe të përplaste orenditë e banesës, duke u konfliktuar edhe fizikisht me bashkëshorten, ndërsa fëmijët ndodheshin në banesë. E plagosura nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spitalin e QSUT-së, 2 orë pas ngjarjes. Konflikti mes gardistit 29-vjeçar dhe bashkëshortes së tij, mësohet se nisi pak kohë pasi Dervishi kishte mbërritur në shtëpi pasi kishte përfunduar turnin e tretë. Kur gruaja tentoi të dilte nga shtëpia, gardisti qëlloi pesë herë mbi bashkëshorten. Kjo e fundit mori dy plagë vdekjeprurëse në trup. Ndërkaq, dy fëmijët, Dervishi i dërgoi tek një familje fqinje pas krimit ndërsa zbriti shkallët, ku u ndalua nga policia e Komisariatit nr.6, e cila ishte njoftuar nga një fqinj i katit të tretë që kishte dëgjuar të shtënat. Admir Dervishi, punonjës i Gardës së Republikës që nga viti 2009 e ka qëlluar gruan e tij me armën e shërbimit, pistoletë tip TT ndërsa mësohet se ka qenë edhe në gjendje të dehur. Menjëherë pas ngjarjes, Garda e Republikës ka njoftuar shkarkimin e Dervishit. Dëshmitarë të ndryshëm atëherë janë shprehur se çifti kishte më tepër se një muaj që banonte në këtë banesë dhe nuk njiheshin për probleme apo konflikte më parë.
Vrasje e paralajmëruar

Viktima Ilda Dervishi e kishte denoncuar në vitin 2013 torturën nga bashkëshorti. Historia e tmerrshme e nënës së dy fëmijëve, që prej vitesh jetonte nën terrorin e gardistit Admir Dervishi, u la në heshtje edhe pse kjo histori kishte dy vendime gjykate, që duhet të mbronin Ilda Dervishin. Të gjithë ishin në dijeni të dhunës sistematike që gardisti Admir Dervishi ushtronte ndaj bashkëshortes së tij. Policia, Garda e Republikës, Gjykata ishin informuar nga familjarët e gruas së re për dhunën e bashkëshortit të saj. Por veç gjykatës që kishte lëshuar dy urdhra mbrojtjeje, asnjë institucion tjetër nuk reagoi dhe as mori masa që të paktën efektivit të Gardës t’i hiqej arma e shërbimit me të cilën kërcënonte sistematikisht bashkëshorten se do e vriste. Dhunën sistematike të bashkëshortit ajo e kishte denoncuar në polici dhe për këtë kishte marrë dy urdhra mbrojtjeje nga gjykata.