Shqipëria rekord divorcesh, kush qytetet kryeson?

Gjatë katër viteve të fundit, numri i divorceve në Shqipëri ka ardhur në rritje. Në vitin 2015, togat e zeza zgjidhën 7,080 lidhje martesore. Megjithatë, kjo shifër është disi më e ulët në krahasim me 2014-n (134 çështje më pak) ku u regjistrua edhe numri më i lartë i divorceve që nga viti 2011 i marrë në analizë. Sipas vjetarit të statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë 2015-s u regjistruan 491 më shumë çështje divorci në krahasim me 2011.

Po sipas të njëjtit burim, një vit më parë, numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej ishte 10,084.

Tirana rezulton qyteti me numrin më të madh të divorceve 1,665, nisur edhe nga fakti se është qyteti me numrin më të madh të popullsisë.

Referuar të dhënave, vihet re se gjatë 2015-s, numër i lartë i divorceve është regjistruar në qytetet bregdetare (kryeson Vlora me 735 çështje) dhe në ato me emigracion më të lartë si Elbasani (me 632 çështje) apo Korça me 411 çështje.

Qytetet që kanë regjistruar gjatë 2015-s numrin më të ulët të divorceve janë Tropoja dhe Puka. Një nga shkaqet mund të jetë edhe tradita më e fortë e ruajtjes së bërthamës së familjes.

Pjesa më e madhe e çështjeve që janë paraqitur në gjykata kanë përfunduar, ndërsa rreth 1,800 janë të mbartura gjatë 2016-s.

Sipas të dhënave të INSTAT për 2015-n, te femrat më shumë se 50% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe 86% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç. Ndërsa për meshkujt rreth 63% e martesave realizohen deri në moshën 24-vjeçare dhe rreth 86% deri në moshën 29-vjeçare.

Divorci shoqërohet gjithashtu me efekte financiare, ku sipas psikologëve individët e divorcuar do të kenë nevojë për një rritje më shumë se 30% të të ardhurave, mesatarisht, për të ruajtur të njëjtin standard të jetesës që kishin para divorcit të tyre./Monitor

14111802_10210307298188382_1767541029_n 14111915_10210307298068379_1127011729_n