Doda: ”Në shtator nis lufta për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit”

Prej më shumë se 8 muajsh, në parlament janë paraqitur tri nisma ligjore për heqjen e medaljeve dhe dekoratave të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist.

Deputetja Mesila Doda, bashkë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ishin iniciuesit e parë të nismës për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit.

Në një intervistë për një gazetë në vend, Doda ka pohuar se do të shohim një betejë të ashpër në Kuvend për anulimin e dekoratave që iu dhanë ish-persekutorëve të komunizmit.

“Në muajin shtator fillojmë luftën për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit”, shtoi deputetja e PDIU-së, Mesila Doda.

Aktualisht në Kuvend janë të paprekura tri nismat që kanë si qëllim heqjen e medaljeve dhe dekoratave të dhëna nga qeveritë për ata persona që kanë qenë bashkëpunëtorë apo zyrtarë të lartë të komunizmit, si dhe ndalimin që këto situata të përsëriten në të ardhmen.

Bëhet fjalë për projektligjin e paraqitur nga zj.Doda dhe Idrizi, projektligji tjetër i mazhorancës dhe që mban firmat e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla, si dhe projektrezolutën e paraqitur nga demokratët dhe dorëzuar në Kuvend nga Oerd Bylykbashi.

Dy nismat e para paraqesin propozime konkrete për amendime të ligjit mbi bazën e të cilit jepen medaljet dhe dekoratat në vendin tonë, nisma e tretë është thjesht një rezolutë, e cila kërkon ndryshimin e legjislacionit ekzistues.