Ademi letër Ramës: Aksi Dukagjin nuk kërkojmë hatër

Një përfaqësi e banorëve të njësisë administrative të Dukagjinit në Shkoder kanë nisur prej ditësh lobimet në zyrat e pushtetit vendor për të mundësuar ndërtimin e rrugës drejt kësaj zone, e cila prej 25 vitesh nuk ka njohur asnjë investim.

Ata u priten nga kryebashkiakja Voltana Ademi, të cilës i kërkuan mbështetje për inisiativën e marrë, pasi vetëm bashkimi qeveri – pushtet vendor dhe komunitet i zonës mund të sjellë ndërtimin e rrugës.

Në gjithë këto vite sipas tyre, Dukagjini vetëm është nëpërkëmbur dhe i janë marrë votat, pa u investuar asnjë qindarkë.

Petrit Arra, administrator i Shalës: Është detyra juaj si bashki që tash sa vite u kemi dhënë votat që të bëni diçka për Dukagjinit.

Ndue Ftoni, biznesmen: Jemi drejt braktisjes së Dukagjinit, sepse Dukagjinit braktiset kur nuk ka infrastrukturë. A ka zonë më të madhe dhe me resurse se sa Dukagjini?

Kryetarja e Bshkisë së Shkodrës, Voltana Ademi u premtoi banorëve se për problemin në fjalë do t’i drejtohet me një letër kryeministrit dhe Fondit të Rajoneve për financimin e rrugës.

Ademi: Ne nuk mund ta bëjmë vetëm. Unë do t’i shkruaj një letër qeverisë shqiptare, z.Kryeministrit, Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve. Ne kemi paraqitur disa projekte, por deri tani nuk kemi pasur financim. Edhe ky është një ndër ato projekte, për të cilat ne i kërkojmë financimit. Puna është se nuk kërkojmë gjë për hatër, por kërkohet për nevojë, për detyrim dhe përgjegjësi.

Për këtë vit pjesa më e madhe e fondeve të rrugëve rurale do shkojnë për mirëmbajtjen e rrugës së Dukagjinit vijoi Ademi, e cila shprehu shqetësimin se sivjet edhe ky fond është më i ulet se vitet e shkuara.

Kjo rrugë ne 25 vitet e fundit i ka marrë jeten 54 personave në vetëm 7 kilometrat e Kirit, që janë edhe ndër më të vështirat e këtij aksi. Në shtator të 2013 ajo u tenderua, por më pas gjithçka humbi në zhvillimet politike të kohës dhe investimi u harrua.