Shkaktoi terror në Vlorë; Gjykata: “Shtrim të detyruar në psikiatri”

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën “shtrim të detyruar në psikiatri” për Dijar Xhema, shtetasin nga Kosova, që u arrestua në Vlorë, pasi terrorizoi qytetin me thirrjet Allahu Ekber’, ‘Do ju vras të gjithëve’ dhe mori peng tre vetë.

Para seancës, babai i tij deklaroi se ai nuk ka lidhje me xhihadistë, por ka probleme të theksuara mendore.

Xhema u arrestua në Vlorë pasi ka tentuar të marrë peng tre persona dhe i ka dhunuar ata. Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Policinë Vlorë një ditë më parë në qytetin bregdetar ka arrestuar në flagrancë shtetasit Dijar Xhema, 29 vjeç, lindur e banues në Mitrovicë, Kosovë.

“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.