Sezoni turistik, gjendje alarmante nga ujërat e zeza në plazhe

Në pikun e sezonit turistik, zona e plazhit në Durrës është mbuluar nga ujërat e zeza. Shkak për këtë janë bërë defektet në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.Banorët shprehen të shqetësuar për rrezikun që i kanoset shëndetit të tyre dhe i bëjnë apel institucioneve që të ndërhyjnë sa më parë.

Lagjia 13 në Durrës, e njohur si zona e plazhit, në mes të sezonit turistik është mbuluar nga ujërat e zeza. Shkak per këtë situatë mësohet të jenë bërë defektet në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza në zonë. Për pasojë, në bodrumet, rrugë dhe trotuare janë krijuar pellgje të mëdha uji të ndotur.

Të lodhur nga heshtja e institucioneve përgjegjëse, banorët thonë se po sëmuren. Përveçse ndotjes së ambjenteve të përbashkëta, ujërat e zeza kanë depërtuar tek ato të pastra, duke i bërë të papërdorshme.

Një banor është shprehur se: ”Kanë dalë ujërat e zeza sipër, ku të ankohesh? Letër i kam bërë Edi Ramës, erdhi letra tek kryetari i Komunës, ky ja dha kryetarit të Bashkisë. Një polici kam sjellë këtu, hajde dhe shikoni lart sa depo janë me ujë. Ujërave të zeza këtu ju vjen një erë e mrekullueshme sa ta merr shpirtin, me azëm të bë, kaq. Pusetat janë të bllokuara dhe aty është mbushur me ujëra të zeza. Jemi të sëmurë. Mua më është sëmurë babi. Nuk hapim dot një derë dhe një dritare. Vetëm sëmundje. Kjo gjendje kështu po bën 7 muaj, një vit. jemi ankuar, thonë do vimë, por nuk vinë”.

Në zonën ku kanë shpërthyer ujërat e zeza përveç banesave, apartamenteve që jepen me qera për pushuesit dhe bizneseve, ndodhen edhe dy qendrat shëndetësore, çka e bën edhe më serioze situatën.