Boçi: Ministria ka rritur presionin ndaj Universiteteve Publike

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, ka akuzuar Ministrinë e Arsimit për mospublikimin e tarifave të shkollimit në universitete. Në një status në facebook, Boçi shprehet se megjithëse Ministria e Arsimit e ka detyrim ligjor publikimin e tarifave nuk e ka bërë këtë gjë, pasi ecën me devizën “Ditë e re, nafakë e re”. Ai aludon se ministria iu ka bërë presion universiteteve publike që të propozojnë rritje të tarifave.
DEKLARATA E BOÇIT
Mirë kuotat, po tarifat?!!! Dalja e kuotave të pranimit më në fund ndodhi! Por mbetet i çuditshëm fakti që ato nuk shoqërohen me tarifën përkatëse, siç ka ndodhur gjithmonë. Flitet që do dalin nesër….! Por Ministria nuk ka plotësuar ende detyrimin ligjor.
Neni 7 i Ligjit AL, në pikën f e përcakton saktë: “MAS i propozon Këshillit të Ministrave kufirin maksimal të tarifës së shkollimit për programet e studimit të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë”. Deri më sot nuk ka as propozim e as VKM!!!???
Në deklarata është thënë që nuk ka rritje, ndërkohë zërat “nën tavolinë”, konfirmojnë se ministria ka rritur presionin ndaj Universiteteve Publike, që këto të propozojnë rritje të tarifave për ciklin e parë të studimeve. Për ciklin e dytë dihet tashmë që i kemi pesë fish më të larta se Europa!!!
Gjithçka pas kësaj do dukej si “faj” i Universiteteve Publike! Çudia tjetër është formalizim-miratimi i kuotave të Universiteteve private. Në raport me programet e studimit që ofrojnë (rreth 150), ato shfaqen si relativisht pak (gati 9000), por në raport me % e studentëve që hyjnë në to, ka rritje të ndjeshme.
Normal që duket favorizim, sepse në akreditim ka një parametër që orienton numrin e studentëve. Është m2 për student sipas profilit, shto nr. e stafit akademik të kualifikuar! Se sa Universitete jopublike e plotësojnë këtë kriter formal, askush në ASCAL e MAS, nuk është në gjendje të na e thotë.
As Agjencia Britanike që është “tretur nga vapa”!!! Gjithsesi për tarifat të presim deri nesër. Bashkë me ne, të presin dhe maturantët, të cilët humbasin ditën e tretë nga nisja e procesit!!!??? E në këtë orientim të çorientuar, gjithçka mund të ndodhë! Në mungesë të rregullit, normave, ligjit, nën pushtetin e kaosit, rastësisë, në MAS ecet sipas devizës: “Ditë e re, nafakë e re”!!!!!