Putin: Kundër përpjekjeve për të rishkruar historinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vizitoi së fundmi Lubjanën ku së bashku me homologun e tij slloven, Borut Pahor, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të memorialit në nder të ushtarëve rusë dhe sovjetikë të rënë në territorin e Sllovenisë gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore.

Dy presidentët kryen homazhe për nder të heronjve rusë dhe vendosën kurorë me lule pranë monumentit.

Në fjalën e tij, presidenti Putin pohoi faktin që Moska dhe Lubjana mbajnë të njëjtin qëndrim kundër përpjekjeve për të rishkruar historinë dhe se do të vazhdojnë të punojnë bashkë për të forcuar sigurinë evropiane dhe globale.

Sipas liderit rus, memoriali do të pasqyrojë pikërisht qasjen e përbashkët parimore të dy vendeve për të parandaluar shtrembërimin dhe rishikimin e historisë.

“Do të vijojmë punën e përbashkët edukative, para së gjithash me të rinjtë, jo vetëm për të ruajtur kujtimin e tmerreve të luftës, por edhe për të konsoliduar mirëkuptimin, besimin dhe sigurinë në Evropë dhe në botë”, u shpreh Putini.

Teksa mbishkrimi i vendosur në memorial citon: “Bijve të Rusisë dhe të Bashkimit Sovjetik të rënë në tokën sllovene gjatë Luftrave të Parë dhe të Dytë Botërore”.