Meta-Meidani drekë sëbashku.Për Qeverinë Teknike apo miqësi politike?

Politika ka hyrë në muajin e pushimeve, porse jo për Ilir Metën , i cili po merret seriozisht me miratimin me konsensus të 7 ligjeve të Reformës.

Por edhe ftohja mes PS e LSI duket se do sjellë pushime jo të qeta. Çfarë po përgatitet dhe po gatuhet në koalicionin e majtë? Ilir Meta gjendet në Tiranë, dhe po bën një jetë shumë aktive politike, ndërkohë që të gjithë e kanë marrë me qetësi situatën e pushimeve.

Burimet konfirmojnë se sot në mesditë, kryetari i Kuvendit do të drekojë me ish-presidentin e Shqipërisë, Rexhep Meidani, në një nga restorantet e njohura në kryeqytet.

Takimi, i kërkuar siç duket nga kryeparlamentari Meta, e ka detyruar ish-presidentin Rexhep Meidani të lërë në mes pushimet e verës, dhe të kthehet nga Pogradeci ku po qëndron për të pushuar në Tiranë.

Marrëdhëniet mes PS e LSI janë “krisur” dhe diferencat janë thelluar sidomos pas deklaratave të Pandeli Majkos e Petrit Vasilit. Por jo vetëm nga këto deklarata!

Tashmë nuk bëhet më fjalë për reformën zgjedhore e miratimin e ligjeve, por bëhet fjalë për qeverisjen mes PS e LSI. Çfarë do të diskutohet në drekën e punës mes Ilir Metës e Rexhep Meidanit? A do të jetë në fokus të palëve situata në qeverisjen e koalicionit të majtë? Deri në përfundim të takimit askush nuk mund të japë më shumë detaje. Pse edhe ish-deputeti Koço Kokëdhima do jetë në drekë, sipas burimeve të syri.net.

Ndërkohë që “Koha Jonë” në numrin e saj të djeshëm, ishte gazeta e parë që përmendi emrin e Rexhep Meidanit si kryeministër për një qeveri teknike, i mirëpranuar nga palët.

Në fakt, nuk dihet sesi do të shkohet deri në një qeveri teknike, përsa kohë që vendi ka një qeverisje normale të koalicionit PS-LSI.

Ç’po thuret në kulisat e politikës?