Aktori Çun Lajçi quan “akademik të pa shkollë” Isa Mustafën

Aktori i njohur i Kosovës, Çun Lajçi, lindur e rritur në Rugovë, territore të së cilës mendohet t’i jenë lënë Malit të Zi, përmes Facebookut i eshte drejtuar kryeministrit të Kosoves, Isa Mustafa lidhur me demarkacionin Kosovë – Mali i Zi.

Në këtë adresim, artisti Lajçi habitet pse kryeministri Mustafa kërkon tapi private për bjeshkët që tani me Marrëveshje i takojnë Malit të Zi, ndërsa pyetet pse Kosova nuk ka pronë shoqërore. Lajçi i thotë Mustafës se po ai, me këtë demarkacion do ta fusë në luftë Rugovën dhe e quan atë “akademik i pashkollë” .

Koha.net e transmeton tekstualisht dhe pa ndërhyrje shkrimin e Çun Lajçit:

“Z.Isa Mustafa.

Ç’është gjithë ky insistim yti që banorët e Rugovês të sjellin para Jush deshmi ( tapia ) për Bjeshkët e Nemuna. Qysh asht e mundun të kenë qenë në pronësi private ato bjeshkë që i mallkuen pikërisht Ata që Ju po ua falni ( sepse u mbeten eshtnat sa herë tentuen ti pushtojnë, prandaj i quejten Prokletije)

Po kjo Kosovë, nuk paska diçka edhe në pronësi shoqnore, apo gjithçka të sajen e paske ba rrush e kumulla!

Kryeministër. Ti a me neve a me arushat? Ti si duket po frigohesh që nuk po u mbeten Malit Zi, prandaj s’don të takohesh me Ekspert dhe insiston n’ tapia për bjeshkët masive siç asht Çakorri, Moknat e Dromodoli. A ke tru apo vertetë qenke frustru! A mos po kërko tapi nga dikush edhe për vet Kosovën? Ti don Rugovën me shti n’luftë por me ken m’thuej: Me shitsin a me blersin? Nuk e kishte kurrë Mali i Zi at teritor o i pa shkolli akademik, po lejoj ekspertet të ta spjegojnë se Hashimi dy gram shkollë të bleme i ka e nuk ka se si ta këput lakun qafës as Ty as Murat M…!”