Gjuha shqipe dhe historiku i saj

Nga Hyqmet Zane/Sa herë vjen fjala tek gjuha shqipe, me vijnë në mendje vargjet e Naimit të madh, më pëshpëriten vargjet e Ndre Mjedës, po aq sa edhe ato të At Gjergj Fishtës që me aq bukuri i kushtojnë gjuhës së bukur shqipe. Dikur mjaftoheshim me ato që na jepte informacion diktatura se më 7 marsi u hap shkolla e parë shqipe në Korçë më 1887. Por nga të dhënat që historianët kanë bërë, del se shkolla e parë shqipe është hapur në Elbasan rreth vitit 1736. Këtë e vërteton fakti që për këtë vit ka një dokument historik që vërteton se në fillim të këtij viti u grumbulluan nga populli i kalasë rreth 36 mijë aspra për ngritjen e një shkolle për fëmijët e kalasë dhe një pjesë e të ardhurave u lanë për mësuesin e saj. Ky është një fakt i provuar tashmë, por që historiografët e kanë vështirë që ta përtypin, aq më tepër që kjo ngjarje përkon edhe me një godinë të vjetër ku edhe u mbajt më pas Kongresi i Elbasanit nga 9 deri më 16 shtator 1909.

Por më shumë se kaq, aq më keq që në opinionin publik pak flitet për historikun e shkrimit të gjuhës shqipe dhe dokumentimin e saj të lashtë. Është ky fakt që më bën të investigoj mes qindra faqe e që flasin për këtë gjë për të dhënë një të vërtetë të madhe për gjuhën tonë shqipe dhe lashtësinë e saj.

***

Shqipëria është shtet mbi bazën e kombit (racës, gjuhës e kulturës njerëzore). Historikisht gjuha shqipe ka ekzistuar dhe është shkruara e folur në variantin e pellazgjishtes dhe ilirishtes. Për këtë flasin dokumentacionet e gjetura në arshivat e ndryshme të Europës, por dokumentimi ynë është i pakët për këto periudha. .

Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.s.), një natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.s. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore të titulluar Naturalis Historia. Këtu, në vëllimin VII, ai shkruan : “Ilirët kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët.”

Bashkangjitur është pema e gjuhëve indo-europiane e ndërtuar në vitin 1974 nga Instituti i Gjuhëve në Suedi dhe botuar më 1975 tek libri botëror: Webster’s New Twentieth Century Dictionary, Unabridged Second Edition, De Luxe Color, Ëilliam Collins and Ëorld Publishing Co., Inc., 1975. ISBN 0-539-048523-3

Siç edhe shihet gjuha më e vjetër është SHQIPJA, gjuha e natyrës, gjuha e shenjtë. Shqipe është e vetmja gjuhë që i ndërlidh të gjitha gjuhët e tjera. Një pemë të ngjashme botoi gjatë viteve 1985-1999 edhe historiani arbëresh (arvanitas) Aristidh Kola në Greqi. Akademia Greke e Shkencave nuk e ka kundërshtuar këtë pemë, ka heshtur.

Me gjithë faktin e njohur tashmë se gjuha shqipe është shumë e vjetër dhe pellazgjishtja apo ilirishtja ishin gjuhët mbizotëruese të rajonit, dokumentimi shkresor i shkrimit shqip është i vonshëm. Studiuesit vendas dhe të huaj kanë bërë përpjekje të herëpashershme që të zbulojnë dokumentime të shkrimit shqip.

Më e hershmja mbetet e njohura si Formula e Pagëzimit, që daton vitin 1462, një material fetar i shkruar shqip dhe e gjetur në arshivën e Vatikanit.

Një nga studiuesit shqiptarë, nga Elbasani, Dhimitër Shuteriqi, në një intervistë të dhënë në universitetin “A.Xhuvani” në Elbasan me rastin e 92 -vjetorit të shkollës “Normale” është shprehur se “Unë kam gjetur në letrat e Lef Nosit shumë të dhëna mbi gjuhën shqipe. Ai thotë se edhe para Formulës së Pagëzimit dhe para çdo dokumenti tjetër që do të gjendet në gjuhën shqipe, ajo tregon se shkrimi i shqipes ka ekzistuar edhe më përpara deri sa ne kemi një dokument të tij. Por, shkaku që vendi ynë ka pësuar shumë pushtime dhe ka qenë gjithnjë nën trysninë e invadorëve të huaj, për ta ruajtur sundimin e tyre ata kanë bërë kujdes për të zhdukur çdo gjë nga kultura ilire e shqipes, prandaj dhe sot nuk kemi dokumente të shkrimit të gjuhës sonë”.

Është ky një pohim që na sjell në vëmendje se gjuha shqipe ka qenë si e tillë e folur dhe e shkruar, e lashtë dhe dominuese dhe për këtë flet edhe tabela e prejardhjes së fjalëve nga pellazgjishtja. Emrat në Anglisht janë marrë nga libri (i botuar edhe në Shqip): Edwin E. Jacques, The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present, McFarland & Company Inc. Publishers, Jefferson, 1995.

Ndërkohë që na vjen Meshari i Gjon Buzukut që daton në vitin 1555 si e para vepër që e dokumentoi shkrimin shqip. Që në fjalët e para Buzuku përpiqet të na flasë shqip, duke përdorur fjalë dhe mendime shqip dhe kjo vepër hyn në fondin e dokumentimit origjinal të gjuhës sonë. Por studiuesit si Eqerem Çabej apo Norbert Jokli, por edhe të tjerë të huaj dhe vendas, si Aleksandër Xhuvani dhe Mahir Domi, kanë bërë përpjekjet e tyre për të zbuluar në arshivat europiane dhe ato turke dhe sidomos ato të Vatikanit për të gjetur dokumente autentike të shkruara në shqip, të cilat janë në një rrugë të mbarë siç është prononcuar një studiues shqiptar në Francë.

Robert Elsie në veprën e tij për “Historinë e letërsisë shqiptare”, bën një paraqitje të shkrimit të shqipes dhe të dokumentimit të këtyre fakteve.

Krahasuar me gjuhët e tjera kombëtare të Europës, shqipja nuk gëzon traditë letrare të gjatë. Në fakt shqipja është gjuha kombëtare e fundit në Europë që është e e dokumentuar. Fillimi i shekullit të 15 na vë përpara një tekst kureshtar që mund të përbëjë pikënisjen për shkrimin shqip. Ky është i ashtuquajturi Bellifortis që ruhet në muzeun Konde në Shato dë Shantiji në veri të Parisit i datuar më 1405. Ai përbën një shtojcë prej 29 rreshtash ndaj të ashtuquajturit dorëshkrim Bellifortis, një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinisht, mbi armët dhe fortifikimet ushtarake, nga pirotekniku gjerman Konrad Kyezer.

Teksti i kuptueshëm më i lashtë në gjuhën shqipe është një Formulë Pagëzimi e që mban datën 1462 dhe që thotë : “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”. Autori i kësaj Formule ishte Pal Engjëlli, arqipeshkv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Skënderbeut.

Shekulli i 15 mbyllet me një tjetër tekst shqip që ruhet jashtë, në Gjermani. Ai është fjalori shqip i Arnold fon Harfit, një kalorës gjerman, udhëtar, shkrimtar, i lindur në një familje fisnikësh në Rinin e Poshtëm. Në vjeshtën e vitit 1496 Fon Harfi u nis për një udhëtim peligrinazh në tokën e shenjtë, çka e shpuri në Itali, nëpër bregdetin shqiptar, Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azie e Vogël dhe pastaj në kthim nëpër Europën Qendrore, në Francë e në Spanjë. Ai u kthye në Këln në vjeshtë të vitit 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve Fon Harfi mblodhi materiale mbi gjuhët që ndeshi në vende të ndryshme. Në një ndalesë në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur po lundronte me një anije tregtare me vela nga Venetiku në Aleksandri, ai shënoi 26 fjalë, 8 frazë dhe 12 numra në shqip, të cilat i hodhi bashkë me përkthimin gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit.

Vepra e njohur “Meshari” i Gjon Buzukut 1555 është libri i parë në gjuhën shqipe dhe njëherazi dhe një nga frytet më interesante në historinë e letërsisë nga pikëpamja gjuhësore e kulturore. Është e shkruar me shkonja cirilike dhe latine.

Lekë Matrënga ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Siçelisë. ai ka mbetur ai autor i një vepre të titulluar “Doktrina e krishterë”, një katekizëm prej 28 faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht. Përkthimin e ka përfunduar më 20 mars 1592. Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me 8 vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip si dhe vetë katekizmën e cila është një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve.

Dy breza pas Gjion Buzukut, vjen At Pjetër Budi, autor i 4 veprave fetare në gjuhën shqipe. Vepra e parë e Budit është doktrina e krishterë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit, që u botua në Romë dhe një kopje ruhet në bibliotekën e Vatikanit.

Frang Bardhi është i katërti në radhën e shkrimtarëve të hershëm shqiptarë me emër. Ai është autori i fjalorit të parë shqiptar të botuar në Romë më 30 maj 1635, që përbën në gjuhën shqipe veprën e parë pa brendi fetare të drejtpërdrejtë.

Kalimi nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja tek shqipja si mjet i shprehjes letrare përfundoi në një shembull të asaj që njihet si letërsi Alhamiado, term spanjisht, ky që shënon një letërsi vendase të shkruar me shkronja arabe e të ndikuar fuqishëm nga kultura islame. Letërsia e bejtexhinjëve, sikundër quhet kjo letërsi e shkrimeve shqiptare, përbëhet nga poezi me shkrim arab.

Autorët e vjetër të shekullit 16-17 përdorën alfabetin latin me 5 shkronja të tjera plus. Të njëjtin alfabet të plotësuar me ndonjë shkronjë greke e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë, pra, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. për shkak të përdorimit të kësaj gjuhe si gjuhë e kishës ortodokse. Me ndikimin e fesë islame, në shkrimin e shqipes që nga fillimi i shekullit 18 u përdor edhe alfabeti arab. Me këtë alfabet u shkruan veprat letrare të rrymës së bejtexhinjëve, ku si autor spikat Muhamet Kyçyku, Çami, Nezir Frakulla etj. Nga të gjithë trevat shqiptare shkruan me këtë alfabet.

Por krahas këtyre alfabeteve për shkrimin e shqipes për të shprehur individualitetin si popull i veçantë, u ndoq edhe një rrugë tjetër, ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta orgjinale. Që në shekullin 18, ndoshta edhe më përpara, u formuan disa alfabete të tilla. Përpjekjet më të suksesshme ishte ajo e Teodor Haxhifilipit (Dhaskal Todri) në fund të shekullit 18, shkrimet e të cilit patën përhapje sidomos në Elbasan e rrethina dhe u përdor si në letërkëmbime, në dokumentat e biznesit, por edhe në shkrimet e shenjta.

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, me një frymë të re, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes sonë, Naun Veqilharxhi. Ai krijoi një alfabet të veçantë krejt ndryshe nga alfabetet e përdorura deri atëherë. Synimi i tij ishte që ky alfabet të ishte për të gjithë shqiptarët. Në vitet ’60 të shekullit 19 u bënë përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për shqipen. Këto përpjekje u kurorëzuan më pas nga një grup atdhetarësh të shquar si K.ostandin Kristoforidhi, Pashko Vaso, Hasan Tahsini, Jani Vreto, Sami Frashëri etj.

Suksesin më të lartë këto përpjekje e arritën në kohën e Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Në fillim të vitit 1879 u hartua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri dhe i mbështeturi nga të lartpërmendurit. Ky alfabet u bazua në parimin “një tingull një shkronjë dhe një shkronjë për një tingull”. Ky alfabet u njoh me emrin si “Alfabeti i Stambollit”, që u mbështet në alfabetin latin duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me skronja të tjera të veçanta. Ky alfabet mori një përhapje shumë të gjerë dhe u bë alfabeti kryesor i Rilindjes sonë Kombëtare.

 Kur numri i botimeve shqipe u shtua dhe u zgjerua, kushtet teknike dhe arsyet e tjera bënë që të krijohen dhe të përdoren alfabete të ndryshme. Nisur nga këto kushte, gjithnjë e më shumë u përdor alfabeti latin, në variante të ndryshme dhe ato u plotësuan me dy shkronjëshe ose me shenja diakritike. Ndryshueshmëria e alfabeteve të përdorura erdhi duke u shtuar. Por kësaj gjendjeje do t’i vinte fundi se kërkohej një alfabet i vetëm. Kjo gjë u arrit në Kongresin e Manastirit në vitin 1908. Në këtë Kongres u shpreh për përdorimin e Alfabetit të Stambollit dhe një alfabeti tjetër latin që e përpunoi vetë Kongresi. Ky alfabet që përpunoi vetë Kongresi është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe, që në një periudhë të shkurtër u bë alfabeti i gjithë shqiptarëve.

Edhe mendimtari i mirënjohur shqiptar Faik Konica, bëri një përpjekje të madhe që shkrimet e veta dhe gjithë literaturën e tij, por edhe përkthimet i bëri me këtë alfabet dhe me një gjuhë të pastër të shqipes së sotme, të cilat i ka përmbledhur në një libër.

Ajo që i vuri vulën gjuhës shqipe, pas krijimit të alfabetit, është Kongresi i Drejtshkrimit që u mbajt në Tiranë në nëntor 1972, që vendosi standarde të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Por edhe nga ky Kongres pati mangësi, se në fondin e drejtshkrimit nuk u fut gegërishtja letrare e botuar deri në atë kohë.

Në vitin 2008 është botuar fjalori themelor i gjuhës shqipe i autorit Pavli Qesku, me 33.500 fjalë për të gjithë dhe për shkollarët. Ky fjalor përfshin 11 mijë fjalë bazë dhe 10 mijë të tjera barasvlerës të gegërishtes, si dhe krahinorizma arbëreshe, çame e kosovare, veçori që i ka cilësuar që në titull.

Janë këto trajtime të spikatura të shkrimit të shqipes në shekuj dhe që përbëjnë edhe fondin e artë të dokumentimit të kësaj gjuhe që realisht është më e vjetra në Europë dhe e dokumentuar më vonë se të tjerat. Për këto fakte do të duhej që akademikët të ishin më të përkushtuar që me fakte dhe me thjeshtësinë e gjuhës sonë të bukur të jepnin sa më shumë informacione në lidhje me këto të vërteta që janë domosdoshmëri për t’i ditur dhe njohur çdo shqiptar.