“Shekulli”: PS preu në besë Kokëdhimën. U investuan që ti hiqej mandati

Që pas heqjes së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima nga Gjykata Kushtetuese është folur për një prishje të marrëdhënieve mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama. Qëndrimeve të shprehura në media dhe nga deputetë të ndryshëm u është përgjigjur sot kryeredaktori i gazetës së Koço Kokëdhimës “Shekulli”, Arben Rrozhani.

Në një analizë të gjatë, Rrozhani jep disa nga qëndrimet që Koço Kokëdhima ka mbajtur lidhur me të majtën dhe Kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu, ai sqaron dhe çështjen shumë të debatuar të mandatit në Gjykatën Kushtuetuese duke treguar dhe bisedat që ka bërë vet me deputetin. Rrozhani thotë se Kokëdhima ka refuzuar negociatorët që i kërkonin të paguante lekë për Gjykatën Kushtetuese, ose të përdoret ndikimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës të gjyqtarët e çështjes.

Por ndërsa Kokëdhima ka refuzuar këtë skemë për ruajtjen e mandatit, Rrozhani shkruan se jo vetëm askush nuk e mbrojti, por u investuan që mandati i tij të hiqej. Rrozhani thotë kjo ishte besëprerja e së majtës ndaj deputetit Kokëdhima.

“Mandati i Kokëdhimës u hoq, sepse askush nuk u investua për të mbrojtur të drejtën, por, për më keq, investimi më i madh ishte që ai mandat të hiqej, sepse Koço Kokëdhima nuk i duhej më kësaj të majte. Kjo ishte besëprerja që ligështoi aq shumë deputetin e Vlorës, në një moment kur ai sapo ishte zgjedhur nga Asambleja Kombëtare e PS-së sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin dhe si deputeti që kishte lënë pas dy fushata të shkëlqyera, një parti të rinovuar në rajonin Vlorë-Gjirokastër, por, për fat të keq, edhe shumë armiq në PS”,- shkruan kryeredaktori i gazetës “Shekulli”.

Rrozhani shkruan se Kokëdhima ka qenë negociatori “mes Ramës dhe Metës dhe nuk është penduar për këtë deri më sot”.  Kritikat për reformën që po bënte në strukturat e partisë deputeti i Vlorës kanë ardhur nga qendra e PS dhe në bazë e saj.  Rrozhani përmend emrin e Gramoz Ruçit, si njeriu që reformën që bëri në PS-në e Jugut Kokëdhima e cilësoi si “projekt pilot”.

Kokëdhima nuk donte ta konsideronte se reforma e tij për të zhbërë strukturat e atrofizuara në bazën e partisë, kishte pengesa brenda vetë saj, nga qendra në bazë….Ai e kishte të qartë atë që po bënte: një parti të hapur për të rinjtë, për profesionistët, për të mënjanuarit dhe të përçmuarit e të majtës, duke ia hequr rolin e qehajait një grushti njerëzish, prej të cilit partia ishte kthyer në një parti familjare, që trashëgohej dhe mbyllej brenda një trungu.

Por “projekti pilot”, siç do ta cilësonte Gramoz Ruçi në Kongresin e PS-së, po shembte themelet e një ngrehine politike, prej të cilës njerëzit vetëm sa ishin larguar, sepse nuk e gjenin veten dhe nuk i pranonte njeri brenda”- shkruan kryeredaktori i gazetës “Shekulli” me botues Koço Kokëdhimën.