Hajdarmataj: Drejtësia është për shqiptarët, jo për ndërkombëtarët

Flet për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj

Intervistoi: Redjon Shtylla

Opozita i mbetet besnike paketës së reformës në drejtësi, ku roli i ndërkombëtarëve duhet të jetë ai vëzhgues dhe pjesë e procesit. Siç shprehet dhe deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj opozita ka kërkuar që në fillim një vëzhgim dhe monitorim të zbatimit të reformës në drejtësi nga një mision i posaçëm ndërkombëtar, por jo që asnjë faktorit ndërkombëtar t’i jepen kompetenca vendimmarrëse. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e Qarkut Tropojë deklaron se: “Drejtësia është për shqiptarët jo për ndërkombëtarët sepse ata janë aleatë dhe jo drejtues apo ligjhartues në Shqipëri”.

 Znj.Hajdarmataj, e shihni të mundshëm realizimin e planit “B”, pra që të votohet reforma më 21 korrik? 

Nuk mund të flas me skenarë konspirativë apo hipotetikë. Deri tani qëndrimi i opozitës është i paluhatshëm, pavarësisht nga skenarët që ngrenë mediat apo sektorët e propagandës së manipulimit qeveritar dhe pranë maxhorancës. Ne kemi konfirmuar si grup mbështetjen e atij drafti që sjell drejtësi për vetë sistemin dhe për të gjithë shoqërinë tonë. Drejtësia si piramidë hierarkike dhe me burimet e saj njerëzore është baza e shtetit ligjor. Ne nuk mund të cilësohemi vend demokratik dhe i lirë, një vend anëtar i NATO-s, me sistem drejtësi të cenuar dhe me standarde të certifikuar nga ndërkombëtarët. Drejtësia është për shqiptarët jo për ndërkombëtarët sepse ata janë aleatë dhe jo drejtues apo ligjhartues në Shqipëri.

Mendoni se deputetë të opozitës do të votojnë pro draftit, pasi Kryeministri është shprehur se ka deputetë të PD-së që e duan reformën? 

Partia Demokratike e do reformën dhe deputetët e saj e gjithashtu, por jo në atë kuptim që e thotë Kryeministri.  Unë jam e bindur dhe kam shumë shpresë se grupi ynë parlamentar është i unifikuar në qëndrimin për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë që ta transformojë atë në një sistem të pavarur dhe me integritet. Drejtësia u duhet të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm një partie në pushtet për të marrë kredo politike. Unë mendoj se Rama me këtë strategji manipulimi për të devijuar vëmendjen e krizës së thellë ekonomike, ka humbur edhe më shumë pikë dhe ka thelluar urrejtjen e shqiptarëve ndaj tij dhe qeverisjes së korruptuar e të inkriminuar.

Znj.Nuland u shpreh se propozimi i ri është shpresa e fundit, a nuk mendoni se opozita është disi këmbëngulëse dhe shpesh herë e akuzuar nga ndërkombëtarët si devijuese e qëndrimeve. A duhet një qëndrim më pranues nga ana e z.Basha për çështjet që nuk po gjejnë konsensus?

Nuk mund të flasim me terma kaq afirmativë për një kauzë madhore. A keni dëgjuar ndonjë nga maxhoranca të argumentojë çfarë nuk shkon me propozimet tona për përmirësimin e reformës? Vetëm tam-tame propagandistike manipulative për opinionin kështu që edhe një herë mos ta trajtojmë qëndrimin e PD si qëndrim kundërshtues për një reformë në drejtësi apo aq më keq akoma si mos pranuese ndaj parimeve amerikane apo të BE, për një shtet të së drejtës, për një sistem drejtësie të reformuar. Jo, kjo nuk ka lidhje pasi ne jemi që reforma të bëhet siç duhet- reformë ligjore dhe e plotë dhe jo siç do Edi Rama me ca të tjerë.

Maxhoranca është shprehur se nëse nuk votohet reforma, vendi shkon në referendum ose dhe në zgjedhje të parakohshme. Shpesh herë qeveria akuzon opozitën që kërkon kontroll të procesit. A mendoni që zgjidhja është përmes një operacioni ndërkombëtar që të shërbejë si udhë mes dy partive kryesore, a duhet ta pranojë PD-ja? 

Ne që në fillim kemi kërkuar monitorimin e ndërkombëtarëve në këtë proces, por ndërkombëtarët nuk mund të zgjidhin problemet historike që kemi ne me sistemin që është korrupsioni, politizimi  apo inkriminimi i këtij sistemi. Ky është një problem thellësisht kombëtar është një kauzë, të cilën duhet ta udhëheqë klasa politike dhe ekspertët tanë, sigurisht me mbështetjen dhe bashkëorientimin e aleatëve ndërkombëtarë. Edi Rama edhe pse e thotë me djallëzi është e vërtetë që PD ka kërkuar qysh nga fillimi një vëzhgim dhe monitorim të zbatimit të reformës në drejtësi nga një mision të posaçëm ndërkombëtar, por jo kurrë nuk ka thënë që asnjë faktori ndërkombëtar të mund t’i jepen kompetenca vendimmarrëse pasi në të kundërt shkelet kushti kushtetues për garantimin e sovranitetit.

Në deklaratat e juaja jeni shprehur se maxhoranca nuk ka votat e saj të sigurta për votimin e reformës, kjo i referohet zhvillimeve të fundit, ku deputetë janë përjashtuar dhe janë larguar për shkak të qëndrime kundër PS-së? 

Jam e bindur që Rama nuk i ka votat jo vetëm për reformën në drejtësi, por për çdo ligj që kërkon shumicë të cilësuar. Mungesa e mbështetjes më së shumti ka rrënjë tek deputetët e tij, të cilët i ka zhgënjyer fort me skemat e tij korruptive dhe njerëzit e inkriminuar të mbledhur rreth vetes dhe me pozicione të larta në ekzekutiv.

Po në lidhje me takimet e ambasadorit Lu me kolegët tuaj, takime të cilësuara si individuale. Mendoni se janë për një reflektim dhe siguri që do ketë vota nga demokratët pro draftit, në atë rast nëse votohet pa dakordësinë e opozitës?

Unë nuk mund të paragjykoj dhe as të gjykoj asnjë takim të ambasadorëve me kolegë të mi apo çfarë bisedojnë ata për reformën në drejtësi. Unë besoj shumë tek integriteti profesional dhe politik i çdo deputeti dhe bindjeve të tyre për një sistem që t’i shërbejë të gjithëve dhe jo vetëm interesave të politikës në pushtet. Një shtet me drejtësi të konsoliduar është një shtet që kërkojmë të gjithë të majtë e të djathtë për të rritur fëmijët tanë dhe për të qenë të jetueshëm për të gjithë ne.

Një nismë e deputetëve të maxhorancës ka si qëllim importimin e mbetjeve urbane në Shqipëri. Mendoni se vendi i përmbush kushtet për përpunimin e mbetjeve vendore dhe ka kapacitet edhe për të importuar?

Jemi mësuar tashmë me lojërat “ngriva- shkriva” të kësaj maxhorance, dyfytyrësinë e saj kur është në opozitë dhe më pas në maxhorancë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur përfaqësuesit e kësaj maxhorancë dikur në opozitë hidhnin akuza për ligjin “mafioz” të mbetjeve. Bashkë me kolegët e tjerë të opozitës në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese kemi kërkuar më së pakti një kërkesë falje për gjithë baltën e hedhur më parë. Problemin me mbetjet urbane që ka Shqipëria të gjithë e dimë dhe gjithashtu që, asnjë nga prej  industrive ricikluese nuk mund të furnizohet me kapacitet të plotë me lëndën e tyre të parë nga brenda vendit kështu që kërkesa e tyre për import do jetë e pashmangshme.

Edhe Aleanca Kundër Importit të Plehrave, shprehu shqetësimin e saj për futjen në rend dite në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni për ta miratuar. Ky vendim kaq i rëndësishëm mendoni se po kalon pa vëmendjen që meriton kjo çështje? 

Ne kemi kërkuar edhe një herë konsultim të gjerë me të gjithë palët e interesit dhe transparence të plotë për çdo hap që do hidhet për këtë çështje në Komision. Por tashmë dihet që presioni ndaj Parlamenti është bërë një taktikë e përsëritur e kësaj qeverie dhe e Ramës si një mënyrë për të arritur qëllimet e marrëveshjeve korruptive, koncesioneve ku qindra miliona euro shkojnë për pasurimin dhe jetën luksoze të qeveritarëve dhe klientëve të tyre.

Të shpeshta kanë qenë akuzat që ju i drejtoni qeverisë sidomos për mos ekzistencën e tij në zonën ku jeni deputete. Konkretisht për çfarë diskriminohet Tropoja dhe ka pasur reagim pas denoncimeve të shpeshta që ju keni bërë? 

Tropoja vuan nga kriza që ka pllakosur gjithë vendin, por si një bashki me distancë të madhe gjeografike nga qendra e vendit dhe nga mungesa totale e investimeve publike, e ndien varfërinë në masë shumë herë më të madhe se qytetet e tjera. Mos të harrojmë që ka dhe një papunësi të lartë  për shkak të mungesës së këtyre investimeve dhe mbylljes së bizneseve të vogla familjare pasi taksat dhe kostot janë të papërballueshme. Tropoja diskriminohet edhe për faktin e mungesës së investimeve në infrastrukturë, energjetikë dhe mbi të gjitha në turizmin malor i cili duhet të ngrihet si  burimi kryesor i ekonomisë rajonale. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë nuk po subvencionon asnjë projekt për zhvillimin e druve frutorë arrorë, gështenjën apo fermave blegtorale e bletarinë. Nuk ka asnjë reagim për shembull për mbështetjen e shtresave në nevojë për pagesën e faturave të energjisë, dëmshpërblimit të disa familjeve që u është djegur banesa për shkak të amortizimit të rrjetit, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë reagim nga kjo qeveri për përjashtimin antiligjor të të varfërve nga ndihma ekonomike, nga KEMP etj.. Pra thënë në mënyrë të përmbledhur Tropoja është emblema e braktisjes së Veriut nga kjo qeveri, e fobisë së Ramës nga veriorët dhe e kësaj qeverie që qeveris  me diskriminim dhe ka ngritur një pushtet antikombëtar.