I erdhi ora Ilir Metës, apo i ka mbetur ora Edi Ramës?

“Rama tradhëtoi partnerët, ata që e kishin mbështetur dhe kishin besuar tek ai kur ishte në opozitë. Këta nuk ishin vetëm frymorë, por edhe institucione. Një pjesë e mediave u ndien të tradhëtuara kur panë Edi Ramën të lidhte aleanca me mediat që e kishin sulmuar më shumë; një pjesë e bizneseve u zhgënjyen kur panë sesi u anashkaluan dhe në fushë dolën zengjinët e rinj”…

Nga Anila Basha

U pa qartë se twitter­at për një proces të reformës në drejtësi nuk funksionuan, e ndërsa koha skadon, për shqiptarët që nuk e njohin procesin hibrid apo nenin 88 të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, kryefjala e tavolinave të sotme ishin zgjedhjet e parakohshme.Me një njëjtët lojtarë, por pa të njëjtat aleanca.

Sado të mbyllen brenda për ditë të tëra pesëshja e propozuar sot nga Ilir Meta, dhe në fund të  takimeve të ketë edhe një marrëveshje, duket se ka humbur marrëveshja kryesore që e mban gjallë këtë qeverisje: marrëveshja Rama – Meta. E lindur si një fëmijë që vjen në jetë para kohe, pa u mbyllur plagët e vjetra, kjo marrëveshje qeverisjeje po shihet qartë se nuk mund të vazhdojë më. Në këtë pikë, duhet guximi i Edi Ramës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, por ndoshta me pranimin e kostos së humbjes së zgjedhjeve. Dhe për këtë ka disa shkaqe, e disa faktorë.

Së pari, Edi Rama zhgënjeu shumë elektoratin që ia besoi votën, atij të majtë dhe atij gri, në pritshmëritë që patën zgjedhësit socialistë për ardhjen e tyre në pushtet pas tetë vjetësh. Nuk harrohen deklaratat e Ramës për të mos punësuar socialistët se ai “nuk do bënte atë që kishte bërë Berisha” për ta bërë administratën militante. E ndërkohë që në krye të institucioneve dhe në drejtori të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, ngriti e emëroi njerëz që kishin bërë pak, ose aspak për PS (rastet e tjera numërohen me gishta), filloi të humbte dita­ditës mbështetje, nga ajo e militantëve dhe njerëzve të thjeshtë.

Këtë situatë, e shfrytëzoi më së miri Ilir Meta, që si pa u ndjerë, dhe nën prezencën e një marrëveshjeje qeverisëse firmosur mes palëve, kreu pa shumë bujë procesin e punësimeve dhe rritjes së mbështetësve të vet.

Së dyti, Edi Rama filloi të rrethohej nga armiqtë, të cilët, me apo pa arsye, i krijoi edhe vetë. Disa prej tyre për shkak të marrëveshjeve politike; të tjerë, për shkak të moskokëçarjes, të tjerë, se pranoi t’i shiste si pa të keq, pavarësisht punës së madhe që kishin bërë për ta sjellë në pushtet. Zërat kundër, pas vitit të parë të qeverisjes filluan të shtohen. Padyshim, “armiqve të brendshëm” nuk i bënin përshtypje batutat e Edi Ramës me Merkelin, apo rivendosja e marrëdhënieve me Serbinë, as dashuria, apo fotot e pafundme me Obamën.

Fundja, Rama është një lider që votohet në Shqipëri, dhe pjesa e diplomacisë së tij jashtë kufijve, për shqiptarët e thjeshtë,nuk kishte ndonjë ndikim (sikurse po ndodh realisht). Armiqtë, nuk ishin vetëm persona, politikanë, elektorat. Rrugës u shtuan dhe tashmë kanë ardhur si uragan, duke përfshirë mosmirënjohjen, shitjen e të vetëve e largimin me arrogancë të bashkëpunëtorëve.

 Së treti, Edi Rama tradhëtoi partnerët, ata që e kishin mbështetur dhe kishin besuar tek ai kur ishte në opozitë. Këta nuk ishin vetëm frymorë, por edhe institucione. Një pjesë e mediave u ndien të tradhëtuara kur panë Edi Ramën të lidhte aleanca me mediat që e kishin sulmuar më shumë; një pjesë e bizneseve u zhgënjyen kur panë sesi u anashkaluan dhe në fushë dolën zengjinët e rinj, apo ata të vjetrit që kishin bashkëpunuar me PD gjetën lidhjet dhe rimbetën po aq të fuqishëm.

Institucionet u vunë nën presion, dhe nuk shihnin më partnerin te qeveria, por dajakun që mbahej me akuza mbi kokë duke i intimiduar, nënvleftësuar e herë të tjera edhe poshtëruar. Pa gjetur asnjë zgjidhje kompromisi për reforma që duhet të bëheshin në bashkëpunim. E kush më shumë se Ilir Meta nuk do të donte të shfrytëzonte këtë situatë? Pasi mori çfarë kërkoi nga qeverisja, pasi mori çfarë deshi edhe nga zgjedhjet e pushtetit vendor, nuk mund të lejonte asesi që të mos shfrytëzonte momentin më kulmor të debateve politike.

Dhe ora erdhi. Ndaj dhe reagoi. PS dhe Shteti nuk janë një telhajo që mund ta zhgarravisësh si të duash për të nxjerrë vizatimin e radhës kur përballë ke bashkëpunëtorin që e dëgjon shumë pak, ose nuk e dëgjon fare. Ndaj dhe drejtësia në këtë rast do të vendoset nga ata. Në mos t’i themi “një grush shteti”, mund ta quajmë “një pushtet që i ra kokës me grushta”.

Newsbomb.al