Veliaj: Në shtator, kushte më të mira për kopshtet

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të Kopshtit nr.26 në Rrugën e Kavajës, duke vijuar punën për rinovimin e 23 kopshteve të Tiranës para nisjes së sezonit të ri arsimor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vuri në dukje se rikonstruksioni i kopshteve do të përfundojë brenda verës, e mandej vitin tjetër, do të nisë puna për ndërtimin e shkollave, çka do të sjellë reduktimin e mësimit me dy turne.

Pasi inspektoi punimet e përfunduara në Kopshtin nr.26, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur me punën e bërë, për të garantuar kushte më të mira për fëmijët e qytetit. Kryebashkiaku theksoi se bashkia do të punojë gjithë verën që edhe kopshtet e mbetura të jenë gati në shtator.

“Na kanë mbetur edhe 13 kopshte deri sa të vijë 1 shtatori, kur të gjithë vijnë nga pushimet e t’i gjejnë gati. Për Bashkinë e Tiranës nuk do të ketë pushim gjatë kësaj vere, por do të punojmë me turne që edhe 13 kopshtet e fundit që na kanë mbetur t’i përfundojmë deri në shtator, në mënyrë që kur princat dhe princeshat e Tiranës të kthehen nga pushimet, të kenë mundësi të mësojnë në kopshte moderne”, tha ai.

Sipas tij, Tirana ka kopshtet më të mira publike në vend. Ndërsa solli në vëmendje se vetëm për kopshtin nr. 26 kanë bashkëpunuar 10 kompani, kreu i bashkisë vlerësoi të gjitha kompanitë që kanë mbështetur investime të rëndësishme, të cilat do të ishte e vështirë të kryheshin me financat modeste të bashkisë.