Payet: Nuk e lëndova me dashje Ronaldon

Ylli i West Hamit, Dimitri Payet ishte pjesë e një prej momenteve kyçe në ndeshjen e mbrëmshme kundër Portugalisë.

Ishte pikërisht Payet ai që e lëndoi Cristiano Ronaldon në një ndërhyrje në pjesën e parë, për ta detyruar atë të largohet nga fusha në minutën e 25, por ai është shprehur pas takimit se nuk ishte qëllimi i tij që ta lëndonte Ronaldon.

“Jo, ishte thjesht një duel, kjo ishte e tëra. E mora posedimin dhe nëse e lëndova atë nuk ishte e qëllimshme. Nuk është në natyrën time që të jem djal i keq në fushë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, është shprehur Payet.

Franca mbrëmë u mposht nga Portugalia në finalen e “Euro 2016” dhe për këtë Payet është shprehur shumë i zhgënjyer.

“Ne jemi të zhgënjyer. Ne lamë gjurmë, kishim posedimin dhe shanset më të mira, por na mungonte goli që e ndryshonte situatën. Në pak raste që patën ata ia arritën të shënojnë. Një gol vendosi gjithçka, gol që ne nuk mund ta shënonim ne. Portugezët ishin më efikasë. Është pothuajse si ne kundër Gjermanisë, por në anën e kundërt”, ka thënë Payet.