Mavraj i zhgënjyer: Pritja e Kombëtares nuk ishte aq e bukur

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ka folur për revistën e njohur gjermane “Kicker”, duke pohuar se tani që është mbyllur Evropiani, e kujton atë me ndjenja të përziera.

“Nga njëra anë i kemi tejkaluar pritshmëritë që kishin shqiptarët tek ne. Nga ana tjetër, në të tre ndeshjet kishim mundësinë që të merrnim më shumë. Nga pikëpamja sportive mund të them se jemi të zhgënjyer. Por si vëzhgues neutral mund të thuhet se kemi lënë përshtypje të mira dhe kemi përmirësuar imazhin e shqiptarëve në Evropë. Për fansat tanë, kjo ishte diçka e madhe”, pohon ai

Mavraj thotë gjithashtu se nuk ka mbajtur Ramazan gjatë tre ditëve të ndeshjeve, por do i kompensojë kur të jenë ditë më të freskëta.

Ai e ka një zhgënjim për pritjen që iu bë në Shqipëri kombëtares.

“Ishte pak e planifikuar. Dhe festat e planifikuara nuk janë aq të bukura sa ato spontanet. Ishte një pritje shtetërore, nuk ishte aq e bukur”, shtoi ai

Duke komentuar të ardhmen e futbollit shqiptar, ai thotë se është e vështirë të flasësh, sidomos tani që Kosova ka kombëtaren e saj.

“Çfarë do bëjnë gjeneratat e reja? Do vijnë në Shqipëri? Kjo do varet nga shumë faktorë, mes tyre nga federata, nëse do të investojë në ambiente sportive dhe infrastrukturë”, konkludon Mavraj.