Kush është Theresa May, kryeministrja e ardhshme e Britanisë së Madhe

Jam Theresa May dhe jam njeriu më i përshtatshëm për të qenë kryeministri i Britanisë së Madhe”, kjo frazë e Theresa May pak ditë më parë flet shumë për karakterin dhe vetëbesimin e saj.

Pas dorëheqjes së rivales Andrea Leadsom pak orë më parë, tashmë Theresa May është de jure kryeministrja e re e Britanisë.

Partia Konservatore deklaroi se zyrtarizimi i saj në krye të qeverisë britanikë nuk është më shumë se çështje orësh.

May do të jetë ajo që do të negociojë Brexit.

“Brexit është Brexit, nuk ka kthim prapa”, deklaroi ajo pak ditë më parë teksa bëheshin zgjedhjet brenda partisë ku në garë veç saj dhe Leadsom ishte edhe Michale Gove, që humbi shansin për të kandiduar.

Por kush është realisht Theresa May dhe cilat janë bindjet e saj politike?

Ajo është një euroskeptike e bindur që e ka mbështetur me pak entuziazëm qendrimin në BE. Mbështetja e saj ishte thjesht një akt besnikërie ndaj kryeministrit Cameron, pasi thellë-thellë, ajo mezi priste të ndodhte Brexit.

Dhe besnikëria është ndoshta virtyti i saj më i vlefshëm që e karakterizon.

Në pritje të zyrtarizimit, Theresa May do të jetë e dyta femër në historinë e Britanisë së Madhe që bëhet kryeministre.

Por më tepër se Margareth Thatcher, “Zonja e Hekurt”, May ngjason me Angela Merkel.

Ashtu si Merkel, May është e bija e një pastori protestant dhe është e martuar por pa fëmijë.

Ngjashmëritë mes tyre nuk mbarojnë këtu.

May, ashtu si Merkel, nuk magjeps turmën me fjalime të zjarrta por ka çarë në karrierën e saj me pragmatizëm. Hap pas hapi, ka ditur të ndërtojë një reputacion të fortë dhe cilësohet një person tek i cili mund të besosh verbërisht.

May nuk ka qenë kurrë “ylli” më i shndritshëm në gjeneratën e saj.

Ajo është deputete që prej vitit 1997 duke bërë thuajse dy dekada në politikë.

Ajo ka qenë pranë shumë liderëve të Konservatorëve dhe ka qenë gjithmonë afër pushtetit.

May ka mbuluar funksione të ndryshme në ministri.

Rrugëtimi i saj në hije përfundoi në vitin 2010, kur pas zgjedhjeve të përgjthshme David Cameron u shpall kryeministër.

May u shpërblye me Ministrinë e Brendshme.

Në pozicionin e ministres ajo menaxhoi shërbimet sekrete me grusht të hekurt dhe ia doli që të aprovojë në 2014 një ligj që parashikon konfiskimin e pasaportës për të dyshuarit si xhihadistë apo ata që planifikonin të niseshin në Siri.

May ka rënë në sy edhe për pozicionin e saj mjaft kritik përballë emigracionit.

Ajo është shprehur shpesh se kërkon të zvogëlojë emigracionin dhe flukset hyrëse në Britaninë e Madhe.

Sipas saj, emigrantët janë shkaku kryesor i papunësisë dhe rrogave të ulëta.

Tashmë radha e saj erdhi. Pas daljes nga skena të Johnson gjithë partia duket se është mbledhur rreth saj.

Trashëgimia që i ka lënë David Cameron është e rëndë plumb.

Ajo duhet të negociojë daljen e Britanisë nga BE, që është pak a shumë si të shpëtosh Titanikun nga një përmbytje.

Të vdesësh ose të jetosh.

Në betejën për Brexit nuk mbahen të burgosur dhe May duhet ta ketë parsysh nëse nuk do të përfundojë si Cameron apo Johnson./ Përgatiti Amarildo Lumani

TemA