NATO zgjat misionin në Afganistan, Shqipëria dyfishon trupat

NATO do të zgjasë misionin në Afganistan, ndërkohë që Shqipëria është angazhuar të dyfishojë trupat e saj në kuadër të këtij misioni.

Në ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Varshavë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, mori pjesë në takimin për Afganistanin, ku udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse në misionin Resolute Support rikonfirmuan angazhimin për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të Afganistanit.

Zyra e shtypit pranë MPJ-së bëri të ditur të shtunën se vendimi kryesor në këtë takim ishte mbështetja nga udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse, për zgjatjen e misionit më të madh të NATO-s, Resolute Support. Në këtë kuadër, Shqipëria do të dyfishojë numrin e trupave pjesëmarrëse në këtë mision. Ushtarakët shtesë shqiptarë në Resolute Support Mission do të shërbejnë në Herat nën komandën e Karabinierisë italiane, çka është vlerësuar në radhët e aleatëve.

Gjithashtu, ministrja Kodheli mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes për ndërveprueshmërinë. Iniciativa për Ndërveprueshmërinë mes Partnerëve u ndërmor në Samitin e Uellsit në vitin 2014, për të siguruar që lidhjet e thella, të ndërtuara mes vendeve anëtare të NATO-s dhe forcave partnere gjatë viteve, të ruhen dhe të thellohen. Në këtë mënyrë, partnerët mund të kontribuojnë në menaxhimin e krizave të ardhshme, duke përfshirë operacionet e drejtuara nga NATO dhe Forcën e Reagimit të NATO-s.

Në fokus të ndërveprueshmërisë qëndron kontributi në operacionet dhe misionet e drejtuara nga NATO, qoftë duke mbështetur paqen, duke trajnuar forcat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Afganistan, ose duke monitoruar aktivitetin detar në Detin Mesdhe. Iniciativa për Ndërveprueshmërinë mes Partnerëve ka në fokus të saj edhe pjesëmarrjen në stërvitjet e NATO-s. Për të kontribuuar në mënyrë sa më efektive, partnerët duhet të jenë të ndërveprojnë me NATO-n.

Edhe në këtë kuadër, Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj duke qenë pjesë e misionit Resolute Support në Afganistan dhe duke marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta me vendeve anëtare. Në muajin nëntor Shqipëria pritet të bëhet pjesë e operacionit në Detin Egje në mbështetje të Frontex, agjencisë së BE për ruajtjen e kufijve.