LSI: Ngjarja e Rinasit preku sigurinë kombëtare. Të reagojnë institucionet

Grabitja e rreth 1 milion eurove në Aeroportin “Nënë Tereza” ka shkaktuar debate dhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Deputeti i LSI, Luan Rama tha se pas kësaj ngjarje siguria në Rinas është zero, pasi ngjarje të tilla sipas tij nuk kanë ndodhur as në vitin 1997.

Ai theksoi se është cenuar siguria kombëtare e vendit dhe duhet që institucionet të reagojnë në mënyrë të përgjegjshme. Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Socialiste thanë se ngjarja është nën hetim dhe institucioneve duhet tu lihet kohë.

Deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani tha se është cenuar rëndë siguria kombëtare, dhe se në Komisionin e Sigurisë duhet te ishte ne raportim ministri i Brendshëm.

Nga të dhënat e hetimit të ngjarjes rezulton se kompania private që ka detyrë garantimin e sigurisë në Aeroport, nuk ka zbatuar protokollin. Vetë Policia e Shtetit ka publikuar detaje që tregojnë se kompania nuk ka plotësuar kushtet minimale. Nga ana tjetër, kompania ka reaguar sot duke akuzuar policinë, se qëllimisht po sulmon koncesionarin duke shmangur përgjegjësinë e punonjësve të policisë së shtetit.

Kjo përballje e ditëve të fundit pas grabitjes nuk është normale. Institucionet kanë detyrë parandalimin e ngjarjeve të tillë, marrjen e masave dhe zbulimin e autorëve kur ato ndodhin. Nuk ka ndodhur as e para dhe nuk po ndodh as e dyta. Në vend të kësaj, ka ping-pong përgjegjësish që vetëm sa e bënë edhe më të paqartë situatën.

Pjesë nga debatet në Komisionin e Sigurisë:

Luan Rama: Siguria në Rinas është zero, ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur as në vitin 1997. Nuk ka rëndësi shumë e vjedhur, por fakti që në Rinas hyri grupi i armatosur. Është shkelur siguria kombëtare dhe vija e kufirit. Duhet të kërkojmë llogari për masat e marra pas ngjarjeve në Stamboll.

Paulin Sterkaj: Duhet të lëmë hetimet të flasin vetë. Kam bindjen se grupi që grabiti s’ka qenë grup i armatosur, por marrëveshje midis individeve me pozicione te ndryshme.

Asllan Dogjani: Makina e cila u përdor nga grabitësit mund të ishte me eksploziv, duhet të merreshin masa për një mbledhje te jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare. Nesër do të hyjnë në Kryeministri me maska. Rinasi jo rasti i vetëm, i treti që grabiten paratë duke shkuar në Rinas. Edhe kryetari i Komisionit Sigurisë do mbajë përgjegjësi morale se do rritet numri i vrasjeve. Djemtë e politikanëve janë të përfshirë me krimin.

Flamur Noka: Duhet të ishte Ministri i Brendshëm këtu. Zokonisht është krimi ai që fshihet, por këtu po ndodh që po fshihet Ministri i Brendshëm….

Pjerin Ndreu: Flamur, Luan Rama të ka përfaqësuar denjësisht sot…

Luan Rama: Pjerin, po të kishte ndodhur në kohën kur ishe polic i Tiranës do ishe shkaktuar, po ashtu edhe unë si Ministër”. tha Luan Rama.

Pirro Lutaj: Nuk bëj analiza debatesh, komisioni duhet të merret me objektin e saj, ky është debat i bërë jashtë formalizmave, është debat informal. Unë kam parë elementë të kontratës së koncencinarit, që i jep të drejtë absolute për të kontrolluar elementët e sigurisë. Kjo nuk shmang angazhimin e strukturave tona. Opozita do që ta politizojë këtë gjë, duke e lidhur me faktin se strukturat nuk kanë marrë masat e duhura. Grabitja është e rëndë, duhet të nxirren përgjegjësitë, duhen parë kompetencat.

Luan Rama:  “Duhet të kërkojmë llogari, kontroll parlamentar që kanë impakt në institucione si areoporti i Rinasit. Faktet janë të rënda dhe akuza është e rëndë. Referuar njoftimit të policisë së shtetit duhet kontroll parlamentar ndaj instituciove të sigurisë aq më tepër kur një ditë para u paraljamërun masa shtesë të sigurisë. Është e rëndësishme që si mund të hyjë një grup i armatosur në Rinas. Duhet të kërkojmë informacion kush kanë qenë masat e sigurisë” tha ai.” ka thënë ai.

Pirro Lutaj: Organet e shtetit janë të angazhuara në zbardhjen e ngjarjes.

Pjerin Ndreu: A dini ju ndonjë lidhje kush ka qenë në grabitje? Nëse keni shkoni denonconi, mos akuzoni policinë. Duke akuzuar policinë indirekt po ndihmoni grabitësit. Po shoh që shume individë dinë shumë ne këtë komision. Shkoni denonconi.

Luan Rama: Shoh se, po bëjmë protagonizmin duke thënë se çfarë ka bërë një ish ministër apo ish polic. Nuk ndava as Ministrinë e Transporteve e as atë të Brendshme.  Nuk akuzova asnjë.

Xhemal Qefalia: Keni shumë informacione, denonconi se keni dhe shpërblim 30 mijë euro. Tahiri nuk ia ka marrë me dhunë postin Nokës.