Blendi Fevziu: Si guxon Greqia zyrtare të flasë me këtë gjuhë!?

Nga Blendi Fevziu/Ka një qëndrim gjithnjë regresiv, të vjetër dhe tejet demode të politikës greke ndaj Shqipërisë. Një qëndrim që nuk ndryshon as kur klasa politike greke transformohet dhe as kur parrullat për një politikë moderne tentojnë të dominojnë në Athinë. Pak rëndësi ka nëse në pushtet është Papandreu plak apo Papandreu i ri; është Samaras apo Venizellos, apo akoma më keq, Kryeministri i ri dhe me qasje më moderne dhe mendje hapur siç është komentuar, Cipras. E përbashkëta e të gjithëve është një politikë thuajse proteksioniste dhe një qëndrim i hapur racist ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Dje, në kongresin e PBDNJ – së, një parti gjithnjë e moderuar në Shqipëri dhe me kontribut në zhvillimin 25 vjeçar të demokracisë, ai që ka ndezur gjakrat ka qenë këshilltari i Kryeministrit Cipras dhe i dërguari special në këtë event politik. Në vend që të promovonte bashkëjetesën dhe parimet e demokracisë, këshilltari në fjalë i është turrur PDIU – së dhe komunitetit çam, duke përdorur ndaj tyre një llogjikë që do ta kishte zili Stalini dhe Hitleri bashkë. Një mendësi totalitare, refraktare, raciste dhe banale. Ai është shprehur se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve dhe si të tillë, është i çuditur që trashëgimtarët e tyre janë pjesë e koalicionit qeverisës në Shqipëri?! Nuk mund të gjesh një deklaratë më të çmendur, më idiote dhe më mediokre se sa kjo. Nuk i hyj fare debatit historik, por disa parimeve që janë të qarta dhe të aplikuara prej vitesh.

E para fajësia kolektive ekziston vetëm në regjimet diktatoriale, madje ato më ekstremet. Hitleri bëri përgjegjës hebrejtë; Stalini bëri përgjegjës çeçenët, Sadam Hyseini kurdët. Vetëm diktatorët dhe paranojakët mund ta shndrrojnë fajësinë e disa personave në fajësi racore. Pikërisht prej kësaj filozofie kanë lindur masakrat dhe spastrimet më të mëdha etnike të globit. Dhe fajësia kolektive e pretenduar e këshilltarit grek ndaj çamëve nuk dallon fare nga këto mendësi.

E dyta, trashëgimia e fajësisë dhe shikimi me një prizëm të pandryshueshëm të gjërave është një ndër elementët më të këqinj të regjimeve totalitare të majta. Dmth, të bësh përgjegjës djalin, nipin apo stërnipin për gjyshin kjo është thjesht një mendësi e huazuar nga Stalini dhe regjimet komuniste. Të besosh se stërnipi është i keq sepse stërgjyshi i tij ka bërë një veprim që sipas këshilltarit është i dënueshëm, 70 vjet më parë, kjo është çmenduri. Me këtë logjikë Gjermania nuk duhet të ishte në BE sepse gjyshi i Merkelit mund te ketë qenë ushtar i Hitlerit dhe Italia po ashtu duhej të shihej si armike sepse stërgjyshi i Renzit mund të kete qenë një besnik i Musolinit. Me këtë vështrim, historia do ishte e pandryshueshme dhe të këqinjtë do mbeteshin të këqinj përjetë. Kjo nuk ka lidhje as me dialektikën materialiste, por veç me një mendësi ekstremiste të majtë, shartuar me racizëm, peng i së cilës është me sa duket këshilltari i Cipras.

E treta, asnjë njeri politik fqinj, nuk mund të përcaktojë dhe të tregojë se me cilën forcë politike duhet dhe nuk duhet të bëjnë koalicion partitë shqiptare. Ky është një lloj proteksionizmi i pashpjegueshëm dhe një megallomani e patolerueshme. Shqipëria ka vendimmarrjen e saj politike dhe Greqisë i mbetet të jetë e kënaqur ose jo me të. Dy vendet duhet të punojnë për një bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, por jo t’i diktojnë vendimmarrjen njëri-tjetrit. Do ishte po kaq e papranueshme që Shqipëria politike, t’i kujtonte Greqisë vërtitjen me brekë nëpër këmbë nëpër financat botërore, borxhet e pakthyera dhe nivelin fals te jetesës ngritur falë ndihmave të Gjermanisë dhe BE, që këshilltari i Ciprasit i quan nazistë, dhe jo falë punës së tyre.

Dhe së fundmi, është fare e papranueshme që Kryeministri i vendit dhe kryetar i PS Edi Rama dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD Edi Paloka, qëndruan në sallë pa reaguar. Minimumi ishte dalja nga salla dhe më e mira, do ishte t’i tregonin zotërisë në fjalë se me stilet politike të para Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të trazojë një politikë, që me gjithë difektet e saj, është më e hapur dhe më e emancipuar se sa ajo greke sot! Vetë Kryeministri Cipras dhe PBDNJ duhet të dëshmojnë se ky ka qenë një qëndrim dhe opinion personal dhe jo një qëndrim i strukturuar politik. Në të kundërt, ky do të përbënte një skandal real në marrëdhëniet mes dy vendeve! Opinion.al