Armando Sadiku, heroi i Francës nis pushimet në Dhërmi

Futbollistët e kombëtareve kanë nisur të çlodhen, pas përfundimit të rrugëtimit të tyre në Europian. Nëse do mund të zgjidhnin, sigurisht që lojtarët e Kombëtares shqiptare, do i tkurrnin në maksimum pushimet, për të vazhduar sa më gjatë të ishte e mundur ëndrrën Europiane por ajo që ndodhi, ndodhi.

Heroi i Europianit të Shqipërisë në Francë, golashënuesi Armando Sadiku, ka zgjedhur jugun e vendit për të pushuar pas ditëve të mbushura me stërvitje e ndeshje në “Euro 2016”. Në rrjetet sociale, futbollisti nga Elbasani ka postuar foto nga momentet e pushimit në Dhërmi, duke përshëndetur miqtë e tij. Të shpërndarë pranë familjeve, miqve dhe plazheve, ata kanë nisur ditët e pushimit. Kështu ka vepruar edhe golashënuesi i vetëm Armando Sadiku,  i cili ka përshëndetur tifozët e huaj nga pushimet “në atdheun e tij”, siç shkruan ai, duke vazhduar të bëjë edhe marketing turizmi, përveçse sportiv për Shqipërinë.

Ai ndodhet në Dhërmi, ku po shijon Jonin e kristaltë dhe sigurisht, me atë plazh mund të nderohet po aq mirë te miqtë dhe fansat e huaj, sa edhe me golin. Ndërsa tifozët shqiptarë, që po pushojnë këto ditë në Dhërmi, me siguri nuk e kanë lënë t’u shpëtojë nga sytë, futbollisti që ua ngriti zemrat si dallgë, mbrëmjen e 19 qershorit.

Sadiku shënoi golin e vetëm të Shqipërisë në “Euro 2016”, duke i dhënë fitoren ndaj Rumanisë dhe vendin e tretë në grupin A.

R.Sh