Drejtësia në udhëkryq

Nga Sadedin Çeliku/Me sa duket nuk është e thënë të kemi ndonjëherë drejtësi. Populli e do atë, sepse ja ka parë sherrin edhe në sistemin që lamë pas, dhe në këtë çerek shekulli. Politika nuk e do drejtësinë, nuk do reformë për shkak se pasuritë e politikanëve dhe përfaqësuesve të drejtësisë janë vënë mbi padrejtësinë dhe ky sistem e reformë që diskutohet sot i penalizon, i dënon pse jo dhe ja konfiskon pasuritë e vëna me paratë e krimit, me para të pista dhe me pasuritë publike të popullit. E sigurt është se një ditë do vendoset drejtësi por dhe pasuritë e grabitura nuk ka shans njeri ti gëzojë. Popullit i duhet drejtësia, se ka 25 vjet që sorollatet gjykatave për pronat, për zgjidhjen e mbivendosjeve të tyre që po gjyqtarët e bëjnë, për lirimin e kriminelëve nga burgu dhe dënimin e vjedhësve ordinerë edhe kur janë pa faj, e kështu me radhë. Ai e di se të kujt janë vilat, korporatat dhe sipërmarrjet e biznesit dhe cila është oligarkia dhe oligarkët e vërtetë, por ka frikë të flasë se ky sistem drejtësie i mbyll gojën pse jo dhe i burgos.

Ecejaket e opozitës për refuzimin e votimit të reformës në drejtësi e kanë kuptuar tashmë dhe ndërkombëtarët të cilët u lodhën së dialoguari me opozitën që kjo e fundit ta votojë reformën dhe Shqipëria të ecë shpejt në rrugën europiane të integrimit. Në të gjithë këtë zallamahi duket se Kryeministri Rama ka mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Europian, të cilët fajësojnë hapur dhe drejtpërdrejt opozitën e Saliut. Lëvizja Socialiste për Integrim deri tani ka lozur rolin e moderatorit por aksioni i saj politik bie ndesh me interesat e popullit dhe reformën të cilën e voton vetëm kur të arrihet konsensusi politik, veprim i cili u vlerësua dhe u lavdërua nga zoti Sali Berisha.

Problemi që diskutohet në përmbajtje është të ruash interesat e disa personave të korruptuar në kurriz të kësaj padrejtësie apo t’i japish drejtësinë e munguar popullit? Në se është kështu, zoti Edi Rama dhe për shkak të rëndësisë së kësaj reforme duhet t’ia kalojë për miratim popullit pra ta kalojë për miratim me referendum popullor dhe të nxjerrë jashtë loje plëngprishësit, të cilët duan ende drejtësi të korruptuar, drejtësi të varur nga politika, me qëllim ruajtjen me fanatizëm të interesave të disa njerëzve me pushtet.

Ndërkombëtarët u lodhën me qëndrimin aspak të hijshëm të opozitës dhe më duket se po soset durimi i tyre. Vizitat e njëpasnjëshme të personaliteteve më të larta vërtetojnë interesin e tyre për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e sigurt të integrimit europian.  Ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin ndër të tjera theksoi se, sa vështirë është dialogu në Shqipëri dhe mbi të gjitha dialogu i përhershëm. Ajo se kupton ende pse kaq i vështirë është dialogu mes forcave politike shqiptare. Ndërkaq ish ambasadori amerikan Ryerson dhe miku i vjetër i Partisë Demokratike i ka bërë thirrje kësaj force politike të votojë reformën e drejtësisë dhe i kërkoi asaj të tregohet elastike në këtë çështje. Ai e vuri theksoi se ka ardhur koha që lidershipi i vërtetë i partisë demokratike të mos mbetet thjesht një kukull por të marrë përgjegjësitë e kohës.

Drafti që negociohet në thelbin e vet, ka luftën kundër korrupsionit, zhdukjen e pabarazisë që ka manifestuar drejtësia dhe vënien e saj në barazi të plotë për të gjithë njëlloj para ligjit dhe pavarësimi i sistemit nga politika.  Pra synohet një sistem i besueshëm, i drejtë për të gjithë, i pavarur dhe profesional ndryshe në se nuk arrihet, vendi ynë kurrë ndonjëherë nuk do të bëhet shtet dhe ata që do drejtojnë de facto Shqipërinë do të jenë mafiozët. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk duhet të bëjë shumë llogari, përkundrazi duhet ta mbështesë fuqishëm këtë reformë se ajo mëshiron interesat e popullit shqiptar dhe kësisoj nuk i duhet konsensusi i një grusht njerzish që dalin ngaherë kundër këtyre interesave publike.