“Eurosport”: Kombëtarja shqiptare, në nivel evropian!

Përkundër qasjeve dyshuese dhe shpërfillëse në nisje të këtij kampionati europian, thuajse njëzëri flitet tani vetëm pozitivisht për përfaqësuesen e Shqipërisë, skuadrën që i ka befasuar të tërë me atë çfarë ka treguar në fushë.

Në këtë linjë është dhe Eurosporti, që në faqen e vet elektronike, në artikullin “7 të vërteta”, kur vjen puna për kuqezinjtë e fillon kështu: “Shqipëria i përket këtij niveli”. Duke i referuar kësisoj nivelit të Europianit.

Dhe me rreshtave shkruhet: “Ngjitja e jashtëzakonshme e Shqipërisë në rangjet e futbollit europian është vetëm reflektim i pozitës ku shteti ballkanik gjendet sot si një vend futbolli. Kundër pritësve, ata ngjanë tërësisht si të ishin në shtëpi; nëse jo në gjendje për t’u matur me Francën kokë për kokë, së paku në gjendje për ta bërë këtë përballje të denjë për këtë turne të madh”

“Mbrojtësit Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj, i fundit në radarin e Arsenalit, ishin dinamikë dhe dilnin përpara tërë mendim, duke mos e harruar faktin se është disiplina mbrojtëse që e ka çuar ekipin kaq larg. Në krahë, Ermir Lenjani dhe Andi Lila luajtën sikur të dilnin në stadiumin ‘Velodrome’ çdo javë, dhe ashpërsia në mesfushë e Ledian Memushajt u përgëzua me aventurizmin e tij në posedim.

Shqipëria mund të marrë udhën për në shtëpi pas së dielës, por kjo nuk do të jetë hera e fundit që ne i shohim ata në këtë stad…”, shton Eurosport.