Klosi: Të rinjtë, më shumë mundësi për vullnetarizëm

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, deklaroi sot se “ligji i ri i vullnetarizmit të jep më shumë mundësi për ofrimin e vullnetarizmit në institucionet shtetërore”.

I pranishëm në aktivitetin “EVS, një eksperiencë për gjithë jetën” të organizuar nga Përtej Barrierave, SALTO SEE dhe Zyra e Asistencës teknike për programet e BE-së, me mbështetjen e MMSR-së, ministri Klosi theksoi se “ligji i ri i vullnetarizmit të jep më shumë mundësi që nëpërmjet këtyre strukturave të ofrohet vullnetarizëm në institucionet shtetërore, sidomos në qendrat tona të përkujdesit social, të rehabilitimit, që kujdesen për njerëzit e moshës së tretë dhe të kemi mundësi që ta ofrojmë këtë vullnetarizëm në sa më shumë njerëz që duan ta japin atë”.

Ministri Klosi foli edhe për mundësitë e mëdha që i ofrohen lëvizjeve rinore në vendin tonë. Një moment i rëndësishëm, tha ai, është procesi i integrimit i vendit tonë në BE dhe tashmë mundësia që ne kemi si vend kandidat për të aplikuar për një sërë projektesh, të cilat ndihmojnë në kuadër të fondeve të BE edhe organizatat rinore.

Sipas tij, përmes këtyre aktiviteteve duam shumë që këto grupe rinore të lidhen me partnerët e tyre në Bashkimin Europian. “Mundësia e dytë po aq e artë është ngritja e zyrës rajonale rinore në vendin tonë, përsa i përket rajonit, shumë shpejt ne do të bëhemi pjesë e këtij networku rinor dhe në Shqipëri për herë të parë do të ngrihet zyra rajonale e mbështetjes së organizatave rinore dhe të gjitha lëvizjet rinore dhe vullnetare në vendin tonë mund të gjejnë mbështetje”, tha Klosi.

Ky aktivitet ka në fokus promovimin e Shërbimit Vullnetar Europian në 20-vjetorin e tij, si dhe përfshirjen e të rinjve dhe organizatave nga Shqipëria në këtë program.