Euro 2016 dhe Shqiperia*

31 ditë sport dhe biznes, emocione, 1, x dhe 2. UEFA Euro 2016 që zhvillohet në Francë këtë vit i ka të gjitha. Jemi edhe ne aty me Kombëtaren tonë. Për herë të parë. Shpenzime pa fre, imazhe të kuruara, zona fansash, veshje të dedikuara për herë të parë, produkte gjithashtu të personalizuara. Të gjitha për një ëndërr të prekur që do të duam ta mbajmë sa më gjatë.

Nga Elona Bedalli

“Ndalni frymën miq”. Shprehja që një nga komentatorët më të njohur të futbollit në Shqipëri përdor duket se do të na shoqërojë për shumë ditë. Sytë e mbarë shqiptarëve janë drejtuar te 11-shja e drejtuar nga italiani Gianni De Biasi që do të zbresë në fushën e gjelbër për të shkruar historinë, sikundër po e bën me pjesëmarrjen për herë të parë në fazën finale në një kampionat europian. Emocionet pritet të jenë të mëdha teksa krah “La Marseillaise” do të këndohet edhe “Rreth flamurit të përbashkuar”.

Por, ky nuk është thjesht futboll. “Topi” luhet edhe në biznes, në çdo fushë që ky event nxit më shumë të ardhura. Vetë UEFA është treguar dorëlëshuar në Francë, ku kampionati do të thyejë disa rekorde, mes të cilave edhe në shikueshmëri. Për bizneset shqiptare të lidhura me futbollin, kjo është një mundësi e artë dhe si e tillë do të shfrytëzohet. Bankat, agjencitë e udhëtimit, bota e modës, ajo e prodhimit të aksesorëve, baret, bastet, pothuajse të gjithë janë angazhuar për t’i ofruar publikut diçka që ka të bëjë me një pasion siç është Kombëtarja. “Monitor”, në një speciale, sjell detaje nga ky event i madh i sportit europian, që për herë të parë do të flasë edhe shqip.

Birra, baste dhe tifozeri femërore

Dy janë kategoritë e bizneseve që u gëzohen më shumë ngjarjeve të mëdha të futbollit, bastet dhe baret e hapura, që falë ekraneve të mëdhenj të instaluar dhe hapësirës së madhe do të kenë mundësi të joshin sportdashësit. “Truket” për të bërë për vete konsumatorët janë nga më të ndryshmet. “Thashethemet” përhapen lehtësisht edhe me “Facebook” e “Twitter” dhe ky është një detaj që menaxherët e bareve kryesore në kryeqytet kanë ditur ta shfrytëzojnë. Parashikimet e tyre për xhiron janë më optimiste sepse për herë të parë, në këtë event, luan edhe Kombëtarja jonë. Rritja e xhiros parashikohet të jetë në masën 30-40%, po kështu edhe konsumi parashikohet të rritet në këto nivele. Natyrisht kryefjala do të jetë birra. Kjo është edhe pija që frekuentohet më shumë gjatë shikimit të ndeshjeve. Për të shtuar konsumin përdoren edhe strategji të tilla, si: gjatë orarit të ndeshjeve nuk ofrohen pije të ngrohta, për të rritur konsumin e alkoolikeve.

Biznese të ndryshme kanë menduar edhe për “aheng” me muzikë live dhe ku pijet shoqërohen me snack. Janë pikërisht këto mjedise që vihen në “shënjestrën” e marketingut të bizneseve të ndryshme, veçanërisht ato të sektorit të pijeve, telekomunikacionit dhe shërbime të tjera.

Pavarësisht se konsumatorët më besnikë janë meshkujt, edhe femrat nuk mbeten pas, madje shpesh ato bëhen tifozet më të zjarrta.

Drejtuesit e këtyre bareve vënë re se klientët gjatë ngjarjeve të tilla, pasi zgjedhin një mjedis që iu përshtatet shijeve dhe mundësive financiare, i qëndrojnë besnikë deri në fund të Europianit. Madje, ka nga ata menaxherë “ultras” që për ta bërë disi të veçantë frekuentimin, “shpikin” edhe pije të veçanta që ia servirin klientelës, siç janë koktejet me emrat e skuadrave apo lojtarëve të preferuar.

Edhe kompanitë e basteve kanë pritshmëri të larta. Klajdi Malo, drejtues i Eurolloto, thotë se pritet të ketë mjaft interes, aq më tepër që paralelisht ka nisur edhe një tjetër event i madh i futbollit që është Kupa e Amerikës Latine.

Drejtuesit e kompanive të basteve parashikojnë që UEFA Euro 2016 të tërheqë në mënyrë të veçantë edhe vëmendjen e femrave shqiptare, që duket se do të tentojnë të provojnë fatin me skedina. Oraret e transmetimit të ndeshjeve janë të favorshme dhe ky do të jetë një element pozitiv për kompanitë e basteve.

Fitimi i Kupës së Europës në futboll nga Shqipëria ka një koeficient të lartë (501), me renditjen në vendin e fundit, por drejtuesit e kompanive të basteve thonë se çuditërisht ka nga ata që e kuotojnë, edhe pse në shuma të vogla.

Ndërsa në ndeshjet në grupin A (Zvicër, Francë dhe Rumani), sipas koeficientëve, Shqipëria ka më shumë shanse të fitojë me Rumaninë. Koeficientët për ndeshjen me Zvicrën janë: 1) 4.6 x) 3.2 dhe 2) 1.8; me Francën janë : 1) 1.16 x) 3.5 dhe 2) 15.0; ndërsa ajo Rumani – Shqipëri ka koeficientë: 1) 2.00 X) 3.2) 2) 4.00.

Sa u përket basteve online, duhet thënë se nga bankat në Shqipëri nuk ofrohet mundësia që të bëhen pagesa përmes rrjetit të tyre në vend, ndaj dhe ky është një fluks i munguar, si dhe një shërbim që kompanitë e basteve e mendojnë se ka ardhur koha që të ofrohet.

Franca me sloganin “Le rendez vous”

“Takimi”, ky është slogani që është zgjedhur për të shoqëruar një nga eventet më të rëndësishme të futbollit europian.

Në përgjithësi, fushatat e marketingut që i dedikohen kësaj ngjarjeje kanë këta elementë të përbashkët: pasionin për futbollin, grumbullimin, festimin dhe argëtimin.

Kudo shikon të njëjtin skenar: një grup miqsh që flasin e diskutojnë për ndeshjen dhe siç ndodh rëndom… të gjithë sillen si trajnerë, ndërsa sendet në tavolinë bëhen lojtarë për të treguar se cila do të ishte skema më e saktë e lojës.

Çmimet vijnë duke u rritur gjatë momenteve kulmore të pushimit të ndeshjeve.

Agjencitë publicitare thonë se kjo ngjarje (pavarësisht problemeve financiare) shfrytëzohet mirë nga bizneset. Target- grupi ku ata fokusohen janë meshkujt, që shihen si blerësit më të mundshëm. Natyrisht që reklamimi i një detergjenti nuk do të kishte vlerë, në këto raste, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për reklamimin e një makine, destinacioni pushimesh apo një marke të njohur parfumi apo ore. Pra, kryesisht zgjidhen spote publicitare produktesh apo shërbimesh që kanë më shumë karakter “mashkullor”.

Një tjetër sjellje marketingu që adoptohet janë edhe format e shorteve, ku konsumatori nxitet të blejë produkte të ndryshme, me qëllim që të përfitojë dhurata të ndryshme.

Një nga sponsorët kryesorë të Euro 2016 është edhe Uji Tepelena që e shoqëron Kombëtaren prej rreth dhjetë vitesh. Drejtuesit e marketingut të kësaj kompanie thonë se kanë branduar produktet e tyre me elementët e kombëtares. Madje, Uji Tepelena e shoqëron Kombëtaren edhe në qëndrimet në Austri dhe në Francë. Përfshirja e elementëve të Kombëtares që do t’i shoqërojnë produktet e kësaj kompanie kanë tërhequr edhe vëmendjen e tregjeve jashtë vendit, siç është Maqedonia, e cila ka rritur kërkesat.

Nga ana tjetër, si pjesë e strategjisë për të tërhequr konsumatorin është edhe përfshirja e rrjeteve sociale, veçanërisht Facebook, ku me anë të lojërave promocionale mund të fitohen bluzat e Kombëtares. Brandimi i produkteve të kësaj kompanie me elementët e Kombëtares do të qëndrojë në treg pak më gjatë se periudha njëmujore gjatë së cilës do të zhvillohet Euro 2016.

Futbolli nxit blerjen e “ekranit të vogël”

Ngjarje të tilla të rëndësishme të botës së futbollit nxisin edhe shitjet e produkteve të teknologjisë së fundit. Televizorët mbeten pa diskutim një nga më të kërkuarit. Shpesh këto ngjarje përdoren edhe si “pretekst” nga familjarët për t’i rinovuar këto pajisje në ambientet e tyre, duke qenë se edhe ofertat nuk mungojnë. Kërkesë në rritje ka edhe nga bizneset që tentojnë të shkojnë drejt blerjeve të ekraneve të mëdhenj me videoprojektor. Për drejtuesit e kompanisë së shitjeve të elektroshtëpiakeve “Neptun” po bëhen përgatitje

për një volum shitjesh, kryesisht në kategoritë e lidhura më tepër me këtë sport, si: televizorët, projektorët dhe tendat. Ofrohen edhe abonime në platforma televizive, produkte që përmirësojnë përvojën e të parit dhe të përjetuarit të futbollit.

“Këtë herë, ethet e Kampionatit Europian janë më të mëdha për shkak të pjesëmarrjes së Kombëtares sonë, si rrjedhim pritet që një numër i konsiderueshëm familjesh të ndërrojnë televizorët e tyre me modele më të avancuara. Edhe shumë biznese, kryesisht bare dhe pika bastesh, do të sigurojnë përvojë shikimi më të mirë për klientët, duke vendosur ekrane të mëdha apo projektorë për të transmetuar ndeshjet në ambientet e tyre. Prandaj në rrjetin e shitjeve të pajisjeve elektroshtëpiake dhe të teknologjisë pritet të ketë një trend në rritje shitjesh”, thonë drejtuesit e Neptun.

Sipas tyre, kategoria e televizorëve pritet të ketë rritjen më të lartë, duke qenë se lidhet drejtpërdrejtë me këtë event të “nxehtë” europian. “Ka disa kohë që vëmendja është kthyer drejt ekraneve me inch-e të mëdha dhe ndaj televizorëve me tipare të avancuara si Ultra HD, Smart, Oled të harkuar apo 4K, që falë teknologjive të fundit ofrojnë qartësi të lartë imazhi, zëri, kontrast të jashtëzakonshëm, navigim në internet, etj., për të përjetuar një përvojë të veçantë shikimi dhe zbavitjeje”, thonë drejtuesit e marketingut të Neptun. Të lidhur me partnerë zyrtarë, si LG, Sony, Samsung, Grundig etj., kompania ka përshtatur aktivitetet promocionale duke dalë me oferta të dedikuara. Ofertat vijnë te konsumatorët përmes kanaleve të ndryshme të marketingut, si nëpërmjet broshurave (në 13 qarqe), medias tradicionale dhe asaj sociale.

Turizmi, një nga fituesit

Ngjarjet sportive janë një shtysë e rëndësishme për industrinë e turizmit, pasi përkthehen në miliona spektatorë dhe miliarda euro. Mijëra tifozë nisen për të mbështetur nga afër skuadrën e tyre të zemrës. Për vendet mirëpritëse të këtyre ngjarjeve, ky është një rast i mirë për të prezantuar imazhin e ri të vendit, investimet e reja, atraksionet turistike, por edhe për të ndërtuar infrastrukturë të re dhe moderne, që është një aspekt thelbësor i procesit përgatitës.

Vetë UEFA është angazhuar që të rrisin imazhin e Francës si destinacion turistik, pavarësisht ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur në këtë vend. Nga ana e tyre janë ofruar paketa VIP ku përfshihen edhe turet kulturore, për të cilat ky komb është i famshëm. Sipas burimeve zyrtare, UEFA ka shpërndarë programin më të madh të zbatuar ndonjëherë për akomodimin në Francë, ku gjithçka do të ketë në qendër një mega event siç është futbolli. Shërbimi i akomodimit gjithashtu do të përfitojë nga dixhitalizimi. Kuoni, agjencia e udhëtimit (e themeluar në vitin 1906) është zyrtarizuar për të ndihmuar individët dhe grupet të gjejnë hotele. Do të ofrohet akomodim për më shumë se 250,000 net-qëndrime.

Për herë të parë, në një event futbollistik, skuadrat që marrin pjesë kanë katalogun e tyre, listën e hoteleve dhe çdo informacion tjetër të përfshirë në një ueb të dedikuar.

“Kokë e këmbë” me “Mici”

Kostumi i firmosur “Mici” dhe këpucët gjithashtu janë “Mici”.

Ishte stilisti i njohur për kostumet e personalizuara “Made to measures”, Altin Mici, i cili ftoi në bashkëpunim një nga prodhueset më të njohura të këpucëve “made in Albania”, Donika Mici të “Donianna”. E kështu të dy mjeshtrit krijuan uniformën klasike (jo atë sportive) që do të mbajë veshur Kombëtarja shqiptare në prezantimet e saj zyrtare.

Stilisti Mici është shprehur për mediat shqiptare se qëllimi kryesor ishte për t’i dhënë çdo lojtari ndjenjën e krenarisë, besimit dhe komfortit me një veshje “made in Albania”. Një veshje perfekte me tre pjesë në tonalitete të grisë, krijuar në një kohë rekord prej dy muajsh, pas një pune për marrjen e masave të çdo lojtari.

Kostumet elegante në ngjyrë gri, shoqërohen nga këmisha e bardhë, kollare bordo dhe këpucë gri në tonalitet të errët.

Për “Monitor”, Donika Mici thotë se ideja e këtij bashkëpunimi erdhi nga Altini. Në total janë krijuar 46 palë këpucë tërësisht të sponsorizuara nga Mici’s Shoes. Por, gjithkush që do të dëshirojë, thotë znj. Mici, mund të ketë një palë të tilla të bëra me porosi. Për Kombëtaren, u zgjodhën disa modele dhe u përzgjodh një prej tyre që u veçua si më e përshtatshmja për kostumet. “Janë tërësisht speciale”, thotë znj. Mici.

Prej shumë vjetësh, kombëtarja shqiptare e futbollit, krahas kostumeve sportive të paraqitjes, ka pasur edhe uniformën klasike. Por, kjo është hera e parë, që gjithçka është dizajnuar dhe qepur enkas për të gjithë stafin e Kombëtares. Dhe janë të pakta ato kombëtare, uniformat civile të të cilave janë të dedikuara për skuadrën apo vetëm për një event.

Kombëtarja ka edhe një tjetër aksesor të personalizuar, që është ora e dorës. Njëzetetre ora Hublot që kanë në sfond shqiponjën dykrenare. Janë të zeza, qëndrojnë hijshëm në duart e futbollistëve dhe janë praktike. Janë 23 lojtarë të Kombëtares Kuqezi që kanë në dorë një gjë të çmuar, jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për kompaninë prestigjioze zvicerane, por edhe sepse këto ora nuk do të prodhohen më. Janë unike për futbollistët shqiptarë.

Në Francë, Shqipëria vlen 44.2 mln euro

Portali Transfermarkt ka hartuar një listë për vlerën e 552 futbollistëve të skuadrave pjesëmarrëse të Europianit të Francës, ku Shqipëria ndodhet në vendin e 22-të në këtë klasifikim, duke lënë pas Irlandën e Veriut dhe Hungarinë, respektivisht me një vlerë 35.7 dhe 27 milionë euro.

Gjermania është skuadra që ka në përbërje futbollistët me vlerën më të lartë në merkato, 562 milionë euro, ndërkohë që në total, vlera e të gjithë lojtarëve arrin në 4.9 miliardë euro, duke bërë që ky Europian të jetë kompeticioni i tretë më i shtrenjtë pas Champions League dhe Europa League, por në këto dy të fundit, marrin pjesë edhe futbollistë të tjerë që nuk janë pjesë e këtij aktiviteti.

Pas Gjermanisë, në vendin e dytë si përfaqësuesja më e shtrenjtë është Spanja, me 557.5 milionë euro, më pas klasifikohen Belgjika, Franca, Anglia dhe Portugalia. Për sa u përket futbollistëve, te kombëtarja shqiptare, futbollisti më i shtrenjtë është Elseid Hysaj. Sipas Transfermarkt, mbrojtësi 22-vjeçar i cili aktivizohet me Napolin në Serinë A, ka një vlerë 9 milionë euro.

Ndërsa futbollisti më i shtrenjtë është padyshim Cristiano Ronaldo, me një vlerë prej 110 milionë eurosh, i ndjekur nga uellsiani Gareth Bale, me 80 milionë, ndërsa në vendin e tretë është sulmuesi i Gjermanisë, Thomas Muller me 75 milionë euro. Më pas vijnë Robert Lewandowski dhe Eden Hazard, të dy me një vlerë prej 70 milionë eurosh secili.

Sipas Gazzetta dello Sport, Gianni De Biasi arriti të kualifikonte për në Europian një skuadër shqiptare e cila vlen 44.2 milionë euro. Vetëm Paul Pogba vlen sa dyfishi i kuqezinjve, por kjo nuk do të thotë gjë, sepse në dy ndeshjet miqësore të luajtura mes Shqipërisë dhe Francës, këta të fundit nuk arritën të fitonin asnjë prej tyre.

Lojtari më i kushtueshëm në radhët e Kombëtares shqiptare është mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj. Nga faqja e specializuar për vlerat e kartonëve të futbollistëve, Transfermarkt, Hysaj vlerësohet 9 milionë euro. Lojtari me vlerën e kartonit më të ulët në Kombëtaren shqiptare është Ansi Agolli, me 300 mijë euro.

Ndeshjet, e drejta e transmetimit 2 mln euro

Rreth 1 miliard euro parashikohen të ardhurat që UEFA do të grumbullojë nga shitja e të drejtave televizive. Rreth 150 milionë spektatorë do të ndjekin çdo ndeshje. 230 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë do të ofrojnë transmetim direkt të kampionatit.

Në Shqipëri, ndeshjet do të transmetohen nga Top Channel dhe SuperSport. Transmetimet do të mundësohen nëpërmjet platformës IPKO edhe në Kosovë, që nënkupton se mbulimi do të jetë i garantuar për të dy shtetet.

Tirana, për herë të parë me një Fan Zonë

Shqipëria, duke qenë se është për herë të parë pjesëmarrëse në Kampionatin Europian të Futbollit do të mund të ketë edhe një zonë fansash të dedikuar. Ky shërbim i ofruar nga UEFA është blerë me të drejta eksluzive nga kompania Corial.

Sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet prej datës 10 qershor do të transfomrohet në Tirana Fan Zone, një organizim i certifikuar nga UEFA. Në qendër do të jenë dy ekrane të mëdhenj LED që do të transmetojnë ndeshjet e futbollit. Skena do të përdoret edhe për koncerte dhe performanca të ndryshme gjatë ditëve të pushimit të ndeshjeve. Në këtë skenë do të mirëpritet kombëtarja jonë pas kthimit nga Franca. Tirana Fan Zone do të ketë katër pika ku do të shërbehen pije të ndryshme. Në dy pika të tjera do të shërbehen ushqim dhe pije. Terrenet sportive do të jenë të bollshme. Do të organizohen kampionate Sportive të dedikuara Futbollit, Basketbollit, Kampionate Beach-Volley & Beach Futboll. Do të ketë mundësi argëtimi për fëmijët: Flip Tables, Lojra elektronike etj. Nuk do të mungojnë edhe shumë aktiviete sociale. Në një pikë të gjithë tifozët do të kenë mundësi të blejnë dhe personalizojnë bluzën e kombëtares tonë.

Tirana Fan Zone është një organizim tërësisht i ri për Shqipërinë që do të shtrihet në një hapësirë prej 10,000 metra katrorë. Ajo do të jetë e hapur për të gjithë dhe në të parashikohet të kenë me mbi 20,000 vende, në formën, komoditetin dhe emocionin e stadiumit.

EURO 2016, kampionati i rekordeve

UEFA po kalon krizën më të keqe të saj që nga krijimi në vitin 1954, ndaj është më shumë se biznes për imazhin në këtë event.

Kampionati i 15 Europian i Futbollit është një nga më luksozët, me 1.9 miliardë euro. Përpara rënies së tij, Platini prezantoi një format të ri kompeticioni ku do të merrnin pjesë 24 skuadra dhe jo 16 sikundër ndodhte që nga viti 1996. Ky zgjerim prodhon 65% më shumë ndeshje dhe 80% rritje në shitjen e biletave.

Euro 2016 do të gjenerojë të ardhura nga tre burime kryesore: Sponsorizimet, biletat dhe të drejtat e transmetimit, si dhe akomodimi.

Të ardhurat nga sponsorizimet pritet të rriten me 30%. UEFA ka deklaruar se do të fitojë 400 milionë euro nga 10 sponsorët e saj në 2016-n, në krahasim me 300 milionë euro që u gjeneruan nga Euro 2012. UEFA do të fitojë të ardhura nga sponsorët edhe nga disa modele shitjesh të centralizuara, përfshirë këtu nga ndeshjet kualifikuese. Ato u janë shitur 53 federatave kombëtare në baza individuale.

Nga shitja e biletave, UEFA parashikon të fitojë 500 milionë euro. Ndërsa janë hartuar paketa të dedikuara për akomodimin. Programi “Platinum Experience” dhe “Gold Experience”. Shitjet për to filluan që në vitin 2014 dhe u llogaritën 100,000, ku secila kishte një kosto prej rreth 780 euro secila. Organizatorët zgjodhën tre partnerë për të shpërndarë programin më të madh të akomodimit të zbatuar ndonjëherë më parë. Jowl Robuchon, shefi me më shumë yje “Michelin” do të jetë drejtori i kulinarisë; Hédiard është i ngarkuar për kateringun dhe po kështu edhe austriakja DO & CO.

UEFA do të gjenerojë të ardhura nga shitja e të drejtave të transmetimit. Parashikohet të gjenerohen rreth një miliard euro. Në 2012-n, ndeshjet u transmetuan nga 200 shtete me një mesatare prej 150 milionë teleshikuesish. Rreth 2.5 milionë fansa do të ndjekin ndeshjet, nga të cilët 1.5 milionë do të jenë të huaj, ku do të dominojnë ata nga Gjermania dhe Anglia. Fansat parashikohet të shpenzojnë rreth një miliard euro gjatë gjithë turneut. Kjo shifër u llogarit në 1.4 miliardë euro në 2012-n kur kampionati u zhvillua në Poloni dhe Ukrainë.

Sipas Qendrës për të Drejtat dhe Ekonominë Sportive (CDES) kampionati do të kontribuojë me 2.8 miliardë euro në ekonominë e Francës.

Euro 2016 është katalizator për një program masiv të modernizimit që e ka lejuar Francën të zhvillojë një model të ri objektesh sportive. Projekti për ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve kushtoi 1.6 miliardë euro, paratë që u siguruan nga disa burime, kryesisht nga autoritetet vendore, por edhe nga qeveria dhe klubet.

Edhe masat e sigurisë janë tejet të larta me prezencën e 10,000 anëtarëve të ushtrisë. Gael Perdriau, kryebashkiaku i Saint-Etienne, e cila do të presë tre ndeshje në grup dhe një në 16-she, tha se ka lënë “mënjanë” rreth 2 milionë euro për të shpenzuar për sigurinë. (Monitor)

*Titulli i redaksisë