EURO 2004/Historia e europianëve. Greqia në Olimpin e futbollit!

Nga Skifter Këlliçi/(Vijon nga numrat e kaluar)

Nuk kishte ndodhur dhe nuk ka ndodhur ende që në një europian, madje, edhe botëror futbolli, përfaqësuesja e vendit organizator të ndeshet në takimin përurues dhe përmbyllës me skuadrën e të njëjtit vend dhe në të dy rastet të humbasë, për më tepër,  në këtë të fundit, të humbasë edhe titullin kampion, duke pasur tradita në futboll, veçanërisht në arenën ndërkombëtare.

Ndodhi kështu me Portugalinë, mikpritësja e Euro 2004-ës,  e renditur e treta në Botërorin Angli ‘66,  vendi ku në kupat e Europës kishin shkëlqyer “Benfika”, “Sportingu” dhe “Porto”. Pikërisht kjo Portugali befas u përmbys dy herë nga  skuadra e një vendi që ishte llogaritur nga specialistët se mund ta fitonte këtë veprimtari 1 herë në 100, pra bash me  Greqinë që nuk ishte jo më Gjermania, Franca,  Holanda, por as si një nga vendet e tjera ballkanike, si Jugosllavia, Rumania, Bullgaria dhe Turqia, që, siç e kemi parë në këtë seri shkrimesh,  ishin ngritur në piedestale nderi.  Faza finale e Euro 2004-ës u zhvillua nga 12 qershor-4 korrik të vitit 2004 në stadiumet e Lisbonës, Hose Alvalade, (me nxënësi 62. 000 shikues) dhe Estadio do Besa Sekulo XXI (50. 000), Bragës, (30. 000), Guimaraes, (30. 000), Oportos (52. 000), Faro Lules (30, 000) etj.  Por le t’i hedhim së pari një vështrim të shkurtër ndeshjeve në grupet kualifikuese, në të cilat morën pjesë 51 skuadra , 4 më shumë se në Euro 2000,  të zhvilluar në Belgjikë dhe Holandë, të cilat u ndanë në 10 grupe me nga 5 skuadra secila.  Nga këto grupe do të përcilësoheshin fitueset e tyre. 5 të tjera do të dilnin nga ndeshjet midis skuadrave të dyta,  me rezultate më të mira,  që do të zhvillonin në çifte ndeshjet midis tyre,  vajte-ardhje.  Atyre do t’u shtohej Portugalia, si vende si vend organizues.

Në grupin e parë,  pa asnjë andrallë u kualifikua Franca me 24 pikë,  që la pas Slloveninë me 14, Izraelin, me 9, Qipron, me 8 dhe Maltën me 1 pikë. Nuk ndodhi kështu në grupin e dytë,  ku Danimarka arriti të zinte vendin e parë me një pikë më shumë se Norvegjia (15, 14),  e ndjekur nga Bosnja-Hercegovina me 13 dhe Luksemburgu me 0 pikë. Gjithçka në këtë grup u vendos në takimin e kthimit Danimarkë -Norvegji (3-2),  kur i pari kishte përfunduar 2-2.

Çekia në grupin e tretë me 22 pikë la pas Holandën me 21.  Edhe këtu vendimtar për cekët qe fitorja në ndeshjen e kthimit me portokallinjtë 2-1,  kur takimi i parë në fushën e kundërshtarit kishte përfunduar paqësisht 1-1. Austria dhe Moldavia zunë përkatësisht vendin e tretë dhe të katërt,  me nga 9 pikë dhe Bjellorusia u rendit e fundit me 3 pikë.  Në grupin e katërt Suedia hasi te letonezët që nuk kishin traditat e saj, në një “kockë e fortë”. Madje këta të fundit barazuan në fushën e kundërshtarëve 0-0 dhe fituan në ndeshjen e kthimit  1-0, por lanë pikë në takime të tjera. Vendin e tretë e zuri Polonia me 13 pikë,  e pasuar nga Hungaria me 11 dhe San Marino me 0 pikë. Grupi i pestë u fitua lehtësisht nga Gjermania me 18 pikë,  e ndjekur nga Skocia me 14,  Islanda me 13,  Lituania me 10 dhe Ishujt Faroe me 1 pikë. Luftë e ashpër u zhvillua në grupin e gjashtë midis Greqisë dhe Spanjës, të cilat zunë përkatësisht vendin e parë dhe të dytë,  me nga 18 dhe 17 pikë. Është interesant të vihet në dukje se në Athinë fitoi Spanja 2-0, kurse në Madrid Greqia 1-0. (!?)

 Edhe grupi i shtatë u përshkua nga një dyluftim i ashpër midis Anglisë dhe Turqisë, e cila në Botërorin 2002 kishte zënë vendin e tretë, pas Brazilit kampion dhe Gjermanisë nënkampione. Të parët u renditën anglezët me 20 pikë, një më shumë se turqit, epërsi e krijuar pas fitores së arritur në Londër 2-0 dhe barazimit në fushën kundërshtare 0-0.

Dy vende ballkanike “u kacagjelosën” në grupin e tetë-Bullgaria dhe Kroacia,  e cila në Botërorin’98,  zhvilluar në Francë,  kishte zënë vendin e tretë. Të parët u renditën bullgarët, të katërtët në Botërorin USA ‘94, me 17 pikë . Pas kroatëve me 16 pikë u rendit Belgjika me 16 pikë, Estonia me 8 dhe Andora me 0 pikë. Në këtë grup Bullgaria fitoi në Sofje 2-0 me kroatët me dhe humbi me ta në Zagreb 0-1.

Italia bëri një “shëtitje të këndshme” në grupin e saj,  ku me 17 pikë la mbrapa Uellsin me 13,  skuadrën e Serbisë-Mali i Zi me 12,  Finlandën me 10 dhe Azerbajxhanin me 4 pikë. Sidoqoftë,  është për t’u vënë në dukje se në takimin e parë në Kardif, uellsianet “ua prishën oreksin” e axurrëve,  duke i mundur 2-1.

Dhëmb për dhëmb luftuan midis tyre zviceranët dhe rusët në grupin e 10-të dhe të fundit. Ndonëse Rusia barazoi në fushën e kundërshtarëve 2-2 dhe fitoi në Moskë 4-1,  zviceranët u renditën të parët me 15 pikë, pra një më shumë se ata. Vendin e tretë e zuri Irlanda me 11 pikë, e pasuar nga Shqipëria me 8 dhe Gjeorgjia me 7 pikë. ( Si nuk na u ndanë këto vendet e fundit në europianët dhe botërorët e futbollit!). Përfaqësuesja jonë fitoi 3-1 me Rusinë në Shkodër, rezultat  që u quajt sencasion në shtypin evropian,  barazoi 0-0 në Irlandën dhe Zvicrën 1-1  dhe mundi Gjeorgjinë 3-1,  po në Tiranë.  Disa gazetarë rusë që shoqëronin ekipin u thartuan nga humbja dhe në shkrimet e tyre dhe disa,  në vend që të vinin sa duhej në dukje meritat e skuadrës shqiptare,  u morën me gomerët me te cilët fshatarët sillnin perime dhe zarzavate në pazarin e Shkodrës dhe varfërinë që kishte pllakosur në këtë qytet dhe në Shqipëri. Dhe harronin dritëshkurtrit se kjo varfëri ishte trashëgimi e përvojës së komunizmit dogmatik stalinist që Enver Hoxha kishte sjellë nga vendi i tyre,  pra atdheu i sovjetëve,  ku socializmi pas më shumë se 80 vjetësh ishte shembur si kështjellë rëre.  Për 5 vendet e tjera vakante, luftuan çiftet Holandë-Skoci, Kroaci-Slloveni, Turqi-Letoni, Spanjë-Norvegji-dhe Rusi-Uells, ku për fazën finale u përcilësuan të parat,  së bashku me Portugalinë, siç thashë më lart, “zonja e shtëpisë” , pra gjithsej 16 skuadra,  të ndara në 4 grupe.  Në qershor të vitit 2004, kisha mbushur 5 vjet që jetoja në Kuinci, qytet pranë Bostonit dhe me habiti fakti se ndeshjet e këtij evropiani transmetoheshin në një kanal televiziv përsëri me…para.  Bënin përjashtim ndeshjet e Kupës së Kampionëve,  (Chempions Lig), por, çuditërisht,  vetëm ato që luheshin të martave. Për arsye pune nuk arrita t’i shihja të gjitha ndeshjet e këtij europiani. Por,  sidoqoftë,  nëpërmjet internetit në kompjuter njihesha me kronikat dhe komentet e ndeshjeve të tjera, sidomos të së përditshmes italiane “La Gazzeta dello sport” dhe ruse “Sport Ekspres”. Gazetat amerikane,  duke përjashtuar në një farë mase “Neë York Time”-sin, vazhdonin “havazin e tyre”- botonin vetëm rezultatet e ndeshjeve.  Sa për jehonën e këtij europiani te amerikanët e thjeshtë , as që bëhet fjalë. Vështirë të gjeje një ndër dhjetë vetë që të dinin se në stadiumet e Portugalisë zhvillohej… një evropian futbolli, ndonëse 10 vjet më parë  Amerika  kishte  organizuar Botërorin ‘94 dhe se në Botërorin japonezo-korean-jugor 2002, përfaqësuesja e saj ishte përfshirë ndër tetë skuadrat më të mira të botës. Futbolli, që në Amerikë quhet soçer, (soker),  cilësohet edhe sot prej amerikanëve lojë femrash, ndoshta edhe sepse përfaqësuesja e saj ishte është disa herë kampione e botës, dukë përfshirë dhe Botërorin e vitit të kaluar.

 Të vijmë tani te faza finale,  nga ku përcilësoheshin dy të parat të cilat,  si në europianët e tjerë, do t’i i vazhdonin takimet me sistem të drejtpërdrejtë mënjanimi.

Siç përmenda në fillim, Euro 2004, pas një ceremonie madhështore u hap me takimin përurues Portugali-Greqi,  që së bashku me Spanjën dhe Rusinë bënin pjesë në grupin “A”. Askush nuk vinte në dyshim fitoren e pasardhësve të Euzebios, Torresit,  Kolunës,  Simoesit, që i kishin dhënë lavdi Portugalisë,  e treta në Botërorin Angli ‘66, e cila pritej këtë radhë të fitonte titullin kampion! Por befas fituan grekët 2-1. Së pari në 7’ shënoi Karagunisi,  pastaj dyfishoi Basinasi me 11-metërsh dhe golin “e ngushëllimit” për portugezët, madje në minutën e fundit e nënshkroi Kristiano Ronaldo, ylli i të cilit kishte nisur të vezullonte në qiellin e futbollit europian .  Sidoqoftë,  portugezët zunë vendin e parë në grup, pasi përfituan nga edhe humbja e grekëve me Rusinë 1-2.  Ballkanasit u kualifikuan me 4 pikë,  aq sa Spanja,  por me golaverazh më të mirë. Rusia me 3 pikë mbeti e fundit.  Sigurisht që mënjanimi i Spanjës qe krejt i paparashikuar.  Në grupin “B”, Franca mundi “ata të përtej La Manshit”, pra anglezët 2-1. Golin e parë e shënoi Lampardi në 38’,  por ëndrrat e tyre për fitore i shoi Zidani me dy gola të shënuar në kohën shtesë prej katër minutash, të kohës së rregullt, në 91 dhe 93’. Merret me mend zhgënjimi i Lampardit me shokë, që mbetën të dytët me 6 pikë një më pak se francezët. Sidoqoftë,  edhe ata u përcilësuan. Kroacia u rendit e treta me 2 pikë dhe e fundit Zvicra më 1. Dramatik qe grupi “C”, ku Suedia, Danimarka dhe Italia zunë përkatësisht në vendin e parë të dytë dhe të tretë me nga 5 pikë. Gjithçka u zgjidh në ndeshjen e fundit Itali -Bullgari, ku italianëve u duhej të fitonin thellë ndaj bullgarëve. Por kjo fitore e ngushtë 2-1 erdhi në minutën e fundit,  kur shënoi Kasano.

  Ndërkohë,  suedezët dhe danezët,  fqinjë nordikë tradicionalisht “paqësorë”,  e mbyllën takimin e tyre gjithashtu “paqësorisht” në barazim 2-2 , ku u dyshua edhe,  dhe jo pa bazë,  për një kompromis të tyre në dëm të axurrëve. Vendin e fundit e zunë bullgarët me 0 pikë. Habi solli grupi “D”,  ku pa papritur u mënjanua Gjermania, nënkampione e Botërorit japono-koreano-jugor 2002 me vetëm dy barazime, me Letoninë dhe Holandën. Vendi i parë “u pushtua” nga cekët,  me tri fitore tingëlluese ndaj Letonisë,  2-1,  Holandës 3-2 dhe Gjermanisë 2-1. Vendin e dytë me 4 pikë e zunë holandezët.

Faza e çerekfinaleve…

Portugalia u përball me Anglinë. 2-2 pas 120 minutash: Në 3’ shënon për anglezët Oueni. Portugezi Postigan i ngre peshë tifozët, kur arrin ta barazojë një minutë para mbarimit të ndeshjes.  Dhe hareja e tyre arrin “në kupë të qiellit”,  kur Rui Kosta në 110’ shënon golin e dytë. Por kjo hare shuhet,  kur barazon Lampardi në 115’. Vimë kështu te 11-metërshat. Portugezët dalin nga fusha buzagaz: kanë fituar 6-5. Kur rezultati është 5-5, pasi anglezi Veselli gabon,  ashtu si Bekemi, Rikardo është më i qetë dhe u jep fitoren portugezëve, 6-5.   Takimi Greqi-Francë dëshmoi se pasardhësit e Homerit nuk kishin arritur kot deri në këto lartësi të Olimpit evropian. Me një lojë praktike dhe të thjeshtë në dukje ata fituan1-0 ndaj francezëve me gol të Karisteas në 61’.  Dramatik qe edhe takimi Holandë -Suedi. 120 minuta me rrjeta “të pakërcënuara”, por jo pa raste shënimi. Kur rezultati i 11-metërshave është i barabartë 4-4, suedezi Melberg nuk tregohet i saktë,  por jo holandezi famshëm Roben, që ende shkëlqen në radhët e “Bajernit” të Mynihut. Pra, 5-4 dhe holandezët janë në gjysmëfinale. “Makina” portugeze luajti me “marshin e tretë”  kundër holandezëve dhe shpejtësia e saj “prodhoi” dy gola të Kristiano Ronaldos në 26’ dhe 58’. Holandezët u ngushëlluan në një autogol të Andrades në 63’. Por ndërkohë,  edhe Greqia, sikur të luante në tingujt e “Marshit triumfal” nga opera “Aida” e Verdit, mundi Çekinë 1-0,  pas një gjuajtjeje të Dallasit, por veçse në shtesë, në minutën e 103-të. Kështu ata që e përuruan Euro 2004-ën,  Portugalia dhe Greqia,  tani nën drejtimin e gjyqtarit gjerman Merk,  u ndodhën që të dyja përballë njëra-tjetrës, për ta përmbyllur atë.  Pra,  për të dytën herë dhe sërishmi në stadiumin “Hose Alvalade”,  të përmbytur nga 62, 865 shikues “të zjarritur”.  E ndoqa këtë finale një restorant grek, në shoqërinë e shumë shokëve,  midis të cilëve edhe tenori ynë i famshëm,  Xhoni Athanas, që jeton prej vitesh në Boston.

Ta pret mendja,  bënim tifo për Greqinë që po nderonte Gadishullin Ballkanik, në vazhdën e sukseseve që, siç kam vënë në dukje në  shkrimet të mëparshme,  kishte arritur Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Kroacia, madje edhe Turqia. Edhe këtë radhë, përsëri me lojë të thjeshtë , pa bujë,  por edhe me dinakëri, si të na ndërmendte dinakërinë e tyre me kalin e Trojës,  grekët,  në minutën e 57-të pas një goditjeje këndi shënuan golin e tyre të vetëm dhe të kësaj finaleje,  me autor Karisteasit,  i cili,  pas një goditjeje këndi shfrytëzoi një dalje disi të nxituar të portierit kundërshtar, Rikardo,  dhe me kokë e përcolli topin në rrjetë,  gol, të cilin grekët deri në fund e mbrojtën me shpirt në dhëmbë.

Pesë minuta para mbarimit të ndeshjes një tifoz u pa të derdhej në fushë me flamurin e “Barcelonës”,  me të cilin “përkëdheli” fytyrën e dirsur të Figos dhe pastaj u përplas në rrjetën e portës greke. Çuditërisht pas këtij incidenti ishte tamam Figo,  atëherë mesfushor i “Realit” të Madridit, që nuk mundi të barazonte “ njehsimin”. Kështu kundër çdo parashikimi,  “helenët”  gjunjëzuan  portugezët për të dytën herë mu në shtëpinë e tyre dhe u bënë kështu kampionët më të paparashikuar të çdo europiani.  “Greqia hyri në historinë e futbollit , – tha pas ndeshjes trajneri gjerman Rehagel. -Ne zhvilluam një ndeshje të mirë dhe merituam fitoren”. Ishte dhe mbetet i vetmi trajner i huaj që ka fituar një evropian futbolli me një skuadër jo të vendit të tij.

  Merret me mend se çfarë zhgënjimi pësuan portugezët,  jo vetëm ata 62 mijët e më shumë,  në stadium, por miliona edhe në viset më të largëta të atdheut të tyre.  Pamjet filmike tregonin portugezë të thjeshtë që me flamuj në duar,  të cilët pas fitores së sigurt do të donin t’i valëvitnin në ajri,  endeshin si somnambulë nëpër rrugët e Lisbonës,  pa përmbajtur dëshpërimin dhe lotët,  dhe pa u besuar syve se skuadra e tyre nuk ishte ashtu si ua donte zemra- Kampionë e Europës,  titull që nuk e kanë fituar dhe nuk dihet se kur do ta fitojnë.

Kampionët e rinj kishin këtë përbërje: Nikopoloadhis, Seitaridis, Dallas, Kapsis, Fisas, Xhanakopullos, Zagoriakis, Basinas, Kacuranis, Karisteas, Vrizas. Trajner, Renagel, (Gjermani).

Golashënuesi më i mirë, Barosh (Çeki), me 5 gola. Futbollisti më mirë u cilësua Theodoros Zagorakis, (Greqi). Skuadra simbolike e zgjedhur nga UEFA: Portierë:Ceh, (Çek), Nikopolodis,  (Gr) Mbrojtës:Kembell. (Angli), Karvajo, (Port), Koul, (Angli), Dellas, (Gr ), Melberg, (Sued),  Seieitaridis,  (Gr), Xambrota, (Itali).

Mesfushorë:Ballak, (Gjer), Figo, (Port), Lampard, (Angli), Manicke, (Port), Nedved, (Çek. ), Zagorakis, (Gr), Zidan, (Fran), Sulmues:Barosh, (Çek), Kristeas,  (Gr), Larson, (Sued.), Van Nestelroi, (Holl. ), K. Ronaldo, (Port.), Runi, (Angli), Tomason, (Dan). Katër vjet më pas në Euro 2008 do të triumfonte Spanja, por për të dytën herë.

(Vijon në numrin e ardhshëm)