Ja pse kualifikohet Shqipëria

Nga Taulant Halili

Kombëtarja shqiptare është surpriza më e madhe e Evropianit “Francë 2016-të”, aq sa ka tërhequr vëmendjen e mbarë mediave evropiane dhe analistëve sportivë.

Shqipëria bën pjesë në grupin A, së bashku me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, dhe të paktë janë ata që besojnë se kuq e zinjtë do të mund të kualifikohen për më tej.

Por për të gjithë skeptikët ne do ju japim arsyet, se pse Shqipëria do të kalojë grupin dhe do të jetë pjesë e 1/16.

Shqipëria ndeshjen e parë do ta zhvillojë përballë kombëtares zviceriane, e cila tashmë nuk ka më shkëlqimin e dikurshëm. Përveç Shaqirit dhe Granit Xhakës, kombëtarja zviceriane ka një ekip të madh në moshë.

Shqipëria është një nga kombëtaret me moshën mesatare më të re në këtë Evropian, si dhe 23-shja kuq e zi prej disa vitesh luajnë të bashkuar dhe e njohin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit.

Përveç Francës, dy skuadrat e tjera Zvicra dhe Rumania janë të barabarta me Kombëtaren tonë.

Në ndeshjen me Ukrainën (një skuadër kualitative e abonuar së fundmi në kompeticionet e mëdha), Shqipëria tregoi se di të luajë futboll edhe të sulmojë, kur është i duhet goli. Shumë ekipe në këtë Evropian nuk janë më të forta se sa Ukraina.