Lorik Cana flet për UEFA-n: Duam t’i bëjmë të lumtur shqiptarët

Lorik Cana ka dhënë një intervistë për faqen e UEFA-s, ku ka rrëfyer të gjitha emocionet e tij për kualifikimin me Shqipërinë në Euro 2016. Kapiteni është i bindur që kuqezinjtë do të paraqiten mirë, pasi mbajnë mbi supe përgjegjësinë e përfaqësimit të një kombi të tërë.

“Kjo ka qenë një ëndërr për këdo, jo vetëm për ne futbollistët, por edhe për ata që e duan futbollin, apo edhe ata që nuk e duan, pasi e dinë se çfarë përfaqëson kombëtarja jonë. Unë e di se sa shumë i rëndësishëm është ky ekip për vendin tonë, të mbledhur rreth një fanelle, rreth një simboli dhe mesazhin që u dërgon të tjerëve, që ne shqiptarët mund t’i japim gjëra të mira Europës, kontinentit tonë, ashtu si edhe botës. Kjo është një arritje e shkëlqyer. Objektivi ynë kryesor ka qenë të përfaqësojmë vendin tonë dhe të lumturojmë njerëzit tanë. Mes shumë viteve sakrificë, lodhjesh, humbjesh, fitoresh dhe luhatjesh, ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë dhe kemi arritur që ëndrrat e shqiptarëve t’i bëjmë realitet”.

Më pas kapiteni i Kombëtares ka folur edhe për punën e bërë nga De Biasi.

“Ai e kuptoi që në fillim këtë punë dhe është një person i shkëlqyer që do të lërë shenjë në historinë e futbollit shqiptar. De Biasi i është përshtatur mentalitetit shqiptar, duke marrë pjesët më të mira dhe duke lënë jashtë ato të këqijat. Ai gjithashtu na ka mësuar shumë gjëra. Unë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të dhe jemi munduar ta ndihmojmë në maksimum. Pjesa më e madhe e lojtarëve tanë flasin italisht dhe përkthejnë për të tjerët që nuk e dinë këtë gjuhë”. Në fund ka folur edhe për pritshmëritë. “Çdo skuadër shkon për të fituar dhe kjo gjë vlen edhe për ne. Nëse kjo është e mundur dhe cilat janë shanset tona, kjo është çështje tjetër. Ne duam të luajmë lojën tonë dhe të tregojmë vlerat që kemi shfaqur në vitet e fundit, gjërat që na ndihmuan të kualifikoheshim”, ka përfunduar Cana.