Zoti Kryeministër! Më detyroheni 50 mijë lekë!

Nga Manjola Zeka

Kjo është një histori e 13 viteve më parë. Prej vitesh mbuloja problemet sociale në gazetën “Koha Jonë”. Intervistat, reportazhet, portretet njerëzorë, ishin bërë pjesë e përditshme e punës sime, ishin bërë pjesë e gazetës. Në vitin 2003, Edi Rama rizgjidhet për të dytën herë, Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Zhak, lidhu si të duash me znj. Aneta (mamaja e z.Rama) dhe shko nesër merri një intervistë. Edi Rama dy herë Kryebashkiak, njeri që e duan të gjithë etj., etj.”- më thotë Edi Lesi, kryeredaktor atëkohë i KJ.

Në rregull, -i them unë, do mundohem.

Menjëherë drejtohem te telefoni  i redaksisë, për të gjetur numrin fiks të shtëpisë së znj.Aneta Rama (celularët ishin ende mjete luksi). Të them të drejtën realisht, duke shkuar për të telefonuar, po e ëndërroja këtë intervistë. Ishte një mundësi e mirë për të hapur gazetën. Ata që kanë punuar në “Koha Jonë”, e dinë dhe më kuptojnë; gjithçka e sektorit tim, e kolegeve të mia “degdiseshin” diku nga faqet 10-14 e më tutje. “KJ” ishte politike. Sigurisht, kisha ambicie, ego dhe jo pak herë edhe shfryja me “bashkëvuajtëset” për ata që mbulonin sektorin politik, pasi edhe një deklaratë të rëndomtë deputeti, e kishin të sigurt faqen e parë…

E gjej shpejt numrin e telefonit. Më përgjigjet një zë shumë i qetë. Pasi më dëgjon me vëmendje, kupton për çfarë është fjala dhe më përgjigjet me mirësjellje: “Po patjetër, hajde nesër në orën 16:00”.

Me frymën që po më merrej, me mendjen që kishte nisur projekt-intervistën, lajmëroj Edin se nëna e Edi Ramës kishte pranuar intervistën. Edi menjëherë lajmëroi Nikollën. Bukur. Isha e sigurt që do kisha aperturën e gazetës…

Shtëpinë e gjeta pa problem, pa shkuar te 21 Dhjetori, pyeta dhe ma treguan. Të jem e sinqertë nuk e mbaj mend se kati i tretë se i katërt, ngjita shkallët  dy e nga dy.

Te dera më priste znj. Aneta.

E dini çfarë më bëri përshtypje sapo hyra brenda. Një palë shapka të stërmëdha, që rrinin te një nga dyert e shtëpisë (në të qindtën e sekondave mendova me vete, se mund të jenë shapkat e z.Rama me këtë numër “të llahtarshëm” 44 a 45).  Hymë në kuzhinë. Ishte qetësi e madhe, vetëm zhurma e tenxheres me presion dëgjohej. (Po e shikoja dhe atë, hej zot thashë me vete, po kjo edhe sikur të ishte blerë tani në dyqan nuk do shkëlqente aq shumë. Pastaj sytë më vajtën te frigoriferi, dera ishte e mbushur me fruta të ndryshme, nga ato që ngjiten). Pasi u ula, në një nga divanet, znj. Rama më qerasi dhe direkt u fut në temë. Dëgjo më tha: E di që të mundova, por më duhet të them, se ndryshova mendje, nuk e bëjmë dot intervistën. Nuk kam ça të them, nuk më pëlqen të flas për punët e Edit. Të kërkoj falje që të thashë po… Sikur të më kishte goditur me atë tenxheren që valonte nuk do më kishte dhembur e djegur më shumë. -Jo,- i thashë nuk ka problem, fundja ju jeni që e vendosni. Po rri dhe pak dhe po iki… E dija e dija, i biri nuk e kishte lënë, isha e sigurt. Edi Rama kryebashkiak, nuk donte që mamaja e tij të jepte intervistë. Koka po më ziente duke menduar redaksinë, gëzimin si u nisa dhe dështimin, por edhe Nikollën që kishte gjithë ditën që thoshte: Kur do të shkojë Manjola tek Aneta, a u nis…

E mblodha veten. Dhe nisa një bisedë të shtruar me atë grua. Mbi dy orë. Më rrëfeu të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme nga jeta e djalit të saj apo dhe “halleve” të tjera, kryesisht të Edit. Sigurisht që, më vinte për të qarë për atë mundësi që po më ikte, por e kisha dhënë fjalën. E para se të isha gazetare, isha njeri, isha malësore. Nuk do të botoja gjë. –Po ngrihem, -i thashë pas një kohe.

Ajo:- Manjola të lutem, se mos shkruan gjë, unë fola më shumë seç duhet, por siç duket na shkoi shumë muhabeti bashkë, të lutem se mos shkruan gjë nga këto që të thashë.

Unë:- Znj. Aneta (apo teta Aneta, s’më kujtohet) mos ki merak, nuk shkruaj gjë. Këto nuk ishin për intervistë. Ne malësorët dimë ta mbajmë fjalën.

E përqafova dhe ika.

Zdrap-zdrap ika në redaksi. Fytyrën e kisha për ibret. -Hë më tha Edi, e more. -Jo i thashë, kishte ndërruar mendje, kam tri orë që e pres dhe më në fund, pasi më kërkoi falje më tha, që nuk dua të flas.

Mos, -tha Edi, Nikolla ka lënë katër faqe, hajde dëgjo Nikollën. Mirë, mirë mos u mërzit,- më tha.

Në atë moment dëgjoj Nikollën në shkallë se kujt i fliste: Nuk më duhet gjë mua Sanija, Sadushi.. Manjola Zeka ka ardhur në redaksi?

-Këtu jam Nikollë i thashë. Ndërhyn Edi. -Eee, nuk e ka mbajt fjalën Nikoll, i ka thënë që nuk jap intervistë.

-Me kë talleni ju, -fillon e ulërin Nikolla, a më thatë që ishte dakord. Janë katër faqe gazete që i kisha lënë për këtë punë, me ç’të dal si lajm i parë dhe ikën në zyrë duke u grindur.

Kur Nikolla eci pak, i them Edit me të qeshur: Aman se nuk u bë nami, vër një foton time dhe thoni, gazetarja filan bëri aksident duke shkuar të merrte intervistën… Ndërkohë që flisja, Nikolla kishte mbërritur sërish te salla e gazetarëve dhe më kishte dëgjuar dhe më thotë: Manjola shko në shtëpi sot, ke gjobë 50 mijë lekë…

Edit i ndryshoi çehrja. I thashë: “Pa problem, jam aq e lodhur sa mirë bëri. E sa për gjobën, dale të na japë rrogat njëherë”, dhe ika duke qeshur…”.

Kjo është një nga historitë e shumta me të cilat është mbushur gazeta “Koha Jonë”. Sigurisht, nëse do isha treguar “e pabesë” ajo intervistë do ishte një perlë në arkivin e “KJ”, madje, edhe po ta shkruaj sot ka plot gjëra interesante. Por sigurisht që gjithçka e folur me meje dhe znj. Aneta do të mbeten në atë kuzhinë. Megjithatë, sot dua t’i kërkoj ndjesë mikut tim Edi Lesi. Dua t’i kërkoj ndjesë edhe Nikollës dhe t’u uroj: Gëzuar 25-vjetorin e “Koha Jonë”.

PS: Z. Kryeministër, kur morëm rrogat, mbaj mend që më ishte mbajtur 50 mijë lekëshi i gjobës. Dhe faji ishte i yti…