10 veprime që dëmtojnë dhëmbët

Thuhet se një buzëqeshje e bukur na bën të dukemi 10 herë më të pasur.

Pavarësisht kësaj, shumë prej nesh i dëmtojnë dhëmbët falë disa zakoneve të përditshme, si konsumimi i frutave të thata, apo i kafes me shumicë.

Sipas ekspertit Tariq Idrees, njerëzit bëjnë disa gabime të thjeshta që shkaktojnë dëmtimin.

Për “DailyMail”, ai zbulon 10 veprime që nuk duhet të bëni, nëse kërkoni që dhëmbët tuaj të jenë të bardhë dhe të shëndetshëm.

Ngrënia e akullit tek pijet

Temperatura e ulët tek kubat e akullit mund të shkaktojnë fraktura tek dhëmbët. Ato mund të shkaktojnë çarje mikroskopike të smaltit, që mund të çojnë në probleme edhe më të mëdha, me kalimin e kohës. Grimcat e akullit janë më pak të dëmshme sesa kubat e mëdhenj.

Frutat e thata

Frutat e thata janë tepër të dëmshme për dhëmbët. Ato kanë aciditete me shumicë, por ajo që i bën edhe më të dëmshëm është fakti se ato ngjiten dhe rrinë tek dhëmbët.

Vera

Vera është kryesisht e dëmshme për dhëmbët, pasi bëhet nga rrushi dhe ky i fundit është një frut me aciditet.

Disa lloje verash janë më të këqija se të tjerat, për shembull e bardha ka më shumë aciditet se e kuqja dhe verat e gazuara, si proseko, janë edhe më të këqija, pasi gazi vepron gjithashtu si acid.

Gjëja më e dëmshme që mund të bëni është që ta mbani për pak sekonda në gojë verën, pasi e vetmja gjë që do të përfitoni është që do t’i mbushni dhëmbët me acid.

Ujë i ngrohtë, limoni, çaji dhe kafja

Jo vetëm që lënë shenja në dhëmbë, por edhe i dëmtojnë deri në rrënjë.

Noti

Kujdes nga noti në pishinë, sidomos nëse e bëni shpesh këtë veprim. Kjo pasi kimikatet që hidhen në pishina, sidomos klori është shumë i dëmshëm për smaltin.

Më e mira që mund të bëni është ta mbani gojën mbyllur, kur notoni ose më mirë akoma të bëni not në det.

Përdorimi i furçave të forta

Disa mendojnë se përdorimi i furçave me sipërfaqe të ashpër, pastron më mirë. Në fakt është e kundërta dhe sidomos tek të rriturit, mund të shkaktojë dëmtime serioze të smaltit.

Larja e shpeshtë e dhëmbëve

Larja e dhëmbëve dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë është e mjaftueshme. Të larit më shpesh mund të çojë në dëmtim të dhëmbëve.

Të ngrënit fruta me tepricë

Frutat kanë aciditete me shumicë dhe tepër të dëmshme për dhëmbët. Janë një pako plot me sheqer, ku ushqehen bakteret dhe prodhohet acid me shumicë.

Piercing në gjuhë dhe buzë

Është tepër e zakonshme tek ata që kanë piercing të dëmtojnë dhëmbët e tyre duke ngrënë.

Përdorimi i dhëmbëve si mjet

Shumë prej nesh i përdorin dhëmbët si mjet për të hapur gjëra, për të heqyr manikyrin etj. Këto veprime nuk janë aspak të shëndetshme. /tvklan.al