Feja e shqiptarit

“Në rastin më të mirë për ta përdorur si vitrinë që mbulon antagonizmin absurd të politikës me bashkëjetesën paqësore të feve. Që fsheh arrogancën e padurueshme të saj me mbulesën e tolerancës që sjell besimi. Dhe në rastin më të keq, për ta përdorur atë për një grusht votash më shumë”,…

Nga Lorenc Vangjeli

Komunizmi i djeshëm shqiptar ishte i dashuruar mbas parrullave dhe sloganeve. Shumica ishin citate të klasikëve të marksizmit dhe të Hoxhës. Ndër të tjera thënie, që nuk ishin as parrulla dhe as slogane dhe që komunistët e përdornin shumë shpesh dhe me shumë dëshirë, ndoshta dhe më e keqkuptuara dhe më e përdorura nga ta ishte: Feja e shqiptarit është shqiptaria!

Sot, në një realitet krejt tjetër, edhe kjo shprehje lapidare, merr një kuptim të ndryshëm. Për të gjithë. Edhe për kryeministrin e vendit, Edi Rama. Në fundin e javës së shkuar, ai mbajti një fjalim të pazakontë. Për një temë disi të pazakontë dhe që ngjalli reagimin e zakontë në Tiranë: zhurmën e madhe dhe rreshtimin e menjëhershëm pro dhe kundër. I ftuar në ceremoninë kremtuese të Ditës së Lindjes së Profetit Muhamet, Rama lexoi një fjalim jashtëzakonisht të artikuluar. Në stilin e tij të zakonshëm. Një fjalim i përshtatur jo thjesht dhe vetëm për audiencën që e ndiqte në sallë dhe jo thjesht dhe vetëm për publikun që e shihte në transmetim live. Rama citoi Kuranin e Shenjtë dhe shenjtë katolikë, mistikë shqiptarë dhe Mbretin Lir të Shekspirit, citoi studiues dhe ricitoi vetveten, ju referua të shkuarës për të folur për globalizmin dhe relativizmin e të sotmes dhe të ardhmes; për minuta të tëra ai bëri një ushtrim oratorie që ngjante edhe si një leksion profesori filozofie, edhe si një predikim njeriu me zhgun, raso, xhybe e taç në kokë në të njëjtën kohë. Në një bashkëjetesë dhe me një bashkejetesë të përkryer, formësuar tek një individ i vetëm, në të njëjtin stil që bashkëjetesa dhe toleranca fetare ushtrohet nga shoqëria shqiptare.

Mjeshtër i formës dhe dishepull i bindjes për epërsisë e formës mbi përmbajtjen, diku nga fundi i fjalës së tij, Rama kujton epërsinë e detyrës publike si kryeministër mbi dëshirën vetjake për të dëshmuar erudicion dhe elokuencë: “Unë besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare…”. Kjo ishte fjalia magjike e tipit vagon i parë që u ndoq nga dhjetra vagonë të debatit publik.

Kjo ishte pika që derdhi një gotë për të cilën të gjithë betohen se ishte dhe është bosh.

Duke nisur në fillim me keqkuptimin e atyre që as nuk kanë mundësi të dëgjojnë dhe të kuptojnë deri në fund një kumt politik, duke vazhduar me ata që e kanë të ndarë mendjen se si do të komentojnë, pavarësisht natyrës së kumtit dhe varësisht atij që e thotë atë e deri tek shumë zëra racionalë që dinë të dallojnë më shumë se dy ngjyrat e zakonshme bardh e zi. Fatmirësisht këta zëra të fundit vazhdojnë të jenë ende shumë të fortë dhe të pranishëm, si për ta bërë më të plotë korin shpesh kaotik të mendimit publik e mediatik shqiptar. Një pjesë e të cilit sillet shpesh si gozhda përballë çekiçit: edhe ngulet e bindet, edhe reziston e çan dërrasa dhe dërrasën e rradhës.

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë në “heshtje” dhe që “papritur” kryeministri e nxorri në dritë? Eshtë një projekt i Ministrisë së Arsimit që ka muaj që diskutohet. Eshtë një realitet që në forma dhe mënyra të ndryshme e gjen në të gjithë sistemet arsimore të vendeve të Bashkimit Europian. Eshtë një dokument që është hartuar në frymën e dialogut ndërkulturor e cila përshkon Dokumentin e Bardhë të vitit 2008 të Këshillit të Evropës dhe e ripërsëritur vit mbas viti. Por që në dy vjetët e fundit, është bërë edhe më emergjent. Po sipas “eksportit” evropian në Tiranë, ky projekt do të mundësojë afrimin e “…njohurive, por edhe kultivimin e ndjeshmërisë, reciprocitetit dhe emocionalitetit për të luftuar paragjykimin, intolerancën, fanatizmin dhe racizmin…”. Ai do të pilotohet në dhjetë shkolla në të gjithë vendin, në klasat VI dhe X, me një modul semestral dhe me rreth 20 tema mësimore. Klasat e tjera do të mund të zhvillojnë tema për respektin fetar, për luftën kundër dhunës, radikalizmit fetar e diskrimimin si domosdoshmëri për të garantuar paqe. Dhe mbi të gjitha, mësimi në një vend laik si Shqipëria do të bëhet nga mësues dhe jo nga klerikë. Eshtë njëlloj si në rastin kur të studiosh marksizmin si filozofi, nuk bëhesh komunist apo të studiosh historinë mbi nazifashizmin nuk do të thotë se shndërrohesh në nazist. Njëlloj si të kesh tagrin e deputetit nuk bëhesh dot politikan dhe të dish shkrim e këndim, e të mundësh të botohesh diku, nuk do të thotë se je dhe gazetar.

Kaq i thjeshtë është diskutimi që po bëhet në Tiranë ku është thirrur në apel dhe po i bëhet apeli karakterit laik të shtetit. Por nuk është vetëm kështu. Dhe as nuk fillon dhe as nuk mbaron këtu. Kryeministri pati një plan të qartë që nuk përfshinte Tiranën dhe nuk përfillte opinionin në Tiranë, sa kohë kishte llogaritur përmasën “emancipuese e të guximshme” që do të shfaqte në Perëndim ky akt në vendin me disa fe zyrtare dhe me myslimanizmin si fe në shumicën e popullatës. Ja thanë pak a shumë të mërkurën dhe në Uashington një gjë të tillë. Tema e islamit të moderuar dhe lufta kundër terrorizmit që prodhon islami i deformuar, është jashtëzakonisht tërheqëse për kancelaritë evropiane dhe amerikane. Rama duke folur në Tiranë për një temë të tillë, i ka dhënë vetes pikërisht këtë tipar tërheqës. Edhe për t’u identifikuar në rajon si evropianisti që drejton vendin – vitrinë që tregon sesi duhet sjellë me islamin në veçanti dhe me fenë në përgjithësi.

Deri këtu sërish nuk ka asnjë të keqe, përjashto faktin se drejtuesit shqiptarë, si rregull, interesin dhe fatin e tyre vetjak e dashurojnë pafund. Rama nuk bën përjashtim  në këtë pikë, ai është i gatshëm të eksperimentojë me të tërën për hir të pjesës. Por dje dhe sot dhe sidomos nesër, vlen të shihet një aspekt shumë më i ndërlikuar që të paktën për momentin nuk është përmendur. Dhe ai ka të bëjë me raportin delikat dhe shumë shpesh të frakturuar në Tiranë mes politikës dhe feve.

Mes tentativës së pashtershme të të parës për ta përdorur të dytën.

Në rastin më të mirë për ta përdorur si vitrinë që mbulon antagonizmin absurd të politikës me bashkëjetesën paqësore të feve. Që fsheh arrogancën e padurueshme të saj me mbulesën e tolerancës që sjell besimi.

Dhe në rastin më të keq, për ta përdorur atë për një grusht votash më shumë.

Shembujt janë të pafundëm. Mjafton të kujtohet mënyra sesi janë ndërtuar apo janë në ndërtim faltoret kryesore të besimeve fetare në Tiranë. Shtëpia e parë e Perëndisë që u ndërtua në Tiranë, ishte Katedralja Katolike. Ishte një kohë kur politika në vend, edhe pse arkaike, ishte njerëzore dhe larg llogarive meskine dhe ndaj debati mbi të ishte fare periferik. Kurse dy faltoret e tjera, Katedralja Ortodokse dhe Xhamia e Madhe e Tiranës, kanë kaluar në kalvare të vërteta tmerri jo thjesht burokratike. E dyta, madje, që i përket edhe komunitetit më të madh fetar në vend, mezi mundi të nisë punimet vetëm vitin e kaluar. Si një kurban që ju bë për një kohë të gjatë rivalitetit politik të vendit, si një “monedhë” që politika e përdori gjatë në këmbim  të votave. “Ju japim xhaminë po të votoni për ne”!, ky ishte kumti që jepte edhe e majta, edhe e djathta në vend që sherrin për vota mes tyre, e transferonin lehtësisht edhe me projektin e Xhamisë së Madhe. Po në një kalvar mundimi ka kaluar dhe ndërtimi në Kryegjyshatën Bektashije në Tiranë. Dhe ky është problemi real që duhet të përballohet para së gjithash në Tiranë.

Në një kohë gjithmonë e më të pasigurtë, kur pasiguria “garantohet” edhe në zemër të Evropës nga ekstremizmi fetar, Shqipëria nuk mund të mbetet e paprekur. Ajo është e detyruar të prekë edhe tema të tilla tabu: mësimi i historisë së fesë në shkolla është një mjet për ta garantuar atë. Si pjesë e dijes dhe dija si një instrument që ndriçon. Dhe që mund të ndihmojë në mposhtjen e ekstremizmit, në zbutjen e dallimeve dhe në rritjen e solidaritetit mes të ndryshmëve.

Vetë siguria është si shëndeti: për të shumëkush kujtohet mbasi humbet. Ndaj e gjithë kjo çështje është shumë herë më delikate sesa një paragraf në fjalimin e kryeministrit. Eshtë shumë më shumë se një përdorim i thesarit të brendshëm, për të siguruar një duartrokitje të jashtme. Nevojitet shumë më shumë debat publik, transparencë, seriozitet dhe gjithëpërfshirje në qasjen që është e pandryshueshme: Shqipëria mbi të gjitha! Edhe mbi besimet. Dhe natyrisht, edhe mbi zgjedhjet e zgjidhjet individuale apo fate individësh! Për të bërë dhe diferencën domethënëse të demokracisë së sotme hibride me komunizmin e djeshëm solid që “tallej” me vendin edhe me parrulla, edhe me citate e slogane. Edhe pse ndonjëherë, sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë!   Edhe Shqipëria natyrisht që ndryshon. Por Shqipëria nuk merr çdo herë portretin e njerëzve që ju jep me qera pushtetin njëherë në katër vjet. (Javanews.al)