Pse heshtet për “Qipro depozitat”

Nga Xhovani Shyti

Qënia në fokusin ditor mediatik e skandalit “Panama Papers” është e përligjur nga vete fakti se ai përbën më të madhen aferë korruptive financiare globale, ku përfshihen edhe burrat më të fuqishëm të planetit. Megjithatë, në aspekt të interesit që ka publiku ynë për të ditur strofën, ku fle lepuri shqiptar i këtij lloj skandali, “Panama Papers” paraqet më pak interes se”Qipro depozitat”, pra  depozitat bankare qipriote, të cilat, jo pak herë janë lakuar, madje vazhdojnë të lakohen, si parajsa fiskale, strehuese të parave të pista të pushtetpolitikanëve shqiptarë.

E megjithatë, çuditërisht, “Qipro depozitat” vazhdon të mbetet një temë tabu, mediatike dhe institucionale, ndonëse është e sigurt se po të gërvishtet do të nxjerrë në dritë shumë më shumë emra shqiptarësh të përfshirë në offshoret korruptive sesa ndodhen, apo pritet të dalin në listat e “Panama Papers”, kur të hapet loja ballkanike e të përfshirëve në këtë skandal.

Që kur ka plasur skandali  “Panama Papers” e deri më sot maja prej gozhde trari e penës mediatike është fiksuar tek vetëm një emër: Ismail Mulleti, i rezultuar shqiptari i vetëm, pjesë e derisotme e listës së zezë, dhe të gjithë çekanët mediatike, madje edhe institucional, bien mbi të.

Vazhdojnë të gjëmojnë veç mbi Mulletin e vipat globalë të listës së “Panama Papers” edhe kur dikush, si ish shefi i Shërbimit Sekret (SHIK), Fatos Klosi hedh si bombë lajmin se institucioni që ai ka drejtuar, prej disa vitesh, u ka raportuar qeverive të kohës ekzistencën e “Qipro depozitave”, dhe qënien e bankavet të saj lavatriçe pastrimi e parave të pista të pushtetarëve tanë.

Një sekret-lajm ky që sigurisht do të ishte shqetësues e do të provokonte trazira në çdo vend tjetër, një lajm do të hapte jo vetëm debat të ashpër, por do të ndizte protesta masive hesapkërkuese, një lajmbombë që do të alarmonte krerët e qeverive, që do të mobilizonte hetimin, njësitë mbikqyrëse të operacioneve të pista financiare etj., në çdo vend normal, që nuk drejtohet nga elita politike e individë të pushtetshëm që kanë bërë fole në këtë parajsë fiskale.

Fatos Klosi ka folur disa ditë më pare publikisht. Ka thenë tekstualisht, troç, qartë e trimërisht:

“Në vitin 2001 amerikanët ofruan të dhëna konfidenciale pranë Shërbimit, në lidhje me politikanët shqiptarë të cilët i kishin fshehur paratë në Qipro…”, duke u treguar i rezervuar, e i kujdesshëm. Duke mos dhenë emra konkret, duke ruajtur konfidencialitetin e të dhënave, siç detyron ligji për të tilla raste, por duke ja lenë topin në derë institucioneve kompetente të hetimit të ndjekin raportimet e asaj kohe që edhe sot e gjithë ditët janë të vlefshme për të ndriçuar e ndëshkuar krimin e rendë financiar të zhvatjes së parave publike.

Politikanët e pushtetarët shqiptarë kanë fshehur paratë në emër të tyre ose njerëzve të afërt, në Qipro, ka artikuluar Klosi, e përsërisim: duke konfirmuar zyrtarisht gjithsa ishte përfolur prej kohësh në Shqipëri, ndërkohë që media e etur për të tilla “skupe”, çuditshëm e anashkaloi lajm bombën, sikurse nga institucionet kompetente nuk u komunikoi ndërmarrja e ndonjë hapi konkret për të nisur qoftë edhe gërvishtjen e dosjes “Qipro depozitat”.

Dosjen në të cilën, po ti referohesh arkivave mediatike të asaj kohe, do të gjesh jo pak emra qeverisësish e pushtetarësh shqiptarë me depozita bankare të padeklaruara në këtë parajsë fiskale mesdhetare.

Janë persona me profil politik mozaikal: të majtë, të djathtë, qendror e fundorë, të njohur si lojtarë aferash korruptive përgjatë ushtrimit të detyrave të larta drejtuese etj., por që ende vazhdojnë të mbeten anonime përderisa organet mediatike dhe ato të hetimit të merren me interesin global dhe jo atë kombëtar.

Sepse jo vetëm media, por edhe Prokuroria e Përgjithshme u përfshi në lojën e politikës, kur deklaroi se do hap hetim për “Panama Papers”, për të pare nëse ka ndonjë të ngjashëm si Mulleti në lista, duke mos i përmendur fare listat e “Qipro depozitave”, në të cilat, edhe sipas ish shefit të SHIK, gjallon ujqëria e burrështetësisë shqiptare.

“Shërbimet sekrete janë të bllokuara, për aq kohë sa shtetarët janë të ngatërruar. Qysh nga ajo kohë dhe deri tani, pavarësisht informacionit, nuk është bërë praktikisht asgjë”, pohoi dhimbshëm Fatos Klosi, duke dhenë edhe përgjigjen e heshtjes masive për “Qipro depozitat” e pa gërvishtura ende.