Rrëzimi i helikopterit në Shkodër, homazhe për dy “Dëshmorët e Atdheut”

Në Pallatin e Kongreseve po mbahen homazhe në nderim të dy pilotëve të Forcave të Armatosura, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët humbën jetën të mërkurën e 6 prillit,  si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak.

Homazhet do të zhvillohen deri në orën 14:00 dhe në to do të marrin pjesë oficerë të lartë të Forcave të Armatosura dhe zyrtarë të tjerë.

Ndërkohë, rreth orës 14:30 do të zhvillohet ceremonia mortore tek Varrezat e Dëshmorëve, ku viktimat do të përcillen në banesën e fundit.

Komisioni Shtetëror për Dëshmorët shpalli “Dëshmor i Atdheut” dy pilotët e Forcave të Armatosura.

Helikopteri ushtarak u rrëzua mesditën e së mërkurës në ujrat e liqenit të Shkodrës pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe.

Nga aksidenti mbijetoi vetëm një nga tre personat që gjendej në bord, ushtari profesionist Gerald Baramuca, po merr mjekim në spital.

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet, duke ngritur një grup hetimor në lidhje me rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës.

Grupi hetimor drejtohet nga Prokurori Granit Shahu, i cili sëbashku me specialistët e tjerë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rrëzimit të helikopterit ushtarak.

 Nga e majta ne te djathte, toger Donald Hoxha dhe kapiten Floran Deliaj