Qeveria rrëzon pretendimet e Sali Berishës për rrëzimin e helikopterit

Këshilli i Ministrave ka reaguar sot për pretendim e ngritura nga ish-kryeministri Sali Berisha për shkaqet e rrëzimit të helikopterit në Shkodër, ku humbën jetën dy pilotë. Sipas faqes qeveritare Transparenca.al helikopteri ka pasur mision fluturimi njohës dhe nuk ka kryer asnjë udhëtim siç pretendon Berisha.

Reagimi i faqes qeveritare Transparenca. Al.

Për helikopterin e Forcave të Armatosura: “Lidhur me pretendimet e artikullit të portalit syri.net dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, sqarojmë se helikopteri EC 145 me numër anësor 637, në orën në të cilën portali pretendon se është ulur në doganën e Hanit të Hotit, ka qenë në një fluturim të planifikuar në jug të Shqipërisë, fluturim të nisur në orën 09:10 të mëngjesit të ditës së djeshme me itinerarin,  Farkë-Belsh- Gllavë- Tepelenë- Skerficë -Butrint- Ksamil- Sarandë- Llogara- Akerni- Lushnje, e në fund është ulur pa problem në bazën e Farkës.

 Ndërkaq, siç është thënë më herët, helikopteri është nisur nga Farka në orën 12:10 dhe po kryente fluturim rutinë stërvitor rikonjicioni, sipas planit të fluturimit të bazës ajrore Farkë, në intenerarin Farkë-Tujan-Qafë Murr-Qafë buall-Shupenzë-Peshkopi-Kukës-Qafë Luzhë-Qafë Valbonë-Vermosh-Rapstarje-Koplik-Shkodër-Farkë.  Helikopteri i shfaqur në videon e portalit syri.net është civil, me përmasa më të mëdha dhe pa shenja dalluese të Forcës së Armatosur. Në këtë video gjithashtu dallohet qartësisht se helikopteri është i pajisur me rrota. Ndërkohë që asnjë helikopter i FA-ve nuk është i pajisur me rrota, por janë të pajisur me sistemin me slitë.

 Sa më sipër aludimet e portalit syri.net janë të pavërteta dhe për më tepër dashakeqe. Ftojmë median të distancohet nga abuzimet që nuk ndalen as përpara humbjes së jetës së dy pilotëve të Forcave të Armatosura në krye të detyrës”.