Libri i Dr. Arjan Qafa, e drejta e pronës në 25 vjet tranzicion

Libri i Dr. Arjan Qafa “E drejta e pronës në Shqipëri, në periudhën post-komuniste”

Prej 25 vjetësh çështja e pronës në Shqipëri është cilësuar si problemi kryesor i mungesës së zhvillimit të vendit. Një proces që përgjatë tranzicionit është komplikuar me ligje dhe  ndërhyrje politike që janë parë si zgjidhje e momentit, por kanë sjellë efekte gati të pariparueshme. Qeveritë ua kanë lënë njëra-tjetrës stafetën e zgjidhjes së këtij problemi, duke shtuar jo vetëm barrën ekonomike për qytetarët, por edhe mohimin e një të drejte themelore. Përveç specialistëve të së drejtës ose njerëzve që janë prekur nga ligjet e mitura këto vite, pak njerëz janë në gjendje të kuptojnë dhe argumentojnë se çfarë ka ndodhur me pronat në gjithë këto vite.

Juristi i njohur Dokor i Shkencave Juridike, Arjan Qafa vjen me një botim shkencor që analizon gjithë procesin e pronës në Shqipërinë pas rrëzimit të sistemit komunist. Libri “E drejta e pronës në Shqipëri, në periudhën post-komuniste” është jo vetëm një analizë krahasuese e respektimit të së drejtës së pronës në vend, por njëherazi edhe një botim që shërben si bazë për kuptuar atë çka ndodhur me pronat në vend, si dhe rekomandime sesi mund të gjenden zgjidhje të pranueshme.

Ky botim është ndër të paktët në këtë fushë në Shqipëri. Rëndësia e tij nuk qëndron vetëm në aspektin teorik të trajtimit të çështjes së pronësisë, por edhe në zgjidhjet praktike, analizat, rekomandimet dhe krahasimet e zgjidhjen e problemeve të ngjashme që i kanë bërë çështjes së pronës vendet e tjera.

Libri paraqet interes edhe për personat, të cilët ende nuk e kanë përfituar të drejtën e pronës. Është një busull orientimi për të kuptuar si funksionon sistemi dhe cila është baza ligjore në Shqipëri ku mund të operohet. Por edhe për të kuptuar sesi funksion e drejtë ndërkombëtarë për çështjet e pronës.

Në botim nuk mungojnë dhe faktet interesante që lidhen me ndryshimet e shpeshta të kuadrit ligjore. Kështu, Shqipëria rezulton se ekzistojnë të paktën 16 ligje të veçanta që rregullojnë të drejtën e pronës në Shqipëri dhe kanë krijuar 8 institucione që duhet të mbikëqyrin të drejtën e pronës në ministri të veçanta. Nga ana tjetër, vetë ndërhyrjet që janë bërë në këto ligje arrijnë rekord. Sipas llogaritjeve, ligjet për pronat janë amenduar të paktën 100 herë nga viti 1991 deri në vitet 2000.

Në një kapitull të veçantë libri analizon sesi është zgjidhur çështja e pronës, kompensimit dhe privatizimit në vendet e tjera të Europës Lindore, të cilat ashtu si Shqipëria vuanin pasoja e shpronësimit në masë nga sistemi komunist. Në libër sillen shembuj sesi u operua për kthimin e pronës në Rumani, Çeki dhe Hungari, nga ku rezulton se një administrim efikas i pronës pas rrëzimit të sistemit komunist solli dhe një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm, ndryshe nga sa ndodhi në Shqipëri.

“E drejta e pronës në Shqipëri, në periudhën post-komuniste” është një botim sa shkencor dhe teorik i sjellë me mjeshtri nga një jurist profesionist, por edhe praktik.

 

Vlerësime për librin/Një botim me vlera të padiskutueshme shkencore

Nga Prof. Dr. Ferit Duka*

Libri që i paraqitet sot lexuesit nga Dr. Arjan Qafa përfaqëson në vetvete një studim mjaft të arrirë, me vlera shkencore të padiskutueshme. Nëpërmjet këtij punimi autori shqyrton një spektër të gjerë të një problematike mjaft të ndërlikuar, që lidhet me pronat dhe të drejtën e pronësisë , të cilat realisht janë shndërruar në “Thembrën e Akilit” për shoqërinë shqiptare të periudhës post-komuniste. Lënda e këtij punimi është strukturuar sipas një skeme të thjeshtë dhe të qartë; një hyrje e ndjekur nga katër kapituj, përfundimet, rekomandimet, dhe bibliografia.

Pavarësisht se autori është vetë jurist nga profesioni, pavarësisht se studimi në fjalë është produkt i një qasje juridike në trajtimin e pronës dhe të së drejtës së pronës, aspektet juridike janë veshtuar të pandara nga konteksti politik dhe social, historik e aktual, kombëtar e ndërkombëtar. Në këto suaza, shqyrtimi i problematikës shqiptare të pronësisë në përqasje me rastet rumun, çek, hungarez e polak, i ka dhënë punimit një dimension mjaft interesant, duke ofruar kështu një mundësi më shumë për të kuptuar realitetin e pronës në Shqipërinë post-komuniste.

Libri është gjithashtu një dëshmi e qartësisë dhe e kthjelltësisë së qëllimit dhe objektivave studimorë që autori ka përcaktuar kur i ka hyrë një ndërmarrje të tillë. Kjo duket si në formulimin e tezës ashtu dhe të pyetjeve kërkimore që ka parashtruar në funksion të saj. ato janë në pajtim të plotë me njëra-tjetrën. Vetë hipoteza e këtij punimi “sa më e ulët të jetë shkalla e respektimit të të pronës, aq më problematike është shoqëria dhe aq më i largët është fundi i tranzicionit”, është në të vërtetë shprehje e kondensuar e dilemës së madhe që ka sot Shqipëria për tu bërë një vend me standarde europiane. Duke e shtjelluar më tej hipotezën z. Qafa ka theksuar me të drejtë se shkalla e respektimit të së drejtës së pronësisë varet shumë nga siguria juridike e pronës dhe nga mbrojtja e saj, sesa nga nxjerrja e paketave të ndryshme ligjore, urdhëresave dhe vendimeve gjyqësore, të cilat në një farë mënyrë, mbeten  në kuadrin legjislativ dhe nuk e ekzekutojnë materialisht këtë të drejtë. Ka ardhur koha, vijon më tej ai, që mbrojtja e pronës dhe në veçanti kthimi dhe kompensimi i pronave të qytetarëve shqiptarë, ashtu sikurse dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore kombëtare dhe të Gjykatës Europianë të Drejtësisë, të gjejnë një zgjidhje përfundimtare. Këtë ai e sheh si kusht që Shqipërisë t’i hapet rruga për në BE.

Autori e ka vendosur punimin në një shtrat teorik të shëndosh. Analizat, shqyrtimet dhe interpretimet teorike në lidhje me të drejtën e pronës, na duken mjaftë bindëse. Ato janë mbështetur në arritjet më të mira të shënuara në këtë fushë nga shkencat juridike si dhe nga veprimtaria legjislative në epoka të ndryshme historike. Duhet veçuar, si meritë e padiskutueshme e autorit, përpjekja për të qartësuar një varg konceptesh, nocionesh dhe përkufizimesh në lidhje me pronën dhe të drejtën e pronësisë, si nga pikëpamja e evolucionit të tyre historik ashtu dhe prej domethënies që ato kanë në periudhën bashkëkohore. Një rol të spikatur këtu luan edhe fakti që Dr. Qafa ka një formim të shëndoshë tekniko-juridik, gjë që e ka bërë atë të aftë për të dominuar dhe për të kaluar me sukses vështirësitë dhe sfidat e panumërta që i janë paraqitur në pjesën teorike të punimit.

Duhet të theksojmë se për kryerjen e këtij studimi është thirrur në ndihmë një arsenal i pasur metodash e instrumentesh, gjë që është përcaktuar nga vetë kompleksiteti i çështjeve që rrok tema në fjalë. Kombinimi i natyrshëm i metodave të tilla si; analitike, krahasuese, logjike, historike, shpjeguese e parashikuese, ka garantuar jo vetëm depërtimin me sukses të autorit në labirintet e një subjekti të tillë të vështirë, por edhe vështrime dhe analiza shumëplanëshe e të qarta për problematikën e marrë në studim.

Duhet shënuar se në shërbim të këtij studimi është përdorur një literaturë e gjerë, vendase dhe e huaj, ku një vend të rëndësishëm zë studimet bashkëkohore. Po ashtu është shfrytëzuar me sukses një gamë e gjerë burimesh parësore, si p.sh. ligje e akte nënligjore për çështjen e pronave, si dhe burime nga interneti. Një gjë e tillë ka pasur një ndikim domethënës në rritjen e nivelit shkencor të punimit.

Në fund të kësaj parathënie të shkurt dua të shpreh bindjen se, me qasjet e veta origjinale në shtjellimin e kësaj tematike të vështirë, me analizat dhe interpretimet e thelluara rreth subjektit në fjalë, me përfundimet dhe rekomandimet e qëlluara, Dr. Qafa ofron me këtë libër një instrument të vyer pune e këshillimi për institucionet shtetërore, gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, një referencë të shëndoshë për studentët dhe pedagogët e fakulteteve juridike, shkencave sociale dhe ekonomike, për organizmat ndërkombëtarë që asistojnë në Shqipërinë, si dhe publikun e gjerë në tërësi, i cili në njërën ose tjetrën mënyrë është i interesuar për një çështje të tillë, jetësore për shoqërinë shqiptare.

*Shkrimi është paradhënie e librit të Dr. Arjan Qafa.

 Pjesë nga botimi i Dr. Arjan Qafa

Konkluzione paraprake për pronën në Shqipëri pas rënies së komunizmit

Që tranzicioni post-komunist është përgjithësisht drejt fundit të tij, kjo vërehet nga fakti se debati i madh mbi interpretimin historik të tij ka filluar dhe po vazhdon. Shqipëria si vendi më pak i përgatitur nga pikëpamja ekonomike, politike, sociale e kulturore për të ndërmarrë reforma rrënjësore drejt ekonomisë së tregut, shfaq më shumë gjëra të ndryshme sesa të përbashkëta me vendet e tjera në post-tranzicion si Hungaria, Çekia dhe Polonia, përvoja të cilat u morën në analizë në këtë studim. Në pjesën më të madhe të ish-vendeve komuniste të Europës Lindore, shumë prej të cilave janë tashmë anëtarë të BE-së, procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave te pronarët është ende larg nga përmbushja e tij. Raportet e GJEDNJ-së referojnë në numër me mijëra ish-pronarë të cilët kanë aplikuar pranë kësaj Gjykate në lidhje me çështjen e të drejtës për pronë, ndërkohë që shumica  e këtyre vendeve ka sanksionuar standardet ndërkombëtare të garantimit të së drejtës për pronë, por kjo mbetet shumë larg realizimit në praktikë. Në këtë drejtim Shqipëria përjeton të njëjtën përvojë. Megjithatë ky është një konstatim i përgjithshëm, pasi vendet e veçanta të tranzicionit, sot pas 15-të vitesh të fillimit të tij, ndodhen në largësi të ndryshme nga pika e mbërritjes, pra përfundimit të tij. Për Poloninë për shembull, sot nuk po përdoret më denomivativi  “vend në tranzicion”, por në vend të tij përdoret “vend nëpost-tranzicion”, ndërsa vendet e Ballkanit denominohen si vende të tranzicionit të vështirë, të vonuar apo të ndërprerë. Përvoja e këtyre vendeve është e ndryshme por cili mund të ishte një variant më i afërt për Shqipërinë? Shumica e vendeve në Europën Lindore kanë miratuar ligje për kthimin e pronave private, të konfiskuara nga shteti nën regjimin komunist, si dhe kanë zbatuar skema të kompensimit financiar për ata, të cilëve për arsye të ndryshme nuk mund t’iu kthehej prona. Skemat e kompensimit përfshijnë një sërë metodash për të përllogaritur shumën që duhet dhënë për kompensimin. E përbashkëta së sasinë e kompensimit financiar që paguhet. Këto kufizime në sasinë e kompensimit financiar që paguhet. Këto kufizime nevojiten për të siguruar përfundimin e procesit të kthimit dhe të kompensimit brenda një afati kohor realist, si dhe për të siguruar se kostoja e kompensimit është në përpjesëtim me burimet financiare, që mund të caktohen për këtë qëllim, pa minuar shpenzime të tjera të nevojshme publike. Gjithashtu, skemat  kompensimit të shumicës së vendeve përfshijnë instrumente financiare të tjera përveç pagesave publike. Gjithashtu, skemat e kompensimit të shumicës së vendeve përfshirë instrumente financiare të tjera përveç pagesave në para (p.sh. bono thesari afatgjata, aksione në sipërmarrje publike), të cilat ndihmojnë që të amortizohet ndikimi te buxheti.
Procese të ngjashme janë kryer edhe në vende të tjera të Europës. Ato kanë marrë natyrisht kohën e nevojshme, por kanë dhënë edhe rezultatet e pritshme për ekonominë e tyre. E kundërta ndodhi te ne. Institucionet e krijuara dhe metodika e zgjedhur për realizimin e këtyre proceseve, jo vetëm që garantuan mossuksesin e tyre por në rrjedhën e viteve sollën probleme të reja shtesë, të cilat u ndërthurën mes tyre duke marrë trajtën e një ‘’Nyje Gordiane’’, që në pamje të parë nuk jep asnjë shpresë se një ditë do të zgjidhet në Shqipërisë iu desh që këto vite të merrej edhe me legalizimin, proces që nuk u kufizua vetëm me legalizimin e ndërtimeve pa leje por përgatiti edhe materialin hartografik, që do përdorej për regjistrimin e tokave të zaptuara mbi të cilat u ngritën këto ndërtime. Në Poloni, njohja legjislative e të drejtave të pronës private nuk është ajo e zhvillimit “revolucionar”, si në disa vende të tjera të Europës Lindore. Shqipëria, Republika Çeke, Hungaria, Polonia kanë hartuar ligje të reja për të drejtat pronësore qysh me ndryshimet politike të vitit 1990. Të drejtat e pronësisë, të mirëpërcaktuara e të detyrueshme për t’u zbatuar, janë parakusht për funksionimin e ekonomisë së tregut. Për sa këto të drejta janë të dobëta, një ekonomi tregu nuk mund të shërbejë me efiçencë dhe progresi ekonomik është thellësisht i penguar. Shqipëria, si një vend që aspiron integrimin në BE dhe që ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim –Asociimit, por edhe përvojën çeke, për sa i përket respektimit të të drejtave pronësore si dhe sfidave me të cilat u përball ashtu sikurse dhe politikat e ndjekura nga ky vend.