Klosi:Politikanë, zyrtarë dhe biznesmenë fshehin paratë në Qipro

Fatos Klosi, ish drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) ka bërë një deklaratë bombë në emisionin “Dritare” të Rudina Xungës. Sipas tij në vitin 2001, SHBA i kanë servirur SHIK informacione mbi depozitimin apo fshehjen nga politikanë shqiptarë të shumave të parave në Qipro por edhe diku tjetër. Dhe ka vazhduar ish kryeagjenti SHIK e ka bërë punën e vet, e ka dërguar informacionin në fjalë “atje ku mund të shkonte” sipas ligjit.

Lidhur me deklaratën e fortë të Klosit, por edhe me mjegullimën që lë ai ka reaguar edhe opinionistr Andrea Stefani në një shkrim në “Dita”: “Kush janë këta politikanë që kanë fshehur kapitale? Sa lart qëndrojnë në hierarkinë e politikës dhe të shtetit? A janë edhe sot e kësaj dite aktivë, në pushtet apo në opozitë? Deklarata e Klosit duhet të përbëjë një alarm për çdo qytetar të këtij vendi që trembet ta lerë fatin e tij, të familjes dhe të vendit në duar politikanësh që qarkullojnë para të pista të botës së krimit apo të korrupsionit për t’i fshehur apo për ti pastruar ato” ka shkruar ai.